Prag sezoni provimesh, tetë këshilla për të studiuar efektivisht

Mendoni pak për mënyrën si studioni për sezon. Me siguri merrni librin dhe e rilexoni nga e para, ndoshta shkruani në fletore copëza informacioni, sa për të bindur veten se po mësoni. Dy ekspertë të memories dhe studimit, Henry Roediger dhe Mark McDaniel nga Universiteti i Washinton bien dakort që kjo është një mënyrë e tmerrshme për të studiuar.

1. Mos rilexoni librat dhe shënimet

Prej studimeve të mëparshme, dihet me siguri se kjo është metoda që përdorin studentët për të nxënë materiale të reja para një provimi. Sidoqoftë, është e gabuar. Kur e lexon tekstin për heë të parë thith shumë informacion, por kur e lexon për herë të dytë po i mëshon vetes idenë që këtë e di dhe atë e di. Me pak fjalë, krijon iluzionin sikur e njeh materialin shumë mirë, kur në fakt nuk ia ke idenë fare.

2. Pyesni veten shpesh

Lexoni materialin një herë dhe më pas bëjini vetes pyetjet në fund të kapitullit, ose shpikni pyetje. Edhe nëse përgjigjeni gabim, kupton sa nga materiali di dhe sa nuk di. Gjithashtu pyetjet ju ndihmojnë ta kuptoni subjektin më në thellësi. Pyetje të tilla si pse ndodhi kjo, ose çfarë e nxiti atë, krijon një imazh më të plotë të temës për të cilën po studioni dhe e kuptoni më mirë.

3. Lidhe materialin me diçka që e njeh mirë

Gjatë një leximi të dytë, përpiquni t’i lidhni eventet, faktet dhe parimet me ndodhi që i njihni mirë në jetën reale ose që i keni përjetuar më parë. Përshembull, një neuron dhe mënyrën si transmeton elektricitet mund të lidhni me një zorrë dhe ujin që kalon nëpër të.

4. Vizualizo materialin

Bëni diagrama, vizatime, modele vizive, kllasterë apo grafikë pemë. Çdo gjë që konsiston në studim aktiv është një ide e mirë. Jini më aktivë, më të përkushtuar sepse siç shpjeguam, thjesht të lexoni nuk është mjaftueshëm.

5. Karta ndihmëse

Në Shqipëri nuk është shumë popullore përdorimi i këtyre kartave, por tani kemi një arsye për t’i inkorporuar në seancat tona të studimit. Shkruani një pyetje nga njëra anë e kartës dhe përgjigjen nga ana tjetër. Bëni një numër të konsiderueshëm kartash dhe më pas merrini me radhë dhe përpiquni të gjeni përgjigjen e saktë. Verifikojeni duke kthyer kartën nga ana tjetër. Edhe nëse përgjigjeni saktë, mos e hiqni kartën nga tufa. Rikthejuni sërish të njëjtave pyetje për t’u siguruar që i mbani mend mirë.

6. Mos mësoni një ditë para provimit

Të mësosh 12 orë para provimit është ide e shkëlqyer nëse do që të dalësh mirë vetëm në atë provim dhe të harrosh gjithçka, përjetë pas kësaj. Që të mbani mend më gjatë, sepse me siguri informacioni do t’ju duhet në lëndë të tjera dhe në profesion, studioni përgjatë një jave, nga një orë ose dy çdo ditë. Seancat e njëpasnjëshme janë shumë të rëndësishme pasi ju japin kohë të bëni gjithçka në këtë listë.

7. Kërkojini pedagogut tuaj t’i rikthehet materialit e marrë javën e kaluar

Sot shpjegohet një temë, javës tjetër një temë e tjetrën një tjetër. Pedagogët rrallëherë i kthehen asaj që shpjeguan një seancë më parë dhe një sasi e mirë informacioni humbet. Nëse është e mundur, çdo leksion pedagogu duhet ta nisë me një përmbledhje të temës së kaluar dhe si lidhet me temën e ditës. Ose, teste të shkurtra që përmbajnë pyetje nga tema e javës që shkoi, ose të dy javëve më parë.

8. Mos e limitoni veten

Studentët kanë një perceptim të fiksuar për veten. Disa besojnë se janë shumë të zotët në matematikë, disa mendojnë se biologjia është pika e tyre e fortë. Të tillë studentë i përmbushin profecitë e tyre vetëm ngaqë i besojnë. Kështu që zhvisheni veten nga nocioni se nuk jeni të prerë për matematikë apo letërsi. Fokusohuni tek të nxënit dhe jepini kohë vetes t’i arrini objektivat.

SHKARKO APP