Po të kishte disa Erion Veliaj, Shqipëria do kishte fytyrë tjetër

Nga Prof.Dr.Ago Nezha –

Individët thotë Sartri, janë të ndryshëm në gjithçka: “në shëndet, jetëgjatësi, bukuri, inteligjencë, talent, aftësi joshëse, shije, parapëlqime, e plot të tjera”. Në hapësirën e “plot të tjera”, do të fusja karakterin, patriotizmin, traditën, sjelljen, dashurinë për punën dhe për njerëzit. Tërësia e këtyre cilësive krijojnë individualitete të dallueshme që janë produkt i arsyes njerëzore dhe që kanë të bëjnë me vlerësimet subjektive të sovranitetit njerëzor. Të gjitha normat etike dhe estetike kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërnjerëzore, në një shoqëri të kushtëzuar nga zhvillimet historike sociale dhe politike. Për të folur për një njeri, qoftë ky edhe lider, brenda qenies së tij me të mirat dhe të këqijat që mbart, nuk është thjesht një çështje preferenciale e individit, por edhe një dukuri e vlerësim shoqëror.

Sigurisht që nuk mund të ketë barazi mendimesh. Në vorbullën e mendimeve të lira, duhet të ketë një notë përgjegjshmërie, që buron në moralin kombëtar të shoqërisë që po themelojmë. Për të arritur te një barazi morale për këdo, nevojiten të mbledhim bashkë barazitë e veçanta dhe të pjesshme nëpërmjet ribalancimit me më të mirët e pabarazisë. Në ekranin e tregut mediatik, në kuadrin e zgjedhjeve vendore po riciklohet figura e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, megjithfarë llojesh vlerësimesh dhe atributesh, me nota dhe ngjyra që pasqyrojnë kolorin e politikës shqiptare. Ky zjarr është ndezur me shkrepësen e çmimit të opinioneve që e vlerësojnë ndër “kryebashkiakët më të mirë të botës”, që për një kategori shoqërore është lajm i gëzueshëm krenarie, ndërsa për një tjetër është lajm i zemërueshëm trishtimi. “Fakti, që e vërteta të vlejë më shumë se dukja, – thotë Niçja – nuk është gjë tjetër veçse një paragjykim moral, madje është kundërshtimi më i keq i shfaqur që ndodh në botë”.

Te njerëzit tanë bashkëjetojnë dy rryma të kundërta që ecin paralel në moralin e demokracisë. Në njërën anë është entuziazmi i virtytshëm dhe në anën tjetër, tifozeria e instikteve të shfrenuara amorale. Lind një kundërshti thelbësore ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtrës. Në nivele të ndryshme të dukjes pse dallojmë vetëm hijen tonë bardh e zi, ku ka edhe nuanca të çelura, gri, sipas gjuhës së piktorëve? Njëri prej të cilëve është edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Raporti i ndjenjave të njerëzve të emancipuar në një shoqëri demokratike duhet të jetë i tillë, ku dashuria njerëzore duhet të sundojë partishmërinë e sëmurë të shoqëruar me përbuzjes dhe përçmimin shoqëror. Vlerësimi dhe dashuria për të mirën duhet të ekzistojnë dhe t’u dhurohet atyre njerëzve që bëjnë vepra për shoqërinë në tërësi, apo një komunitet të caktuar në veçanti. Një i tillë që meriton pa asnjë ngjyrim politik është Erion Veliaj. Kontributet e tij s’kanë qenë për copëza e parcela të veçanta, po në një rrafsh më të gjerë.

Qysh kur ka ardhur në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ka qenë tribun i mendimit demokratik. Me punën dhe qëndrimin e tij parimor është në avangardën e Partisë Socialiste. Unë do ta quaja fatlumturin e kryeqytetit që erdhi në postin e kryetarit të Bashkisë, që s’ka të krahasuar me asnjë nga paraardhësit e opozitës. Por jo vetëm unë, por ka edhe shumë miq të mitë të djathtë që ma kanë shprehur konsideratën e lartë për kryebashkiakun vizionar, punëtorin e palodhur, njeriun që flet me vepra, duke ja ndryshuar fytyrën qytetit në të gjitha lagjet e Tiranës. Lufta midis dy kampeve e majtë e djathtë është normale për të zgjedhur kandidatët më potencial dhe më të përshtatshëm për atë pozicion. Por më e helmatisura është lufta brenda llojit që buron nga xhelozia dhe makutëria për të qenë në krye të pushtetit për përfitime personale. Njeriu s’del dot jashtë natyrës së tij. Mençurisht e shprehu një miku im intelektual i Partisë Demokratike dhe bashkëkrahinor i Bashës, që më tha se Basha u harrua, se nuk u kurorëzua për asnjë vepër në krye të Bashkisë. Kur e pyeta po sikur të vijë Basha në krye të qeverisë që pretendon e proteston prej muajsh për të ardhur në pushtet, si përfaqësues i partisë suaj?! Ai mu përgjigj: Do dëgjonim fjalime patetike të një kryeministri që kërkon karrige, me thirrje e sharje publike.

