Përmendore në nderim të përkthyesve

 

Nga Skifter Këlliçi

Kur mora në duar veprën “Përkthimi, një histori pasioni”, të pr. dr. Eshref Ymerit, specialist i gjuhës ruse, përkthyes dhe publicist i shquar, ndërmenda librin e parë që kam lexuar më 1945 kur isha shtatëvjeç, me titull “Të mjerët”. Por mos pandehni se është fjala për romanin aq të njohur dhe të shumëvvëllishmëm të këtij shkrimtari të madh francez! Jo. Ai që lexoja unë, ishte një libërth, ilustruar me figura, ku poshtë titullit lexohej: “Përkthim nga Muharrem Pirdeni”, i cili ishte dhe mik i babait tim. Ishte pikërisht ai që ia kishte dhuruar atë për mua. Kur e pyeta babanë se ç’donte të thoshte fjala “përkthim” ai, si u mendua pak, m’u përgjigj: “Do të thotë… ja, kur një libër shkruar në gjuhë të huaj si ky , -dhe më tregoi një libër në italishte, që ndodhej në bibliotekën e shtëpisë, – të jepet në shqip, si ky libër…” Pas këtij libri që ishte përshtatje nga anglishtja për fëmijë e romanit të mësipërm, libri i dytë që lexova, ishte “Liza në botën e çudirave” edhe ai me figura që madje m’u dukën disi të çuditshme, sepse i tillë ishte dhe vetë romani, shkruar nga shkrimtari amerikan Ljuis Kerroll. Edhe ky përkthyer nga anglishtja.

 Mezi e kuptova, sepse m’u duk i vështirë, ngaqë ishte shkruar në të folmen e veriut. Tani e dija që edhe ky libër ishte”përkthim”, si dhe shumë libra të tjerë që lexova më pas, të gjithë përkthime nga gjuhë të huaja, deri sa nisa të lexoja dhe libra nga autorë shqiptarë, i pari ndër të cilët ishte vëllimi me tregime “Pika gjaku” i shkrimtarit Fatmir Gjata. Ndoshta u zgjata me këtë hyrje, por jo vetëm brezi im, por edhe brezat që erdhën, për të mos thënë dhe brezat e mëparshëm, u ushqyen dhe ushqehen krahas veprave të letërsisë shqiptare, edhe me vepra të përkthyera. Dhe ata që i kanë sjellë dhe i sjellin në shqipe janë ata që merren me përkthime, pra përkthyesit. , të cilëve pr. dr. Eshref Ymeri u kushton librin e tij më të ri, “Përkthimi, një histori pasioni” , fjalë që ngërthejnë edhe kuptime të tjera- histori krijuesish që me këmbëngulje të jashtëzakonshme, (për një pjesë të përkthyesve shqiptarë gjatë regjimit komunist, edhe në kushte shumë të vështira, madje edhe në varfëri të plotë), përcollën në gjuhën shqipe aq hijshëm, aq kumbueshëm dhe aq ëmblas, kryevepra të letërsisë botërore. Jo më kot në librin e tij Eshref Ymeri, për të sendërtuar më saktë punën kaq të ccmuar të përkthyesve, citon pr. dr. Remzi Osmanin, që nënvizon: “Kjo armatë përthyesish dhe krijuesish , pavarësisht nga përkatësia, dhe mënyra e angazhimit, shumë prej të cilëve nuk jetojnë më, janë heronj të heshtur të kulturës shqiptare dhe meritojnë mirënjohje dhe nderim , për veprën e cmuar dhe pasurinë që i kanë lënë trashgim bibliotëkës shqiptare. (Faqe 194) “Dhe ky përcaktim, si të ishte lajtmotiv, përshkon fund e krye në këtë vepër, e para histori kushtuar përkthimit dhe përkthyesve në letërsinë tonë, që nis me Buzukun, Bardhin, Bogdanin, për të shkuar te Kristoforidhi, Fan Noli, te përkthyesit e veprave të letërsisë antike, Frano Alkaj, Gjon Shllaku, Mark Dema, Mitrush Kuteli , Nikollë Dakaj, Pashko Gjeci …dhe shumë të tjerë , emrat e të cilëve lexuesi do t’i gjejë të cituar nga autori, por edhe nga në mbresat që po rendis në këtë shkrim, disa nga të cilët që citohen në libër, kam pasur edhe unë rast të njoh nga afër.

