“Për të shkuar në shtëpi kaloj në varreza”, pronarja: Nuk bëni mirë që ma nxirrni emrin në emision
Rubrika “Shihemi në gjyq”, solli ditën e sotme përballë njëri-tjetrit kunatën me kunatin. Shkak për këtë është bërë një rrugë, e cila është bllokuar dhe si pasojë Mimoza e ka të pamundur të shkojë në shtëpi.
Ajo ka thirrur vëllain e burrit në studio sepse kërkon që situata me rrugën të qartësohet, pasi momentalisht për të shkuar në shtëpi, ajo dhe familja e saj po kalojnë në varreza.
Mimoza: Unë kam sjellë kunatin tim këtu, se kemi një problem rruge, për të vajtur tek banesa ime. Ne kemi jetuar në Greqi për ca vite, kemi 5 vite që jemi kthyer. Fshati është lidhur me rrugë dhe unë dua të lidhem me rrugën të shkoj tek banesa.
Eni Çobani: Azizi çfarë peshe ka në gjithë këtë histori?
Mimoza: Azizi në radhë të parë ka qenë kryeplak fshati.
Eni Çobani: Sot nuk është më?
Mimoza: Jo!
Eni Çobani: Ju keni qenë kryeplak. Në çfarë periudhe?
Aziz: Kam qenë kryeplak para 4 vitesh, deri në 13 Dhjetor të vitit 2019. Ky problem qëndron që nga viti 1993, që është mbyllur kjo rruga ekzistuese.
Eni Çobani: Pra Mimoza e ka gjetur të mbyllur këtë rrugë?
Aziz: Po. Pasi është mbyllur kjo rrugë është mbledhur kryesia e fshatit të asaj kohe, pasi kanë diskutuar, kanë dalë me një vendim.
Eni Çobani: Me gojë apo me shkrim?
Aziz: Unë nuk e di për me shkrim, sepse nuk e kam lexuar.
Mimoza: Kush e ftoi kryeplakun e asaj kohe, pala tjetër apo babai jot, për ta bllokuar rrugën?
Aziz: Nuk jam i sigurt, sepse atëherë kam qenë i ri dhe nuk jam i sigurt.
Mimoza: Vjehrra ime më ka treguar se ata e kanë bllokuar rrugën me forcë. Kanë ftuar kryeplakun e fshatit të asaj kohe dhe në bashkëpunim e kanë bllokuar, se aty ku kalojmë ne janë varreza.
Eni Çobani: Ku kaloni ju për në shtëpi?
Mimoza: Ku kalojmë ne tani për momentin, aty janë varreza, nuk ka patur tjetër zgjedhje vjehrri im.
Eni Çobani: Po si ka pranuar babai juaj që të kalojë në varreza Aziz, se kjo është njëçik e çuditshme.
Aziz: Atë rrugë ka zgjedhur që është me vendimin e kryesisë së fshatit, por babai im pasi e kishte kuptuar shkuam prapë ne tek pala tjetër për ta kërkuar.
Mimoza: Jo, jo nuk është aspak e vërtetë nuk e ka pranuar.
Aziz: Një sekondë. Shkuam prapë me babain tim për ta kërkuar tek pala tjetër me mirëkuptim.
Eni Çobani: Kush është pala tjetër?
Aziz: Tek familja e Rabie Sulës!
Eni Çobani: Tani Rabija është sot pronare e kësaj rruge?
Aziz: Nuk e di a është nëna e vet, a është vetë, nuk jam i sigurt.
Mimoza: Zonja Eni aty ku kalon rruga, nuk e ka askush në certifikatë pronësie, aty është pyll.
Eni Çobani: Nga komunikimi që unë kam kryer me zonjën Rabije, në bazë të telefonit që ju më keni dhënë, Rabija ka pranuar që në fakt ajo është pronare dhe që normalisht kjo gjë është ndarë herët, ashtu siç thotë edhe Azizi sot nga babai i familjes, pra nga ish-vjehrri juaj i ndjerë, gjë që ju sot nuk e pranoni dhe thoni jo.
