“Perdja” e vetos greke mbi Ballkanin Perëndimor

Nga Marjana Doda

 Krijuar si pjesa lindore e Perandorisë Romake dhe që lulëzoi në periudhën e Bizantit, që njohu dhe pushtimin shekullor të Perandorisë Osmane për të fituar më pas pavarësinë më 3 shkurt 1830, Greqia me platformën e Megali Idesë (Ideja e madhe) më 1844, dhe në sajë të emrit dhe rolit të saj, që në Traktatin e Shën Stefanit e Kongresin e Berlinit (1878), në Konferencën e Londrës (1912-1913), në Konferencën e Versajës(1919-1920), në Traktatin e Lozanës (1923), në Konferencën e Paqes në Paris (1946), e në çdo takim tjetër të nivelit ndërkombëtar, nuk hoqi dorë nga pretendimet dhe rivendikimet e saj territoriale.

Dhe pse në Konferencën e Versajës nëpërmjet Kryeministrit Elefteri Venizellos arriti të favorizohet nga Fuqitë e Mëdha dhe të shtrinte kufijtë e saj deri në brigjet më të fundit të Egjeut me Turqinë dhe të vendeve të Ballkanit, ende nuk i janë shuar “orekset” e Bizantit të dikurshëm.

Duke qenë pjesë e Perëndimit dhe “e përkëdhelura” e tij, nuk hoqi kurrë dorë nga ëndrrat e saj të dikurshme. Ajo çfarë do të mund t’a lartësonte atë me vlerat më demokratike që ndriçuan botën me filozofët e lashtë, tashmë me veton dhe kushtet e saj kundrejt integrimit e zhvillimit evropian të fqinjëve të saj duket sikur errëson shkëlqimin e merituar.

Maqedonia dhe Shqipëria në aspiratat dhe të drejtat e tyre natyrore për të qenë pjesë e bashkësisë evropiane, përpos problemeve të brendshme, më së shumti po duket se integrimi është dhe peng i vetos greke. Dhe pikërisht kjo ndodh aty, në shtratin pellazgjik, aty ku popujt kanë të njëjtën histori, aty ku helenë, maqedonë e ilirë kanë qenë bashkë dhe kundër, aty ku lindën heronj dhe luftuan për lirinë e njëri -tjetrit ndër shekuj.

Familja evropiane me të drejtë po i hap dyert për fqinjët e saj të përjetshëm në Ballkanin Perëndimor, dhe pse për arsye të ndryshme janë kaq të vonshëm. Maqedonia, emri dhe historia më e lavdishme evropiane, tashmë duket se po vonon, thjesht për emrin e saj.Askush nuk u ndje për të, ashtu si për shumë vende lindore ku për mëse 50 -vjet pllakosi regjimi komunist. Dhe pikërisht, 27 vjet më parë kur fitojë pavarsinë, ajo lindi si një shtet gjysmak i quajtur FYROM (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë), vetëm e vetëm pse emri “Maqedoni” është bërë pengesë e hapjes negociatave për në BE e NATO, nga vetoja greke. Sipas saj, vetëm populli i krahinës greke të Maqedonisë kanë të drejtën të quhen maqedonas. Por pse nuk e ndryshojnë greket emrin e krahinës së tyre por duan të tjetërsojnëidentitetin e shtetit të Maqedonise dhe popullit maqedon?

Të mos përmendësh emrin e Maqedonisë do të thotë të zhbësh historinë, sikur të fshishë nga faqja e lavdishme e historisë Aleksandrin e Madh, është sikur të përmendësh Jeruzalemin pa Jezu Krishtin. Heroi legjendar bashkoi popujt në Maqedoni e rajon në luftërat e lavdishme të tij, ashtu sikurse më pas Skënderbeu(“Aleksandri shqiptar”), që luftoi kundër pushtuesve osmanë dhe në mbrojtje të krishtërimit. Atëherë përse nuk duhet lartësohet emri Maqedoni dhe i popullit të saj?

Maqedonia, e destinuar të mbyllet e vuajë për mëse çerek shekulli nga qeveri të korruptuara dhe me paranoja të theksuara nacionaliste, meriton të jetë shteti më model në mes të Evropës për të shpalosur vlerat e vërteta demokratike multietnike, multikulturore, multifetare, etj.

Megjithatë, sëfundmi në Greqi e Maqedoni ,dy qeverite e vendeve respektive po tregojnë vullnet dhe qasjen e duhur që kjo mosmarrëveshje të zgjidhet me negociata dypalëshe. Veç kësaj, nisur nga interesat gjeopolitike që Maqedonia mbart për boshtin euroatlantik dhe për sigurinë dhe prosperitetin në rajon, çështja e emrit është bërë axhendë kryesore dhe në OKB.

 

Në kuadrin e përmbushjes reformave me synimin e anëtarësimit në BE deri më 2025, Kryeminsitri Zaev dhe ambasadori BE Samuel Zhbogar kanë mbajtur një konferencë shtypi pas publikimit të Strategjisë Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ku Zaev konfirmoi në kuadrin e bisedimeve për zgjidhjen e problemit të emrit për ndryshimin e emrit të Koridorit 10, që do quhet Autostrada Miqësia dhe Aeroporti i Shkupit, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Sigurisht heqja dore nga keto emra u shoqërua me reagime nacionalsite ,por Zaev i bëri thirrje qytetarëve, opozitës dhe kryetarit të shtetit ,që tashme me rendësi është të punohej për realizimin e reformave për anëtarësim.

