Portreti i shqiptarit në muralin gjigant në Nju Jork

Artisti i famshëm i grafiteve të rrugës, braziliani Eduardo Kobra ka realizuar një mural gjigant në Nju Jork të SHBA-së, ku përfshihen portretet e pesë emigrantëve dhe titullohet: “Murali Më i Madh në New York City”.

Për këtë vepër, artisti ka përzgjedhur edhe fytyrën e një emigranti shqiptar që është fiksuar dekada më parë në një nga fotografitë historike nga “Ishulli i Emigrantëve” Ellis (Ellis Island), në Nju Jork.

Siç raporton gazeta shqiptaro-amerikane, me qendër në Neë York, “Illyria”, ky mural është pjesë e një serie prej 18 pikturimesh shumëngjyrëshe masive që artisti Kobra ka bërë vitin e kaluar anembanë në Nju Jork.

Mesazhi i tij është theksimi i natyrës së këtij vendi, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si atdhe i emigrantëve. Për kureshtarët, që duan ta vizitojnë, ai shpaloset në muret e një prej shkollave të mësme më të famshme njujorkeze, “Qyteti si Shkollë” (City-As-School), që ndodhet në West Village, në Manhattan.

Projekti përfshin edhe punë të artistëve të tjerë si dhe të nxënësve të shkollës.

Pesë emigrantët e portretizuar janë përzgjedhur mes mijërave që kaluan 100 vjet më parë në Ishullin Ellis, që shërbente deri në fillim të shekullit XX si stacion inspektimi, për emigrantët që mbërrinin nga deti.

SHKARKO APP