Përsëri studentët

Nga Gëzim Hoxha –
Ka ditë që studentët vazhdojnë të protestojnë. Ka ditë që ata kanë zaptuar sheshin para Ministrisë së Arsimit. Ka ditë që ata kanë bojkotuar auditorët e fakulteteve të ndryshme. Po, ka ditë që ata i thonë jo ndërhyrjeve të ndryshme politike dhe ftesës për dialog.
Përsëri studentët. Përsëri iu takoj atyre ta shkundin përgjumjen e një populli të tërë të shkaktuar nga tamtamet e një klase politike që mesa duket nuk ka ç’të japë më. Po e vërtetë, se sikur të kishin për të dhënë do e kishin dhënë, në kuptimin që do e bënin më të mirë jetën e këtij populli.
Protesta e nisur nga një shkak tërësisht banal që sipas ministres, e cila u shpreh në emisionin Java në TVSH, për mungesë informimi nga rektori i universitetit politeknik të Tiranës u kthye në diçka shumë më të madhe. Kuptohet studentët kanë parashtruar kërkesa ekonomike sepse atyre nuk iu intereson fare lufta politike e zhvilluar nga opozita. Dhe si pa kuptuar vendi ndodhet para diçkaje me të vërtetë të madhe. Të premten Preç Zogaj e krahasoj me Dhjetorin e viteve ’90. Ai tha se kërkesave të studentëve iu mungon kërkesa me numër 4, ajo për pluralizmin politik. Ai hodhi dhe idenë se ata do të bënin mirë për të kërkuar rithemelim e tij.
Në fakt studentët janë shumë më të zgjuar se sa mund ta imagjinoj çdo njëri prej analistëve që mbushin panelet e emisioneve politike. E them këtë se ata edhe pse nuk kanë mundur ta artikulojnë akoma, e ndjejnë se u duhet diçka krejt tjetër. Diçka që askujt prej analistëve nuk iu shkon ndër mend. E ç’iu duhet rithemelimi i pluralizmit politik studentëve! Apo për të hequr një kastë dhe për ta zëvendësuar atë me një tjetër? Jo! Ata janë shumë më të mençur nga ç’e imagjinoni ju të gjithë.
E pra, përsëri studentët. Pikërisht ata morën barrën e rëndë mbi supe për t’iu treguar të gjithëve se duhet ta kërkosh të drejtën tënde, duhet të vrasësh frikën se mund të humbasësh vendin e punës po u ngrite, duhet të mos kesh frikë kur e di se ke të drejtën me vete. Sepse në fundit të fundit e drejta nuk është mall që shitet e blihet, ajo jepet në çastin që ti del nga barku i nënës dhe sheh dritën e diellit.
Po le të kthehemi edhe një herë tek kërkesat e tyre. Asnjëra prej tyre nuk është politike. Ato janë vetëm ekonomike. Dhe nëse ti kërkon diçka, e kërkon sepse nuk e ke. Për mua është shumë domethënës ky fakt. Kemi vetëm kërkesa ekonomike. Pra ata vuajnë mungesën e kushteve nëpër konvikte, ankohen se tarifat janë të larta, ankohen nga pegagogët e korruptuar dhe në fund iu dhimbsen edhe prindërit që vuajnë shtrëngesën ekonomike për arsimimin e tyre. Në një kohë që e drejta për tu arsimuar është sanksionuar në kushtetutë. Asnjë nuk e mohon këtë të drejtë, por qeveria thotë se ai kushton dhe se dikush duhet ta paguajë atë. Por edhe sikur të ndjekim parimet e ekonomisë së tregut, përsëri do të thoshim se arsimi është një e mirë që mund të sigurohet vetëm nga shteti pasi privati e racionon këtë të drejtë përmes tarifave që përfshijnë jo vetëm koston por edhe fitimin. Pastaj pse duhet shteti në një ekonomi tregu, duhet për të shpërndarë të ardhurat. Pra sido që ta marrësh i takon shtetit që ta sigurojë arsimimin e shtetasve të tij.
Duhet thënë se ky shekull me lulëzimin e rrjeteve sociale solli edhe dëshirën për të ëndërruar. Po, pse çuditeni. A nuk përballemi në çdo çast të ditës me çfarëdo realitetesh apo grimcash jete nga jeta e njerëzve nga më të ndryshëm. A nuk shohim dhe përcjellim çdo çast nëpër to lloj – lloj historish suksesi, a nuk na japim rëndom receta suksesi ekpertët e tij, a nuk na japin pa fund këshilla financiare ekspertët e kësaj fushe se si mund të merremi dhe mund të zhvillojmë me sukses një projekt i cili mund të konvertohet më vonë në një biznes fitimprurës? E pra mund të thuhet me plot gojën se ëndrra e përbashkët e humanëve në këtë dekadë është t’ia dalin mbanë. Kjo sipas rastit mund të përkthehet në mënyra të ndryshme për secilin prej nesh. Dikush do një punë të mirë, një tjetër do një shtëpi më të madhe dhe pse jo edhe më të bukur, a një makinë më të shtrenjtë. Për një tjetër t’ia dalësh mbanë do të thotë të bëhesh i njohur dhe të influencosh masat.
