Politikani shqiptar dhe këngëtari nga Kosova bëhen bashkë: Shembull për të gjithë artistët e rinj që duan të jenë të pranuar
Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama është takuar me këngëtarin e njohur të trevave shqiptare Sabri Fejzullahun. Për këtë takim ka rrëfyer vetë Luan Rama, i cili ka postuar edhe një foto me artistin e njohur dhe shumë të dashur, duke mos i kursyer vlerësimet për jetën artistike të Sabri Fejzullahut.
Ai shkruan se cilësitë e tij e bëjnë një shembull për të gjithë artistët e rinj që duan të jenë të pranuar, të suksesshëm dhe jetëgjatë në skenë e për publikun shqiptar.
“ME SABRIUN E KËNGËS…
I lumtur dhe i privilegjuar që këtë fundjavë isha mik familjarisht në shtëpinë e Sabri Fejzullahut, përfaqësuesit dinjitoz të brezit të artë të këngëtarëve shqiptarë të Kosovës prej mesviteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar e këndej, që për gati 55 vjet, vazhdon të na falë me gjithë shpirt këngët e tij të zemrës, duke qenë ndër ne modeli i artistit qytetar dhe këngëtarit që meriton dashurinë e popullit!
Interpretimi i tij gjithë pathos, korrektesa artistike shembullore, etika e komunikimit skenik dhe artikulimi gjuhësor i çdo fjale e tingulli të tekstit të këngës me një dashuri të veçantë për gjuhën shqipe, e bëjnë Sabri Fejzullahun jo vetëm të pranuar, të pëlqyer dhe të dashur në të gjithë hapësirën shqiptare prej Veriut në Jug e gjithkund tjetër ku jetojnë shqiptarët, por edhe një shembull për të gjithë artistët e rinj që duan të jenë të pranuar, të suksesshëm dhe jetëgjatë në skenë e për publikun shqiptar”, shkruan Luan Rama.