Prifti: Shteti ka deformuar vlerën e diplomës. Ahmetaj miraton buxhetin, Besa Shahini që nuk flet shqip, paktin me universitetin

I ftuar në “Para dhe Pasuri” nga Besart Kadia në RTV Ora, pedagogu Rezart Prifti u shpreh se universitetet vendosin kuota fikse sikur të jemi në komunizëm.

Sipas Priftit, partitë politike nuk kanë ide për arsimin dhe vetëm kopjojnë njëra-tjetrën në programe për këtë çështje.

Prifti: Në universitet pse duhet të jenë kuota fikse, kush e vendosi këtë? Në komunizëm jemi? Në këtë sens jemi shpirtërisht në komunizëm. Ne kemi një disproporcion të tregut duke lënë shumë degë të rëndësishme për vendin bosh dhe duke u kanalizuar tek ajo që ka qenë traditë shoqërore, ekonomik, juridik. Zgjedhja e parë është mjekësia dhe kush nuk e kap këto, pastaj shkojnë te këto të dyja.

Partitë politike janë karagjoze në këtë aspekt, sepse nuk mendojnë seriozisht për arsimin. Ne jemi një treg ku nuk qarkullojnë më ide. Në një vend të tillë bëhet kopjim dhe shih rrushi rrushin e piqet. Nuk është e perceptueshme që një lëvizje e djathtë të jetë për arsimin falas, së paku për ide. Në tregun tonë duhet të hidhen disa ide ekstreme për tu diskutuar, për të parë se ka edhe ndryshe.

Prifti tha se shqiptarët duhet të mësojnë se nuk ka gjëra falas dhe shtoi se institucionet shtetërore e kanë deformuar vlerën e diplomës.

Prifti: Ne duhet tu mbushim mend shqiptarëve se nuk ka gjë falas. E mësuam nga komunizmi se nuk ka gjë falas. Nuk ka gjë falas në jetë. Institucionet shtetërore e deformuan vlerën e diplomës. Është si puna e drogës. Privati nuk po gjen dot njerëz të kualifikuar. Nuk shihen më diplomat, por të thonë nëse e bën diçka apo jo. Sot për sot nuk vlen diploma. Institucioni më i madh që e blen diplomën ishte shteti. Shteti duhet të jetë rregullator. Por shteti ynë më mirë të mos bëjë gjë se sa të bëjë, se vetëm prish kur ndërhyn.

Buxhetin e arsimit e nxori ministri i Financave, ndërsa paktin me universitetin e nxori ministrja e arsimit që nuk kuptonte shqip kur i flisje. Prandaj nuk mund të bësh politika pa e kuptuar se si bëhet puna. Nuk mund të kesh një plan strategjik për të ardhmen. Arsimi duhet të jetë një prioritet. Debati nuk duhet të jetë për tarifën.

SHKARKO APP