Përse shqiptarëve po u ikën nga zemra vetë Shqipëria?

Nga Zija Çela –

Në këtë pisk vape, mos më pyesni për shkretëtirën, as për sfinksat, pasi nuk ka nevojë t’i huazojmë, ata vetë i krijojmë. Pastaj vuajmë me vite të tëra, duke pritur derisa të bien nga superpesha e tyre. Ju kujtohet besoj, njëherë pritem 45 vjet.

Për shkak të rrezikut nga stuhia e rërës, e cila mund të përhapet rreth e qark, territore të tilla zakonisht mbahen nën mbikëqyrje, duke ushtruar presion në kahën e kundërt të erës. Pra, në njëfarë kuptimi, mbahen në karantinë ose, shqip fare, lihen vetëm. E atëherë nxehet debati për shpresën e humbur dhe përsëritet pyetja përse shqiptarët emigrojnë kaq pasivisht, c’është kjo psikozë?!

Ne patjetër kemi edhe shkaqe krejt të mëvetësishme, të veçantat “made in Albania”. Megjithatë, neuroza e humbjes së të ardhmes sot është një sëmundje e përhapur gjerësisht. Ne këtë rënie shpirtërore e morale, si një rrjedhje e vazhdueshme e globit, nganjëherë duket sikur njerëzimit nuk i ka mbetur tjetër përveç solidaritetit. Një solidaritet disi i dyshimtë, jo aq për t’u shëruar bashke, sesa për t’u dekompozuar bashkë. Në rrethana të tilla të ikën truri, nëse mendon çfarë roli luajnë politikanët në këtë dekompozim!

Prandaj pyetja për migrimin masiv merr gjithfarë përgjigjesh gjatë debatit. Sepse është e dhimbshme kur sheh shqiptarët të ikin nga Shqipëria. Por edhe më e dhimbshme është dilema: Përse shqiptarëve po u ikën nga zemra vetë Shqipëria?

SHKARKO APP