“Po më sulmon se jam nga Tropoja”, plas keq mes Çekajt dhe Kondilit: Dua prokuror nga Serbia

Ka nisur me debate seanca gjyqësore për Arbër Çekajn në Gjykatën Speciale Kundër Korrupsionit. I pandehuri Çekaj e ka nisur me përplasje dhe akuza seancën për prokurorin Edvin Kondili, që sipas tij po e sulmon në mënyrë personale, vetëm prej faktit se ai është nga Tropoja.

“Nuk vazhdoj më me prokurorin Kondili, ai e ka personale me mua.

Unë jam proceduar vetëm për shkak të mbiemrit. Prokurori Kondili ka manipuluar provat dhe ka përhapur lajme të pavërteta.

Jam në burg se jam nga Tropoja, i cili nuk i pëlqen prokurorit. Unë nuk dua ta lëndojë as prokurorinë dhe as familjen e tij.

Ka nxjerrë të dhëna të tjera që kanë rrezikuar jetën e familjarëve të mi, unë nuk do e bëja për familjen e prokurorit.

Kondili ka kaluar në kurrizin tim vettingun, është bërë vip dhe është sot në SPAK”, është shprehur Çekaj në seancë.

Ndërkohë që Çekaj ka ngritur dhe një padi në drejtim të Kondilit, për të cilin kërkon që të përjashtohet nga çështja.

‘’Kërkojmë që Kondili të pezullohet derisa të ketë një vendim nga KLP, me shkresën që kemi dërguar”, është shprehur më tej Çekaj.

Ndërkohë që nuk ka vonuar as reagimi i prokurorit Kondili, i cili është shprehur se kërcënimet nuk e frikësojnë.

“Kërcënimet e tua të fshehta nuk t’i këshilloj dhe nuk më frikësojnë”, është përgjigjur Kondili, ndërkohë që nuk ka munguar as ironia e Çekajt, i cili ka kërkuar jo me pak ironi që të merret një prokuror nga Serbia, në rast se nuk gjendet në vendin tonë.

“Kërkoj pezullimin, nëse nuk ka një prokuror tjetër, të bëhet si në Champions League, të merret një prokuror nga jashtë, në Serbi për shembull, meqë kemi dhe marrëdhënie të mira. Do vij e drejta ime në mënyrë ligjore, unë nuk e di se çfarë ka prokurori Kondili me mbiemrin Kuliçaj”, ka deklaruar më tej Çekaj.

Ndërkohë, avoktët e të tre të dyshuave kanë kërkuar shuarjen e masës së sigurisë, duke iu referuar Kodit të Proçedurës Penale, për shkak të ndryshimit të statusit të gjykatës në datën 19 dhjetor nga Gjykata për Krime të Rënda në Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

SHKARKO APP