Nuk harroj një ditë shkurti të vitit 1962, kur u njoha për herë parë me shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur Vedat Kokona. Dhe mora prej tij një tufë poezish të shkruara nga poetë revolucionarë, për të mbushur minutat e rubrikave letrare të Radio Tiranës ku punoja, poezi të dobëta, të cilat, ai i kishte përkthyer, se ashtu e donte koha, gjithsesi me seriozitetin e një profesionisti, ashtu siç kishte përkthyer dhe do të përkthente kryevepra të Korneit, Rasinit, Volterit, Balzakut, nga letërsia franceze, të Shekspirit, Dikensit, nga letërsia angleze dhe të Tolstoit, Pushkinit, Lermontovit nga letërsia ruse. Kam njohur nga afër Petro Zhejin, ai që vazhdoi me aq guxim dhe aq mjeshtri rrugën për përkthimin e vëllimit të dytë të “Don Kishotit” të Servantesit dhe madje kam shkruar për nivelin e përkryer të këtij vëllimi analizën “Don Kishoti i Zhejit i denjë për Don Kishotin e Fant Nolit”, (2005). Ishte ai që më thoshte se me përkthimin e tragjedive të Shekspirit dhe romanit “Don Kishoti”, Fan Noli, (krahas Faik Konicës me krijimet e tij dhe përkthimet e tij), qysh në dy dekadat e para të shekullit të kaluar i dhanë një hov të jashtëzakonshëm prozës letrare shqiptare.

Kam pasur shokë të ngushtë bashkëmoshatarë dy përkthyesit e talentuar, Perikli Jorgoni dhe Jorgo Bllaci, të njohur për përkthime të poetëve klasikë rusë, anglezë francezë. Kam njohur dhe kam pasur mik të ngushtë Jusuf Vrionin, madje që ditët e para kur sapo kishte dalë nga burgu, kur si zuri të luante tenis, pasionin e tij rinor, së bashku me vëllanë tim në tim, Luanin, kampion.  Më 1964, kur sapo lexoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ai më tha se dëshironte ta takonte Kadarenë që nuk e njihte, dhe t’i propozonte ta përkthente atë në frengjisht. Dhe ashtu ndodhi. Pa Vrionin, Kadareja do të njihej të paktën 10 vjet më vonë, sepse deri atëherë nuk kishte francezë që të njihnin frëngjishten. (Shumë vite më pas Vrioni lexoi edhe romanin tim, ”Atentat në Paris” të cilin e pëlqeu, por e kuptoja që dic ngurronte të më shprehte- që ai roman kishte politizime, që nuk do të pranoheshin nga lexuesit francezë. Ndoshta, po të ishte gjallë, do të lexonte variantin e dytë, të ripunur të këtij roman, të botuar më 2011 dhe mbase mund të ndërmerrte ta përkthente). Kam njohur nga afër dhe Sotir Cacin, që, edhe pse nga frëngjishtja, bëri të flasë shqip shkrimtarin e madh rus, Shollohov. Dhe krenohej, se e kishte e arritur këtë, sepse ishte me origjinë nga fshatrat e Kolonjës dhe ruante me fanatizëm të folmen e atyre anëve.

 Kam njohur veçanërisht Robert Shvarcin, përkthyesin e disa prej veprave të Remarkut, sidomos “Tre shokët”, që u bë aq e dashur për ne, të rinjtë e viteve ’60-të, i cili së bashku me mua punoi për disa vite përkthyes në në Radio Tiranën e Jashtme, dhe detyrohej të përkthente, ashtu siç përshkruhet në libër, në një tryezë të vendosur në një qoshe të ngushtë korridori. Kam njohur në Shtëpinë botuese ” 8 Nëntori” shkrimtarin dhe përkthyesin e talentuar, Edmond Tupja, kur endej për disa minuta korridoreve, sa për t’u shlodhur për pak çaste e pastaj për t’iu futur përkthimit të “veprave” të diktatorit Enver Hoxha. Dhe kur një ditë i thashë se do të vinte një ditë që ai të përkthente si Jusuf Vrioni vepra të shkrimtarëve shqiptarë nga frengjishtja në shqipe, ai ngurroi të më përgjigjej. ”Vrioni është i paarritshëm”, – m’u përgjigj pastaj. Megjithatë, qysh në fillim të viteve ’90- arriti të përkthente në frëngjisht shkrimtarin tonë të talentuar, Fatos Kongoli.

