Presidenti George H.W. Bush në penën dhe lenten e një fotoreporteri të shquar shqiptar

Nga Kristaq Balli –
George H, W, Bush, presidenti i 41 i ShBA-ve prehet në paqe të përjetshme. Shpirti i tij, i ndriçuar nga një mandorlë e amëshuar, po shndrrohet tashmë në një vizion veneracioni, vlerësimi e reflektimi mbi jetën e veprën e tij prej një personaliteti të spikatur historik, prej një prijësi kombëtar e ndërkombëtar që mbajti mbi shpatulla sfida e përgjegjësi historike e politike të një rëndësie të posaçme në kontekstin gjeopolitik e kronologjik global. Ai e udhëhoqi Amerikën gjatë një periudhe turbulente në zhvillime të përbotshme duke kryer funksione të rëndësishme politike e shtetërore si kongresmen (1967-1971), ambasador i ShBA në OKB, senator, kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan (1973), ambasador i ShBA-ve në Kinë, drejtor i CIA-s, dy herë zv.president (1981-89) dhe president (1989-1993) duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit amerikan dhe atë të gjithë botës. Në rolet dhe përgjegjësitë tij politike ndërkombëtare ai ka qenë i përfshirë në luftën kundër trafikimit ndërkombëar të drogës, në Luftën e Gjirit Persik, në rrëzimin paqësor të murit të Berlinit, të bashkimit të Gjermanisë dhe të shtensionimit të Luftës së ftohtë, etj., ndërkohë që në raport me Shqipërinë ai e konsideroi atë si vendin më të favorizuar dhe i vendosi embargo Serbisë duke e paralajmëruar Milosheviçin se SHBA do të përdorte forcën në rast konfliktime Kosovën (Paralajmërimi i Krishtlindjes). Ai e ka vizituar Shqipërinë në Qershor 1994 duke dhënë mesazhe mbështetjeje e inkurajimi për gjithë shqiptarët në gadishullin e Ballkanit.
Por George H.W.Bush ishte edhe një figurë humane me tipare e cilësi të veçanta prej një “patriarku” të një familjeje të madhe politike. i devotshëm, konservator i moderuar, fisnik, popullor, social, i mençur, me humor e karizmatik, pragmatist e vizionar, i hapur, miqësor, atraktiv, i komunikueshëm e dëgjimtar i vëmendshëm, ai krijoi imazhin e një udhëheqësi, që krahas peshës stërmunduese të përgjegjësive mbi supet e tij, të shpaloste një profil njerëzor të një modeli stoik për t’i përballuar ato “në profesionin më të vetmuar në botë”, por njëheresh duke u shfaqur para popullit të vet si një shërbyes e përmbushës i pranueshëm i aspiratave, të cilat ai kishte marrë përsipër. Edhe në periudhën postpresidenciale ai u përfshi në shumë iniciativa e programe humanitare në ndihmë e shërbim të etniteteve në nevojë.


Një rol të veçantë në “ballafaqimin” e presidentit me opinionin dhe audiencën, përgjatë të gjitha historive presidenciale kanë luajtur mediat dhe arti imazherik (kryesisht fotografia që prej shpikjes e perfeksionimit të saj nga fundi i shek XIX dhe më tej, deri në digjitalizimin e saj). Për presidentiët dhe stafet apo administratat e tyre, prania e një morie të madhe gazetarësh, por sidomos fotografësh, me pajisjet e tyre “primitive”, të mëdha, që mezi lëvizeshin e montoheshin, me dritat e tyre që digjnin materiale e gazra të papërshtatshme ishin një lloj kaosi, shqetësimi dhe pengese, shpërqëndrimi e trysnie ndaj punës së tyre. Por, nga ana tjetër, kurioziteti dhe dëshira e publikut për sa më shumë informacin e transparencë se çfarë ndodhte brenda korridoreve politike të Shtëpisë së Bardhë i detyronte zyrtarët të mbanin një qëndrim të kujdesshëm e të balancuar midis këtyre dy fenomeneve. Historia e ushtrimit të detyrave presidenciale në raport me mediat e fotografinë ka përbërë vazhdimisht një aspekt të qënësishëm veçmas për zyrën ovale, madje, shpesh të veshur me një tis mjegulle, hamendjesh, të fshehtash e gosipesh konspirative, etj. Sidoqoftë, pavarësisht fuqisë dhe kahjes së tyre politike e shoqërore, roli dhe influenca e mediave dhe botës fotografike presidenciale lidhet me perceptimin, shijet, preferencat dhe qëndrimin e vetë presidentëve, të cilat nuk kanë qenë gjithmonë të njëjta, të unifikuara apo të sanksionuara.