T’ia dalësh mbanë do të thotë edhe të kesh mundësi të blesh produktet që reklamohen në faqe të caktuara interneti. Sa herë kemi thënë me vete: ‘Ah sikur të kisha pará ta bllija këtë!’ Ju a them unë: me mijëra. Dhe modele suksesi ka sa të duash, nga miliionerë a miliarderë e deri tek njerëz të thjeshtë që ia kanë dalë të sigurojnë një nivel të caktuar mirëqënieje. Kjo gjë në një farë soje i ka bërë të gjithë të ëndërrojnë për gjëra që ndoshta nuk do t’i kenë kurrë.
E gjithë kjo lidhet me diçka që të gjithë e ndjejnë se u mungon, me LIRINË EKONOMIKE. A jeni njësoj të lirë ekonomikisht kur iu vihet një taksë e re? Ose, a e ruani dot të njëjtin nivel mirëqënie në një kohë që ju rritet kostoja e jetës? Ja pse u ngritën dhe jelek – verdhët në Francë. Ata e kuptojnë edhe pse nuk e artikulojnë dot për momentin se nuk janë të lirë ekonomikisht. A dëgjuat gjë që ata të kërkonin diçka politike? Jo, dhe as keni për ta dëgjuar ndonjëherë sepse njerëzit janë të lodhur nga politika. Po, edhe në Francë. E njëjta gjë vlen edhe për solidarizuesit e tyre në Belgjikë dhe në Hollandë.
Dhe kur ngrihen në Francë vetëm e vetëm se çmimi i naftës rritet me disa cent, unë nuk shoh asnjë arsye pse të mos ngrihen në këmbë edhe shqiptarët. Veç se në dallim me francezët, ne kemi një veçori, si shqiptarë ne jemi shumë të dhënë pas politikës. Ka një paradoks në këtë mes. Nëse në na intereson shumë politika, asaj nuk iu interesojmë aspak ne të cilët ajo përfaqëson. Ka kohë që politika e sheh popullin me tejqyrë që nga maja e Olimpit.
Dhe ja pse them se ndodhemi para diçkaje me të vërtetë të madhe, ose të paktën në fillimin e saj. Në mënyrë simbolike gjithçka për realitetin tonë nisi në Kukës. Djegia e kabinave nga do vileshin taksat e rrugës së kombit qe me të vërtetë fillimi i diçkaje të vogël që koha tregoi se do përsëritej nga studentët në këtë Dhjetor. Sidomos në Shqipëri njerëzit përballen ditë për ditë me mungesën e lirisë ekonomike. Kjo shkaktohet nga një varësi e tejskajshme që ata kanë nga paraja. Kjo ka çuar në rritjen marramendëse të kostos së jetesës. Për ta kuptuar këtë që po them mund të përmend ujin që çdo familje e blen dy herë (një herë nga ujësjellësi dhe një herë nëpër dyqane), rritjen e tarifave të energjisë elektrike, kostot e larta të telefonisë (të cilat autoriteti përkatës rregullues mundi më në fund të ndërhyjë për uljen e kostos me shumicë të impulsive), kostot e larta të transportit e veçanërisht atij ajror, rritjen e kostos së autostradës Tiranë – Elbasan me mëse 100 milion euro, apo dhe abuzimet prej mëse 1 miliard lekësh të denoncuara nga KLSH – ja. Nuk e di nëse duhet të përmend sigurinë e produkteve ushqimore, betonizimin e qyteteve dhe ndotjen e mjedisit pasi këto ndikojnë indirekt në rritjen e kostos së jetesës pasi shkaktojnë probleme me shëndetin e njerëzve.
Të gjithë analistët thonë se revolta e studentëve është e shëndetshme dhe i bën mirë shoqërisë. Sido që të ndodhë, shqiptarët në fund të fundit do të bëhen më të përgjegjshëm për fatin e tyre. Për mua studentët kanë hapur një kapitull të ri, atë të ndërgjegjësimit. Po. Dhe ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt lirisë ekonomike. E përsëris ky shekull nuk kërkon fjalë, njerëzit po përballen me rritje kërkesash dhe nevoja të reja të cilat janë pjella të marketingut. E për t’i plotësuar ato kërkohen gjithmonë e më tepër pará. Më tej do të vijë (nuk e di se kur!!!) lodhja e njerëzve prej parasë dhe pjellave të tij dhe kur të mbërrijmë atje, atherë do të jetë fundi i diçkaje. Atherë njerëzit do ta braktisin një herë e përgjithmonë atë (paranë) dhe do të ndihen me të vërtetë të lirë.

SHKARKO APP