 

Në një prononcim të datës 06.02.2018 për “Th Washington Post” bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian Carl Bildt do deklaronte se:” Bota duhet të ketë vëmendjen e saj në krizën rreth çështjes së emrit të Maqedonisë. Në të kundërt, nëse sërish bllokohet anëtarësimi i saj në NATO dhe BE rajoni mund të përfshihet në tensione”.

 

Drita jeshile është dhënë dhe nga kryeministri grek ,Alexis Tsipras i cili në një dalje para popullit grek do të ndërgjegjësonte për zgjidhjen e ngërçit për emrin e Maqedonisë, si një çështje që do i shërbejë së ardhmes evropiane.

 

Në lidhje me vendin tjetër fqinjë, Shqipërinë, Tsipras bëri me dije se dialogu me palën shqiptare ka qenë produktiv për të hapur një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Jemi gati për një marrëveshje strategjike Greqi- Shqipëri e cila do zgjidhë divergjencat mes dy vendeve dhe do hapë rrugën për kapituj integrues të fqinjit tonë në Bashkimin Evropian”- do deklaronte ai.

 

Greqia ngre zërin dhe vë veton në takime e organizma të ndryshme ndërkombëtare, e gjitha kjo duke shfrytëzuar të qenurit të Shqipërisë shtet i dobët e cila në shumë raste është treguar inferiore para Greqisë duke mos reaguar ndaj cenimit te interesave te saje. Ndërkohë kjo e fundit vetem për hir të zbatimit të një plani rregullues urbanistik në Himarë, alarmon Perëndimin për shkelje të drejtave dhe pronave të të ashtuquajturit minoritet të saj, ndërsa nuk njeh Çamërinë, gjenocidin kundër popullit të kësaj krahine.

 

Po përse këto vështirësi? Ato hasen me paranojën e nacionalizmit të vjetër grek që shfaqet si një re e zezë në marrëdhëniet mes dy vendeve, ku ende dëgjohen bubullimat e së shkuarës të para një shekulli, me Protokollin e Korfuzit më 1914, ku Greqia shfaqi pretendime territoriale në Jugun e Shqipërisë, për të ashtuquajturin Vorioepir, në funksion të të cilit ka shpalosur synimet e saj në konferencat ndërkombëtare, dhe pse shqiptarët janë në të drejtën e tyre natyrore.

 

Takimi i dy ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë Kotzias dhe Bushati në Kretë hapi siparin e një fryme demokratike mes dy vendeve. “Kjo është një dosje jo e lehtë. Është rreth 70-vjeçare e për pasojë kërkon kohën e vet dhe instrumentat e duhur për një zgjidhje sipas frymës evropiane dhe së drejtës ndërkombëtare”- do deklaronte Ditmir Bushati. Ndërsa në takimin tjetër treditor ne Korçe do shprehej se janë arritur përparime në çështje të rëndësishme si për Ligjin e Luftës, për paktin detar, për lehtësimet në jetën e emigrantëve në Greqi, etj.

 

Përballë rrezes së demokracisë shprehur në fjalimet e qëndrimet optimiste të k.min Alexis Tsipras, sërish shfaqen pakenaqesi dhe pengesa , tashmë nga vetë kreu i shtetit grek Prokopis Pavlopoulos, i cili në një fjalim në Shtabin e Forcave Ajrore në Larisa do deklaronte se:” Është e pakonceptueshme që udhëheqja e Shqipërisë të ngrejë çështjen Çame.” Ndërsa katër ditë më pas do të shprehej sërish se:” Nuk mund të keshë aspirata evropiane dhe të kërkosh të drejtat e bashkëpunëtorëve të nazistëve. Kur Shqipëria të ketë një qëndrim tjetër, atëhere Greqia është këtu të ndihmojë vendin fqinj për në BE”.

 

I menjëhershëm ishte reagimi i Presidentit Ilir Meta i cili në një intervistë për “Albania Daily News” do deklaronte se:” Pavlopuolos nuk është në sintoni me ministrat Bushati e Kotzias. Deklaratat e tij nuk i shërbejnë partneritetit”. Dhe k.min Edi Rama në një intervistë për gazetën greke “Ta Nea” të datës 06.03.2018, do theksonte se;” Çështja Çame ekziston vetëm si çështje themelore e të drejtave të bashkëkombësve tanë shqiptarë të cilët dikur jetonin në vendin tuaj, dhe asgjë më tepër ,ata njerëz gëzojnë të drejtën të udhëtojnë e vizitojnë Greqinë, që ata ose fëmijëve tyre të kenë mundësinë për të fituar të drejtën mbi pasurinë në rrugë ligjore, ashtu sikurse natyrisht çdo qytetar evropian vepron”.

 

Takimet më të fundit diplomatike mes Greqisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, me interesimin dhe ndërmjetësimin e drejtpërdrejtë të BE-së, por dhe të OKB-së për zgjidhjen e ngërçit të emrit “Maqedoni duket sikur po e largojnë tisin e errët të perdes së vetos greke që ende po pengon ndriçimin dhe integrimin e merituar të tyre.

SHKARKO APP