Potenciali turistik i dy fshatrave më të skajshëm të Shqipërisë

Lëpusha dhe Vermoshi janë dy nga fshatrat më në skaj të veriut të Shqipërisë të cilat ofrojnë mundësi fantastike për turizëm. “Udhëtarët” treguan në episodin e radhës bukuritë e kësaj zone duke vënë dukje potencialet e saj. Fshati Lëpushë gjendet 24 kilometra larg Tamarës, rreth 35 minuta me makinë, dhe njihet për peizazhin fantastik të gjelbër dhe malet rreth tij.

Tamara, një thesar bukurie në Malësinë e Madhe

Zona e Lëushës ka si karakteristikë produktet blegtorale, mikpritjen dhe shtëpitë prej guri, tipike të arkitekturës veriore. Fshati ka një lum dhe gjithashtu një ujëvarë, të cilat janë destinacione lehtësisht të arritshme. Lëpusha, njësoj si Tamara dhe Vermoshi frekuentohen shumë nga turistët e huaj, të cilët përshkojnë një itinerar ngjitjesh të maleve nga veriperëndimi i Ballkanit deri në lindje.

Vermoshi nuk është shumë larg nga Lëpusha, rreth 12.5 kilometra – ose rreth 20 minuta me makinë, 95 kilometra larg Shkodrës. Njësoj dhe ky fshat, i cili është më i skajshmi i veriut të Shqipërisë, njihet për mikpritjen dhe shtëpitë prej guri.

Banorët e zonës njihen gjithashtu për qëndresën ndaj pushtuesve të periudhave të ndryshme para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë. Njësoj edhe Vermoshi ka një lum të tijin, Limin.

Ndërkohë spikat si atraksion turistik “Shtëpia mbi qershi”, një konstruksion druri i një prej banorëve, i cili u shërben aty turistëve përveç peizazhit fantastik edhe veçantinë e zonës, raki qershie.

SHKARKO APP