 Për të gjithë këta, si dhe për përkthyesit tanë më të mirë të të gjitha kohrave, shkruan me shumë dashuri dhe respekt Eshref Ymeri në librin e tij “Përkthimi, një histori pasioni” që paraprihet nga një parathënie shumë profesionale e shkrimtares dhe përkthyeses, tashmë së njohur, Mira Meksi.   Eshref Ymeri ka meritën se e ka ndërtuar veprën e tij në mënyrë të tillë që të bëhet sa më tërheqëse për lexuesit. Pasi bën një histori të shkurtër të zanafillës së përkthimit që në Greqinë dhe Romën e lashtë, ai në kapitujt e tjerë të librit të tij trajton probleme që lidhen me pikëpamjet e ndryshme të shkollave të përkthimit, me vecori të përkthimit të prozës jo artistike, politike dhe filozofike. Por më gjatë ndalet në vecoritë e përkthimit të veprave artistike në prozë dhe poezi, të cilat i ilustron ne citime nga përkthtyes dhe teoricienë të fushës së përkthimit në shekuhe nga shumë vende të botës, ku nënvizohet fakti se përkthimi është krijimtari e cila kërkon talent të rrallë të përkthyesit në aftësitë e të shkruarit në shqipe, bazuar në njohjen e thellë së pari të gjuhës amëtare dhe natyrisht të gjuhës nga përkthen, pa cënuar kurrsesi stilin e autorit. Ky libër bëhet kështu dhe një udhërrëfyes shumë i mirë për përkthyesit e rinj, por edhe për pedagogët e lëndës së përkthimit në universitet tona, sic vë në dukje dhe Mira Meksi në parathënien e saj, që merr përmasat e një enciklopedie.

 Meritë tjetër e autorit është se ai e ka ndërtuar veprën pak a shumë në formë dialogu midis tij dhe shumë përkthyesve që rrëfejnë kujtimet tyre, veçanërisht rreth punës në institucionin ku kanë punuar, në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, në ATSH, Radio Tirana. (Të dhëna për përkthyesi e kësaj të fundit, i bazuar në librin tim “Historia e Radiotelevizionit Shqiptar, ( 1938-1990) ia dhashë me kënaqësi autorit, për t’i renditur në këtë libër). Të mbeten vecanërisht në mendje kujtimet e përkthyesve në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, ku del në pah puna skëterore e tyre për përkthimin e mijëra faqeve të vepravëe të diktatorit Enver Hoxha, të cilat në më të shumtën e rasteve përfundonin në koshat e plehrave të “atyre miqve” që u dhuroheshin, kryesisht nga punonjësit e ambasadave tona kudo në botë.

 Në mbyllje, për të të dëshmuar kotësinë e botimit të këtyre veprave, po sjell një shembull nga ky libër, ku përkthyesi Myfit Mushi, kryetar i një delegacioni që u takua me Mao Ce Dunin në selinë e vet në Shanghai, më 1967, tregon se kur Maoja mori vesh prej tij se në Shqipëri do të përktheheshin citate të zgjedhura nga veprat e tij, madje në 100 mijë kopje, iu përgjgj:”C’ju duhen juve citatet e mia? C’vlerë mund të kenë për popullin shqiptar citatet të cilat bazohen në jetën, praktikën dhe kushtet e Kinës?Për ju ato nuk kanë asnjë vlerë. ( faqe 405)  Duke u shprehur kështu, udhëheëqësi i madh popullit kinez, sikur donte të thoshte se edhe veprat e Enver Hoxhës nuk kishin asnjë vlerë, për të dy popujt…  Sikur nënkuptonte një të vërtetë të madhe dhe shumë të hidhur.

SHKARKO APP