Procedurat e reja për pasuritë e paligjshme, Kala: Miradministrim i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara

Gjatë një interviste ekskluzive për “Scan Magazine”, Drejtori i Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Artur Kala, ka treguar ciklin e plotë të menaxhimit të pasurive me prejardhje të paligjshme, pas ndryshimeve më të fundit ligjore. Sipas tij, me këto ndryshime u përmbush edhe një rekomandim i rëndësishëm i ekspertëve ndërkombëtarë, siç është shtimi i kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, që në fazën e sekuestrimit. “Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e në rast revokimi të sekuestrimit t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi të kalonte në buxhetin e shtetit”, shpjegon kreu i AAPSK-së. Kala flet gjithashtu ndikimin e ndryshimeve ligjore në procesin aktual të administrimit të pasurive, që nga vendosja në themele ligjore e procedurës që ndjek Agjencia – nga sekuestrimi e deri administrimi dhe menaxhimi – e deri tek përfshirja e të gjitha pasurive që sekuestrohen dhe konfiskohen, si në procesin penal, ashtu edhe në atë parandalues

  1. Kala, ju prezantuat, përfshirë edhe në disa komisione parlamentare, projektligjin, tashmë ligj, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”. Ndryshimet e reja ligjore çfarë synojnë?

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) është ngritur në zbatim të normave të parashikuara në ligjin nr. 9284, të shtatorit 2004 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”. Në vitin 2009 u miratua ligji tjetër, nr. 10192, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar më pas me ligjin 70/2017, të muajit prill 2017. Ndërkaq, vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 687, i 5 tetorit 2011, “Për organizimin, kompetencat dhe funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara si dhe mënyrën e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara” u përmirësua me një tjetër VKM, nr. 314, i datës 5 maj 2014” Për organizimin, kompetencat dhe funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe për përcaktimin e shpërblimit te personave të tretë në administrimin e pasurisë”.

Pra, ky ishte kuadri ligjor. Projektligji (tashmë ligj) “Për administrimin pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara” synon, në radhë të parë, të ngrejë në një nivel më të lartë të gjithë procesin aktual të administrimit të pasurive, duke vendosur në themele ligjore procedurën që ndjek Agjencia, që nga momenti i parë i ekzekutimit të vendimit të sekuestros – me marrjen në dorëzim të pasurive që do të administrohen – duke vijuar më pas me menaxhimin e tyre, sipas mënyrave dhe formave specifike, në varësi të llojit të pasurisë, dhe duke mbyllur qarkun e administrimit, me anë të procesi të destinimit përfundimtar të pasurive që konfiskohen. Një objektiv tjetër është ai i përfshirjes të të gjitha pasurive që sekuestrohen dhe konfiskohen – si në procesin penal, ashtu edhe në atë parandalues – në fushën e veprimit të AAPSK-së, duke e përqendruar administrimin e të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme në një institucion të vetëm. Synim tjetër madhor, që përmbush rekomandimin e rëndësishëm të ekspertëve ndërkombëtarë, është edhe shtimi i kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, që në fazën e sekuestrimit, pa pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit. Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e në rast revokimi të sekuestrimit t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi të kalonte në buxhetin e shtetit. Shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera aktuale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë etj), vlerë që do të humbiste fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Së fundmi, synohet që të shërbejë edhe si ligj organik për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke përcaktuar me norma ligjore organizimin, funksionet dhe kompetencat e saj.

A ka Shqipëria një strukturë të mirë e të qëndrueshme për menaxhimin dhe administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara? Nëse po, cili është ndikimi i këtij burimi në buxhetin e shtetit?

