Pema më pak festive e të gjitha kohërave! Në vend të zbukurimeve, produkte të sekuestruara në aeroporte
Aeroporti Vilnius në Lituani ka krijuar pemën e Krishtlindjes më pak festive të të gjitha kohërave, e përbërë nga thika, plumba, gërshërë, çakmakë dhe njolla gjaku. U nevojit më shumë se një javë për ndërtimin e kësaj peme, e cila përmban gërshërë të gjelbra në vend të degëve dhe thika të ushtrisë zvicerane midis tyre.
Ndër zbukurimet e tjera të pemës, duken dhe dekorimet e çuditshme si plumbat, thika me njolla gjaku, armë të rreme dhe në majë të saj, një yll i modifikuar me tehe të ndryshme thikash.
Çdo zbukurim në pemë, është vendosur jo paqëllim. Secila prej tyre simbolizon nga një send të ndaluar që udhëtarët nuk janë lejuar që t’i marrim me vete në bagazhet e tyre. Sipas aeroportit, ky është një mesazh domethënës.
“Qëllimi është të dërgojmë një mesazh për rëndësinë e sigurisë së aviacionit,” i tha BBC një zëdhënës nga Aeroporti Vilnius.
“Artikujt si thika, gërshërë, çakmakë, tehe dhe të gjitha produktet e tjera të rrezikshme janë të ndaluara të merren me vete, qoftë dhe në bagazhet e dorës. Ndaj e gjitha pema këtë vit është zbukuruar me ‘dekorime’ të cilat janë sekuestruar nga udhëtarë të ndryshëm gjatë kontrolleve rutinë në aeroport. Pra, nëse nuk doni që sendet tuaja personale, të cilat janë të ndaluara të merren me vete në aeroport, të gjenden në pemën e vitit të ardhshëm, thjesht mos i merrni me vete dhe sigurohuni të kontrolloni mirë bagazhet për fluturimet që do kryeni në vijim’’- theksoi ai.
Në fillim të këtij viti, Vilnius u emërua destinacioni më i lirë për pushime ndër vendet europiane.