Një tablo interesante mbi qëndrimin ndaj fotografëve, si dhe mbi qasjen dhe impaktin fotografik të presidentëve mbi imazhin, karizmën dhe personalitetin e tyre politik e human na i jep në mënyrë shumë interesante për çdo president fotoreporteri i njohur me origjinë shqiptare, George Tames (Xhorxh Tejms) (Shih: George Tames: “Lufta e ftohtë në fotot e shqiparo-amerikanit George Tames, 30 Tetor 2016, gazeta “K, J”. f. 18-19, “Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare”, gazeta “K. J”, 19 Nëntor 2016 f. 18-19). Ai ka qenë një nga fotografët më jetëgjatë dhe më të suksesshëm të Shtëpisë së Bardhë që punonte për gazetën protagoniste The New York Times. Midis të tjerash ai thosh: “I shihja ata të punonin shumë, të menduar, të sinqertë dhe disa herë me humor. Por, mbi të gjitha, ata ishin qënje humane”, por edhe se “qeveria nuk mund të funksiononte pa pjesëmarrjen e qytetarëve të informuar në mënyrë transparente”, ndaj mori mbi vete çdo mundësi për t’i ndarë njohuritë që ai zotëronte nëpërmjet lenteve të aparatit të tij. Si asnjë fotograf tjetër, për afro 50 vjet i atashuar brenda selisë së njeriut më të rëndësishëm të Botës, ai fotografoi rresht 10 presidentë amerikanë dhe stafet e tyre (që prej Rusveltit e deri tek Xhorxh Bushi Senior). Ai mbetet një rast unikal në historinë mediatike të Shtëpisë së Bardhë dhe shënon një rekord e eksperiencë që ai e ka hedhur në librin e tij “Një Sy Mbi Washington: Presidentët që më Kanë Njohur”, 1980, ai realizoi, gjithashtu fotografi me vlera të shquara shoqërore e artistike. Ai është vlerësuar me çmime të panumurta, tre herë si Fotograf i Vitit nga Shtëpia e Bardhë, fitues 17 herë i Çmimit të Parë të konkurseve vjetore të fotografëve të Shtëpisë së Bardhë, fitues i çmimit të Karierës George Polk për Ekselencë në fotografi, Dekan i Fotografëve të Shtëpisë së Bardhë, anëtar ekskluziv i Shoqatës së Revistës së Fotografëve “Hall of Fame” (Holli i Famës). Fotot e tij janë konsideruar si adrenalinë e historisë politike të 50 viteve të fundit të shek. XX dhe thesare kombëtare amerikane për brezat e ardhshëm. Ato janë paraqitur ndër vite në dhjetra ekspozita të rëndësishme brenda e jashtë SHBA (e fundit është çelur në Tiranë në vitin 2017), ndërkohë që ato më përfaqësueset janë pjesë e muzeumeve të mëdhenj amerikanë si MoMA (Muzeu i Arteve Moderne), Instituti Smithsonian, Bibliotekat Presidenciale, arkiva e madhe “Morgu i Gjallë”, etj. George Tames konsiderohet si fotografi që ndryshoi mënyrën që Amerika shihte presidentët dhe figurat e tjera politike. Ai konsiderohet edhe si “syri i historisë”. Deviza e tij profesionale e morale ishte “A është institucioni udhëheqës botëror i dedikuar ndaj praktikës dhe kuptimit të fofotgrafisë dhe riprodhimit të imazhit në të gjitha format e tij?” (Paraqitja-Ekspozita 29 Janar 1986).