Ashtu si me shumë aspekte të procesit të rikuperimit të pasurive, Shqipëria është strukturuar mirë në lidhje me administrimin e pasurive, megjithëse nevojiten zhvillime të mëtejshme për të maksimizuar ekzistencën e AAPSK-së dhe për ta shfrytëzuar plotësisht këtë burim, në përputhje me praktikat më të mira. Në lidhje me ndikimin në buxhetin e shtetit, gjatë viteve të fundit, vlera e derdhur në buxhet ka qenë e konsiderueshme; nga të ardhurat dhe nga fondet e konfiskuara. Megjithatë, objektiv i AAPSK-së është kthimi në komunitet i pasurive, si nga dhënia në përdorim i pasurive për institucionet ligjzbatuese, pushtetin lokal, projektet e ndryshme që synojnë trajtimin dhe integrimin e viktimave të krimit të organizuar – gjatë këtyre viteve janë krijuar nga AAPSK, 3 fonde te posaçme me të ardhurat dhe fondet e konfiskuara, që synojnë mbështetjen e institucioneve ligjzbatuese për përmirësimin e hetimit dhe rritjen e kapaciteteve dhe qendrave kombëtare, si dhe OJF që kanë për objekt të punës tyre trajtimin dhe integrimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit. Fondi i posaçëm i vitit 2018 është rreth 1 milion dollarë. Janë rreth 12 projekte ku është përfshire AAPSK, qoftë edhe përmes mbështetjes financiare, me dhënie pajisjesh dhe prona në dispozicion të këtyre projekteve.

Ç’probleme keni evidentuar ju në funksionimin e gjithë këtij procesi, që nis nga sekuestrimi, konfiskimi dhe bashkëpunimi me institucione të tjera të përfshira në këtë proces?

Patjetër që gjatë punës tonë kemi evidentuar dhe probleme të ndryshme, që i kemi adresuar. Në ndryshimet me themelore që çuan në përmirësimin e ligjit mund të përmendim:

-Dorëzimi i pasurive do të realizohet në përputhje të plotë me Kodin e Procedurës Penale nga ana e prokurorit dhe ekzekutimi i vendimit të sekuestrimit apo konfiskimit, nga ana e Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë tij. Kjo shmang vonesat e një hallkë problematike si ajo e përmbaruesit, evidenton më mirë dhe më saktë pasurinë dhe njeh organin e akuzës me gjendjen e saj në momentin e marrjes në administrim;

-Bashkë me këtë akt u revokua edhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 626, i shtatorit 2011 “Për disa ndryshime në VKM-në nr. 563, datë 14.7.2010, ‘Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të hollësishme të bashkëpunimit të shërbimit përmbarimor me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe pagesën përkatëse për shërbimin e përmbarimit”;

-Ofron mundësinë e kërkimit të shpenzimeve në gjykata, për miradministrimin e pasurisë deri në revokimin e pasurisë së sekuestruar apo konfiskuar;

-Heq detyrimet e mëparshme që mund të ketë pasur pasuria, për të mos e ngarkuar atë me këto detyrime;

Përfshirja e disa akteve nënligjore që rrjedhin nga ky ndryshim, të cilat i janë dërguar Ministrisë së Financave, për t’u marrë në konsideratë në planin e ndryshimeve të këtyre akteve.

Problematikat e tjera i kemi adresuar tek ligji “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, që sapo është miratuar ne Parlament.

Mund të themi se këto probleme të evidentuara janë ndër shtysat për të hartuar dhe propozuar ndryshimet më të fundit ligjore dhe a i zgjidh ato miratimi i këtij ligji?

Ndryshimet që propozuam synojnë të përmirësojnë procesin e miradministrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Çështja e administrimit të pasurive është diskutuar shumë në forumet ndërkombëtare dhe rajonale. Standardet përkatëse ndërkombëtare theksojnë se, juridiksionet duhet të kenë mekanizma ligjore për të menaxhuar në mënyrë efektive pasurit e ngrira dhe të konfiskuara, në pritje të një vendimi të formës së prerë (UNCAC, neni 60, Konventa e Varshavës, neni 6).

