Pogradec, familja me 5 anëtarë jeton me 50 mijë lekë të vjetra në muaj

Mjerimi i tejskajshëm dhe bashkëjetesa me sëmundjen e kryefamiljarit janë drama e përditshme e familje Basholli nga qyteti i Pogradecit.

Kushtet ekonomike në familjen 5 anëtarëshe e detyronin kryefamiljarin Ilirjan Bashollin të emigronte në Greqi.

Por bota e familjes u përmbys në vitin 2019 kur burri pësoi paralizë dhe hyri në koma.

“Ka 13 muaj dhe për mua është jeta shumë e vështirë se as punë nuk mund të fillojë se duhet të rri me të 24 orë. Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë.”

Prej asaj kohë asgjë më nuk ishte normale!

“Më pengon shumë puna se s’mund t’ia lë edhe vajzës 14-vjeçe.”

Ilirjani nuk mund të lëvizte, nuk mund të fliste, por mund të ndjente gjithçka.

I rikthyer mes mjerimit, por tani me një plagë më të madhe, Ilirjani qanë nga pamundësia jo vetëm për të ndryshuar gjendjen, por tashmë edhe për të folur.

Bashkëshortja Mirela kujdeset për 45 vjeçarin si të ishte një fëmijë midis aparaturave të shumta dhe tubove të cilat e mbajnë në jetë.

E shoqja qëndron pranë tij natë e ditë pasi shëndeti i tij mund të përkeqësohet dhe kjo e ka penguar të gjejë një punë për të jetuar.

Ndihma sociale e kësaj familje është 50 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që duhet paguar qiraja prej 40 mijë lekësh dhe shkollimi i vajzave të moshave 14, 12 dhe 9 vjeç.

Prej 6 muajsh bashkëshortja e Ilirjanit ka dorëzuar dokumentet për pension invaliditeti por ende nuk e ka përfituar.

Shërimi i kryefamiljarit është pothuajse i pamundur ndërkohë familja bën apel për ndihmë nga institucionet apo edhe njerëz me zemër të madhe për tu zbehur disi dhimbjen që ka pllakosur familjen e tyre. /Ora News

Ora News - Pogradec, familja me 5 anëtarë jeton me 50 mijë lekë të vjetra në muaj

SHKARKO APP