Për sytë… që mund të lexojnë përmes zërit
Instituti Visum dhe Fondacionin Vodafone Albania sjellin teknologjinë asistive, “text-to-speech” në gjuhën shqipe
“Sytë ndrijnë, qeshin; ndizen, ndezin. Sytë dashurojnë, dashurohen …sytë verbohen”, shkruhet ndër vargjet e poezisë së Timo Fllokos, që na thotë gjithçka për të shtrenjtët, “Sytë”. Do të jetë pikërisht ndjesia që përcjell kjo poezi, interpretuar nga vetë Flloko, një nga momentet më emocionuese të një darke speciale që do të organizohet më 23 tetor, si një spektakël totalisht në errësirë, ku mbi 200 pjesëmarrës do ta përjetojnë botën në 45 minuta, ashtu siç njerëzit me aftësi të kufizuara në shikim e perceptojnë tërë jetën.
Është kjo mënyra më e mirë për t’u afruar më fort me kauzën në mbështetje të 12 mijë njerëzve, të cilëve u duhet dhënë mundësia të jetojnë, punojnë, shijojnë e lexojnë si gjithë të tjerët.
Fondacioni Vodafone Albania i është afruar 5 vite më parë kësaj kauze, duke pasur një mision të qartë: të sjellë dritë nëpërmjet zërit në jetën e atyre që kanë vështirësi me shikimin. Bashkëpunimi me Institutin Visum, me drejtues Emiliano Lule dhe Fondacionin Vodafone Albania solli teknologjinë asistive, “text-to-speech” në gjuhën shqipe, një software për leximin e teksteve të ndryshëm nëpërmjet kompjuterit. Gjithashtu, me një kontribut prej 18,000 eurosh do të mundësohet së shpejti blerja e pajisjeve audio për regjistrimin e librave audio dhe çdo lloj formati tjetër të përshtatshëm për lexuesit e verbër. Tashmë ky projekt do të vazhdojë në fazën e tij të dytë: ndërtimin e së parës bibliotekë në audio në Shqipëri.
Mbledhja e fondeve për ndërtimin e kësaj biblioteke online audio do të bëhet në këtë mbrëmje speciale, ku krahas Timo Fllokos do të marrin pjesë dhe shumë artistë e personazhe të njohura për publikun si Valbona Selimllari, Edi Manushi, Xhensila Myrtezai & Bes Kallaku, Gaz Paja, Klaudia Pepa, Besa Kokëdhima, Ermal Mamaqi, artistë si Blerina Shalari, Ada Shalari, Islam Hoxha, e instrumentistë profesionistë to TKOB, Ingrid Pulizo, Mario Guralumi, Bariton Armando Likaj, Soprano Arilda Hoxha e të tjerë. Gjatë mbrëmjes, donatorët dhe aktivistët e shoqërisë civile, me kontributet e tyre do t’ua bëjnë jetën më të lehtë atyre që zërin e kanë mënyrën e vetme për të parë botën.
Por, kjo fushatë e mbledhjes së fondeve nuk mbaron më 23 tetor. Ajo nis aty për të vazhduar më pas online. Për të gjithë ata që nuk do kenë mundësi të bëhen pjesë e mbrëmjes, donacionet mund t’i dhurojnë në linkun: https://www.visum.org.al/.