Në këtë kontekst botkuptimor, ai ka fotografuar 10 presidentët, i fundit prej të cilëve është George H.W.Bush. Ai ka realizuar për të sete të shumta fotografike në ngjarje, momente, rrethana e vende nga më të ndryshmet, në situata zyrtare, por edhe private e familjare, të cilat po t’i vlerësosh në një optikë përgjithësuese, të krijojnë imazhin e dyfishtë – të burrit të shtetit, personalitetit të epërm presidencial, ashtu si edhe të një njeriu të zakonshëm, aspak pompoz, me tipare të skalitura humane e sociale. ku spikatnin stoicizmi, kortezia, modestia, mendimi praktik, arsyetimi, vetpërmbajtja, kompromisi, një tis mprehtësie e sensi për humor, spntaniteti, si dhe dëshira për të pasur sa më shumë njerëz pranë, qofshin ata të zakonshëm në rrugë, dyqane, peshkim, shëtitje… Bashkë me fotot që Xhorxh Tejms ka realizuar për presidentin Bush (senior), ai ka bërë edhe një portretizim unik të raportit të tij me mediat dhe fotografinë. Fotografi mendonte se presidenti Bush ishte i ngjashëm me presidentin Truman. Edhe pse me 43 vite diferencë kohore, me sfonde të ndryshme jetësore, i pari fermer, biznesmen i vogël, autodidakt, ndërsa tjetri nga një klasë e privilegjuar kombëtare dhe me graduim në Yale, të dy patën impakte të ngjashme në mjediset e tyre presidenciale. Të dy e konsideronin Shtëpinë e Bardhë si shtëpi, me stafin dhe shtypin si anëtarë të një familjeje të madhe që përfshinte gjithë kombin.
Për fotografët puna me Bushin ishte gëzim, kënaqësi. Bushi nuk kishte probleme vizuale. Madje edhe kur reporterët e pashpirt e cinikë e gjenin në një gjendje të vështirë për të qenë objektiv i problemmeve të Shtëpisë së Bardhë, ai i thërriste ata me emrin e parë dhe i pyeste për familjet tyre. Ai ishte shumë miqësor me shumicën e fotografëve por, më e rëndësishmja, ai ishte edhe i vetëdijshëm për gjithë punën e tyre fisnike. Ai i ulte ata në rreshtin e parë dhe i përgëzonte edhe për fotot e tyre të bukura që nuk kishin lidhje me politikën ose Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë një dreke vjetore të fotoreporterëve për nder të tij, presidenti Bush theksonte se ai po iu referohej fotografëve me shaka si “Photo Dogs” (Foto Qensh) pasi ai kishte dëgjuar protestën humoristike me lehje qensh të fotografëve prapa litarëve, gjatë foto-ops-eve në Kopshtin e Trëndafilave. Shumë herë kishte ndodhur që lëvizjet e mediave të kufizoheshin, apo ndaloheshin gjoja për arsye sigurie apo turmash. Bushi bëri të kundërtën duke qenë shumë i hapur e i drejtpërdrejtë jo vetëm me mediat e fotografët, por edhe me njerëzit e thjeshtë.

Gjatë gjithë jetës së tij politike presidenti Bush besonte në kontaktet personale. Ai ka qenë një shkrimtar shënimesh lakmitar e prodhimtar ditarësh. Nëse, ashtu të shkruara, ato do të mbeten trashëgimi e vyer personale e kombëtare, kështu mund të konsiderohet edhe një prej tyre që i drejtohej fotografit tonë Geoge Tames:
“Xhorxh Tejms,
Me admirim për profesionalizmin tuaj dhe vlerësimin për mirësjelljen e vërtetë.
Patshi fat!
George Bush” (Tames G. Eye on Washington, 1990, f. 155)
Fotot dhe shkrimet e realizuara nga George Tames për presidentin Bush shënojnë përfundimin zyrtar të karierës së tij profesionale zyrtare, por jo të krijimtarisë së tij në fushën e fotografisë. Ai u angazhua në shumë projekte të tjera dhe nuk e hoqi nga supi aparatin deri në fund të jetës së tij.
Trashëgimia e tij unikale fotografike që ai i la Amerikës dhe Botës, me këtë rast edhe fotot e shkrimet për të ndjerin president George H.W.Bush, merr edhe një kuptim simbolik krenarie për opinionin gjithëkombëtar shqiptar. Duke pasur në deje gjakun, limfën dhe ADN shqiptare fotot e George Tames mbeten një dhuratë dhe gjest respekti, përuljeje, nderimi e falenderimi për atë çka Amerika nëpërmjet presidentëve të saj ka bërë për mbrojtjen, mbijetesën dhe dinjitetin e kombit tonë.

SHKARKO APP