Të pranosh të vërtetën është mençuri. Të pranosh jo të vërtetën për hir të konformizmit politik do të thotë t’i kundërvihesh dhe të tradhtosh me ndërgjegje ndjenjat dhe arsyen logjike. Realiteti është i prekshëm. Me punën e tij të dallueshme Erion Veliaj po tregon dita-ditës se po të jesh i pajisur me ide të qarta, me sedër profesionale, me ambicie për vendin dhe qytetin tënd, i dashuruar pas të përparuarës vendase dhe atë botërore, mund t’ia ndryshosh fytyrën një vendi. Ne që shkelin përditë Tiranën, e para katër vjetëve kemi harruar se aty ku ngriheshin malet me plehra, ku balta dhe pluburi ishte kozmetika e përditshme, ku po të ecje trotuareve thyeje këmbët, ku nëpër lagje doje çizme të dilje nga shtëpia …dilje nga shtëpia, sot janë ngritur pallate ecën në trotuare të shtruara, ka kënde lodrash, lulishte e parqe çlodhëse, me drita llamburitëse, që e hijeshojnë bukur Tiranën dhe që ka marrë fytyrën e një qyteti europian. Dhe gjithë kjo punë, këto ndryshime janë bërë në breshërinë e opinioneve dhe sulmeve të opozitës , për tu frenuar, penguar, denigruar dhe sakrifikuar, vetëm e vetëm se i përkiste një qeverisje të majtë. Kujtoni odisenë e protestave banale të opozitës në disa fronte, duke filluar tek parku i lodrave te Liqeni, a thua ti se aty do loznin të majtët, të rikonstruksionit të Pazarit të Ri, të sheshit Skënderbej, te shumë ndërhyrjeve në disa lagje të qytetit, etj, që është ndeshur me pengesa por falë këmbënguljes, vullnetit dhe dëshirës për t’ia ndryshuar pamjen qytetit, ai ka dalë fitimtarë mbi kundërshtarët. Tirana dhe gjithë Shqipëria s’është pronë, as e të majtëve, as e të djathtëve, por e gjithë shqiptarëve, që kanë gjak shqiptari, që duan të zbukurojnë e të lulëzojnë vendin e tyre. Te neve shfaqet një fenomen shoqëror shqiptar nihilizmi ndaj së bukurës, cinizmi, ligësia, egoizmi, papërgjegjshmëria që janë tipare jo vetëm të injorantëve, të indoktrinuarëve, të adoleshentëve politikë, politikanëve të kundërt por edhe të disa intelektualëve ose pseudo-intelektualëve-mjeranë. Ajo që duhet të na shqetësoj është se siç thotë Josh Billings: Shqetësimi nuk është se njerëzit janë të paditur, por se shumë pandehin se nuk janë të tillë . Rikandidimi për kryetar Bashkie i Erion Veliajt është një fat edhe një privilegj për qytetarët e Tiranës. Ka ardhur koha që secili të mendoj për fatet e tija dhe të familjes, që ne duam mirëqenie që nuk ushqehemi më me ideologjinë e partisë ku aderojmë por me zhvillimet që ndodhin në mjediset ku jetojmë. Sikur Shqipëria të kishte në krye të bashkive të vendit, disa Erion Velia Shqipëria do kishte fytyrë tjetër, me profil të theksuar demokratik e perëndimor. Paraardhësit e tij e kanë mbushur Tiranën me rrugë, sheshe e monumente tradhtarësh, duke lënë mënjanë patriotët e çlirimtarët. Është në turpin e këtij vendi të klasës politike 30 vjeçare që themeluesi i shtetit shqiptar, plaku i mençur Ismail Qemali nuk ka një shesh në emrin e tij në kryeqytet, ku të ngrihet një monument madhështor për këtë personalitet të pakrahasueshëm me askënd tjetër në historinë e Shqipërisë . Në mandatin e dytë Erion Velia duhet të tregoj edhe gjenin lab se historia përjetësohet me figurat ndritura të kombit kur lavdinë e tyre e derdhim në statuja e monumente madhështore, që prekin syrin dhe ndërgjegjen e njerëzve. Tirana është e ç’veshur nga prezenca e përjetësimit të njerëzve të shquar që kanë bërë histori jo vetëm në lëmin e patriotizmit por edhe në fushën e artit, kulturës dhe shkencës. Veliaj modelin e eksperiencës e ka tek fqinji ynë Maqedonia Veriore që i ka mbushur sheshet me monumente e statuja të njerëzve të shquar të kombit. Është koha të luftojmë me ndërgjegje brenda vetes sonë dhe të reflektojmë pozitivisht. Jemi para dilemës se kur do arrijnë të duan të mirën para së keqes, të bukurën para të shëmtuarës, të përparuarën para të prapambeturës, patriotizmin para tradhtisë, para thumbimit të arrëzës, mjaltin e bletës. Kur të çlirohemi nga këto komplekse, kur të ç’veshim dhe hedhim poshtë pelerinën e varfërisë shpirtërore e mendore, vetëm atëherë do emancipohemi dhe do të bëhemi qytetarë të Europës.

SHKARKO APP