Përmbyset tryeza e “Trinisë”

Koço Kokëdhima

Një gjë shumë racionale që na e thanë eurodeputetët: Zgjidheni vetë krizën! Të gjitha deklaratat e delegacionit të Parlamentit Evropian, në dukje kundër opozitës, prishën skemën e vjetëruar të tri partive që mbajnë peng e të shtypur Shqipërinë me pazaret dhe marrëveshjet e tyre para dhe pas protestave të inskenuara me dhunë. Pra, duke zhvlerësuar tavolinën e pazareve politike, delegacioni i PE-së nxorri jashtë loje edhe kryeministrin.

Së pari, kryeministri kthehet në një pjesë e protokollit të funeralit të kësaj klase politike, jo një përfitues apo palë negociuese në një tryezë pazaresh të radhës. Brukseli e përmbysi këtë tryezë, sepse e kuptoi manovrën djallëzore dhe të pasinqertë me mandatet. Koha për dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës kishte kapërcyer, qysh kur partia “Zgjidhja” u kishte propozuar dy liderëve të PD-së dhe LSI-së që të bojkotonin dhe të mos merrnin pjesë në zgjedhjet e vitit 2017. Pas këtyre të fundit, u kërkoi të kundërshtonin pjesëmarrjen në parlament me Reformën Zgjedhore gjithëpërfshirëse, qeveri teknike dhe zgjedhjet e parakohshme. Siç doli më vonë, pazari i Bashës me Ramën ishte pranimi i rezultatit zgjedhor dhe sabotimi i demokratizimit të zgjedhjeve. Brukseli, në atë kohë përmes ndërmjetësuesit McAllister, e quajti të mbyllur këtë episod të jetës politike shqiptare. Rihapja e kësaj teme, për ndërkombëtarët mund të kishte sens vetëm në lidhje me diskutimin e sistemit zgjedhor. Ky diskutim u pengua nga të tri partitë e vjetra dhe u vu në funksion skema e rrëmujës, që pushteti të ndahet në tavolinë. Ndërkombëtarët deklaruan se nuk do të ketë ndërmjetësim. Pra, opozita do të shkojë drejt fatit të saj politik (vetëshkatërrimit), duke tërhequr pas edhe kryeministrin.

Së dyti, tri partitë e dekompozuara kanë dalë tashmë në dritën e diellit dhe po shpërndajnë aromën mbytëse. Njëra shërben gazin lotsjellës të pushtetit, dy të tjerat, në shpërbërje e sipër, e kanë kthyer parlamentin në një varr të pambyllur. Në këtë situatë, delegacioni i Parlamentit Europian foli duke mbajtur hundët e mbyllura dhe duke nxituar të largohet nga vendi ynë, të llahtarisur nga panorama. Ata nuk duan të dëgjojnë më, siç u ndodh sa herë që vijnë, për vjedhje votash, pazar për qeveri tranzitore, kërcënime për destabilizim, njerëz që duan të ikin. Ata flasin për stabilitet dhe integrim që na duhet ne, por në mendje kanë përmbysjen (jo rotacionin). Ata kanë dhe një problem tjetër: do të zgjedhin Parlamentin e ri Europian, në maj 2019. Pra, nuk kanë kohë të bëjnë operacione kozmetike në trupin e demokracisë tonë të brishtë. Ata ndryshojnë, kurse liderët shqiptarë nuk ikin, janë të njëjtët me role të ndryshuara, si në 1992, 1997 dhe në 2019.

Këta udhëheqësit tanë nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të thërrasin Franc Vranickin e rradhës, sa herë që i nxjerrin tymin vendit të tyre. Parlamenti Europian, i lodhur me përsëritjen e kësaj skene, po i dënon me zhdukje tre dinosaurët e vjetër. Në fillim e kanë radhën dy partitë e opozitës, më pas i vjen radha mazhorancës së Rilindjes, e cila do të mundet pa problem nga çdo opozitë e re, siç e pamë me studentët, përballë të cilëve humbën gjysmën e ministrave. Kjo opozitë e re, e studentëve, e intelektualëve dhe teknicienëve, e punonjësve, pensionistëve, e partisë ZGJIDHJA dhe partive të reja të pampleksura me mëkatet e këtij sistemi të korruptuar, do t’i japë grushtin përfundimtar kësaj qeverie. Rënia e kryeministrit dhe e kësaj qeverie do të jetë fitorja e rrepublikës mbi korrupsionin, rivendosja e të drejtës së votës së qytetarit mbi marrëveshjen e tri partive të vjetra.

Partia “Zgjidhja” i qëndron propozimit të saj se në këtë moment duhet qeveri gjithëpërfshirëse, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive të vjetra, me mision zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. “Trinia” është demaskuar e diskredituar plotësisht brenda vendit dhe ndërkombëtarisht.

SHKARKO APP