“Po na sjell koronavirusin”, infermierja italiane gjen një letër të çuditshme në kutinë postare

Një infermiere italiane ndonëse përballet çdo ditë me një situatë të vështirë në punën që bën, së fundmi ka marrë edhe një goditje më të fortë.

Teksa është kthyer nga puna, në kutinë postare të saj ka gjetur një letër të cilën ja kishin vendosur fqinjët.

“Faleminderit për koronavirusin që na sjell te dera çdo ditë. Ta dish që këtu ka të moshuar dhe fëmijë. Faleminderit!”, -shkruhej në letër.

Për mediat italiane, infermierja ka treguar se kjo ishte një thikë pas shpine për të, pasi ajo as nuk e mendon që të kthehet në rrezik për banorët e lagjes.

“Kur e lexova ishte si një thikë në shpinë, u ndjeva e tradhtuar, e frikësuar, por nuk u zëmërova me ta” mësohet të ketë thënë ajo.

Më pas infermierja ka denoncuar rastin dhe Kryetari i Lucca, Alessandro Tambellini, shprehu solidaritetin dhe mirënjohjen e tij ndaj infermieres.

“Nuk ka asnjë arsye që mund të justifikojë një gjest të tillë të papërgjegjshëm. Për ata që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për jetën e të tjerëve, thjesht duhet të themi faleminderit, ky është i vetmi mesazh që Damiana Barsotti, infermierja e departamentit të sëmundjeve infektive San Luca, e cila mes njerëzve të tjerë u kujdes edhe për mua kur isha në spital, do të meritonte ta gjente në kutinë e postës”, tha ai.

Italia është duke u përmirësuar ndjeshëm, megjithatë numri i viktimave vazhdon sërish të jetë i lartë.

SHKARKO APP