Mimoza: Jo është gënjeshtër!
Problematika e saj është e madhe dhe shkak për këtë është bërë një rrugë, e cila është bllokuar dhe si pasojë Mimoza duhet të kalojë në varreza për të shkuar në shtëpi. Problematika lidhet edhe me familjen Sula, e cila pretendon se është pronare e asaj toke.
Në një lidhje telefonike në studio, Rabije Sula u shpreh se nuk ishte dakord që emri i saj të përmendet në emision. Sipas saj, nëna e saj është pronare e tokës dhe nuk u ka ardhur asnjë urdhër për të hapur rrugën.
Eni Çobani: Ju pretendoni se jeni pronare e një rruge për të cilën Mimoza Ruci ka sjellë në këtë seancë ndërmjetësimi, kunatin e saj zotin Aziz Ruci. Besoj se ju të dy i njihni?
Rabije: Po!
Eni Çobani: Ju i keni edhe kushërinj, jeni shumë afër me banesa dhe ju pretendoni se jeni pronare.
Rabije: Jo unë nuk jam pronare, pronare është nëna!
Eni Çobani: Mirë s’ka problem, ndjesë atëherë, është familja juaj.
Rabije: Ju nuk bëni mirë që ma nxirrni emrin atje dhe më bëni mua person publik, të më njohë gjithë bota sepse s’kam nevojë të më dalë fare emri atje pa arsye.
Eni Çobani: Nuk ua nxjerrim neve emrin, jua nxjerrin protagonistët.
Rabije: Pronare është nëna, se e dëgjova bisedën unë.
Eni Çobani: E dëgjove bisedën, shumë mirë.
Rabije: Unë s’jam protagoniste hiç, se pronare për tokën është nëna deri më sot, se unë e kam nënën gjallë, nuk më ka vdekur. Siç e ka tokën Moza, e kam edhe unë, e ka edhe Azizi, e kanë të gjithë
Eni Çobani: Të lutem zonja Rabije! Keni ndonjë dokument ligjor ku ju vërtetoni se mamaja juaj, ndjesë për ju, por mamaja juaj është pronare e kësaj toke?
Rabije: Po si nuk e kam dokumentin, siç e kanë ata, e kam edhe unë certifikatën e pronësisë.
Eni Çobani: Që përfshihet edhe rruga për të cilën po flasim?
Rabije: Rrugë këmbe, jo rrugë makine, ka hyrje, ka dhe dalje. Unë nuk e kam mohuar asnjëherë që ka rrugë, ka dhe hyrje, ka dhe dalje, nuk ka rrugë qorre.
Eni Çobani: Kjo rrugë tani që është bërë sebepi i konflikteve tuaja disa vjeçare, a ka mundësi të kuptoj sepse është ngritur dhe një grup pune, që ka ardhur atje dhe e ka parë dhe ka nxjerrë një urdhër për hapjen e kësaj rruge.
Rabije: Ku është urdhri? Se mua nuk më ka ardhur urdhër të hap rrugën.
Eni Çobani: Pse nuk keni lejuar hapjen e rrugës ju zonjë?
Rabije: Jo, jo absolutisht s’më ka ardhur asnjë lloj urdhri.
Eni Çobani: A s’ju ka ardhur, ndjesë atëherë. Më dëgjoni me kujdes.
Rabije: Se prona dhe familja janë të shenjta, nuk ka të drejtë kush të më prekë as pronën, as familjen.
Eni Çobani: Ne nuk po prekim as pronën, as familjen.
Rabije: Po më nxirrni emrin atje. Emrin s’keni pse e nxirrni atje.
Eni Çobani: Ju lutem, këtu do dalë emri i kujtdo që pretendohet nga protagonistët, jo vetëm në këtë emision, por në çdo emision dhe ju jeni të detyruar të përgjigjeni për fakte ose prova, që i plotësoni, këtë tregim që bëjnë protagonistët.
Rabije: Unë për respektin tuaj u përgjigja, tani mirupafshim.
Eni Çobani: A s’keni përgjigje tjetër?
Rabije: Jo!/tvklan.al