Për të administruar me sukses pasuritë ekziston një trend në rritje, sipas të cilit, juridiksionet duhet të krijojnë një zyrë qendrore kombëtare të administrimit të pasurive si nevojë për të administruar pasurit “e vështira”, përshembull kafshët, kompanitë, fondet e besimit dhe pasuritë e paluajtshme hipotekore, qoftë për rastet e brendshme, por edhe nisur nga kërkesat gjithnjë në rritje të institucioneve ndërkombëtare. Pa akte normative, mekanizma të përshtatshëm, struktura dhe bashkëveprim mes tyre, sekuestrimi dhe konfiskimi janë një proces i paplotësuar dhe joefektiv. Ashtu si me shumë aspekte të procesit të rikuperimit të pasurive, Shqipëria është strukturuar mirë në lidhje me administrimin e pasurive, megjithëse nevojiten zhvillime të mëtejshme për të maksimizuar ekzistencën e AAPSK-së dhe për ta shfrytëzuar plotësisht këtë burim, në përputhje me praktikat më të mira. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) është një agjenci administrative, e ngritur në kuadër të Ministrisë së Financave. Funksioni i saj kryesor është administrimi i pasurive pas sekuestrimit deri në kthimin e tyre ose konfiskimin përfundimtar, sipas vendimeve të gjykatës. Megjithatë, AAPSK-ja, në bazë të VKM nr. 687, dt. 05.10.2011 “Për Organizimin, Kompetencat dhe Funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe mënyrën e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, i ndryshuar, kryesisht administron pasuritë e sekuestruara/ konfiskuara vetëm sipas ligjit 10192/2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, ndërkohë që pasuritë e sekuestruara/ konfiskuara në procesin penal i mbeten për administrim gjykatës, e cila i menaxhon vetë ose ia cakton administrimin një burimi të jashtëm. Por duhet thënë se, në shumë raste pasuri të tilla mbeten të paadministruara fare dhe në mëshirë të fatit. Si një institucion plotësisht funksional, me staf dhe me fonde, AAPSK-ja kombëtare duhet të administrojë të gjitha pasuritë e sekuestruara, qoftë civile dhe penale, për të qenë plotësisht efektive. Por Gjykatat e Rretheve gjyqësore nuk janë të detyruara t’ia kalojnë AAPSK-së për administrim, pasuritë që sekuestrohen/konfiskohen gjatë proceseve penale që ato zhvillojnë, pasi nuk ka një ligj që t’i detyrojë ta bëjnë. Për rrjedhojë, erdhi si domosdoshmëri miratimi i këtij projekt-ligji. Strukturat e zbatimit të ligjit dhe prokurorët shqiptarë, si dhe vlerësuesit e jashtëm kanë raportuar një nivel të lartë të konfuzionit të roleve dhe strukturave brenda procesit të konfiskimit të pasurisë në Shqipëri. Përqendrimi i administrimit të të gjitha pasurive do ta lehtësonte këtë nga pikëpamja e administrimit të pasurive. Ai gjithashtu lejon stafin brenda AAPSK-së të ndërtojë nivelin e ekspertizës për të qenë plotësisht efektiv. Besojmë që me këto ndryshime plotësohen edhe rekomandimet e “MoneyVal” dhe zgjidhen një pjese e mirë e problematikave të deritanishme.

Meqë përmendët ekspertët ndërkombëtarë dhe “MoneyVal”, në pika të përmbledhura, çfarë ju kanë rekomanduar dhe sugjeruar ata?

Në të gjitha raportet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit është venë theksi gjithmonë e më shpesh në “fuqizimin dhe përmirësimin e strukturës së AAPSK-së”. Po ashtu vlerësimi i 4-t i “MoneyVal” si dhe Plani për zbatimin e rekomandimeve të lëna pas këtij vlerësimi (IO.8, pika V[1]), kanë përcaktuar qartë nevojën për shtimin e kompetencave të AAPSK-së, duke përfshirë brenda saj administrimin e të gjitha pasurive me prejardhje kriminale.

/ SCAN Magazine

SHKARKO APP