Produktiviteti në Britani – Një britaniku i duhen 5 ditë punë për atë që një francez e bën për 4

Britania regjistroi performancën më të dobët në produktivitet në 5 vite gjatë vitit 2018, duke thelluar një problem që ka penguar ekonominë që prej krizës financiare. Prodhimi për orë u rrit me më pak se 0.5%, që është gjysma e normës së 2017-s dhe treguesi më i dobët që prej vitit 2013, sipas të dhënave të zyrës së Statistikave.

Produktiviteti i dobët ka dëmtuar Britaninë për më shumë se 1 dekadë, duke penguar rritjen e pagave dhe kufizuar shpejtësinë e rritjes ekonomike pa gjeneruar inflacion.

Këto të dhëna reflektojnë një vazhdim të ngërçit të produktivitetit në Britani”, theksoi zyra e Statistikave në Londër (ONS).

Rritja vjetore e produktivitetit ka arritur në një mesatare prej vetëm 0.5% në 9 vitet e fundit, krahasuar me mbi 2% përpara vitit 2008. Ndërkohë që faturat e pagave për firmat po tejkalojnë rritjen e produktivitetit, kostot janë shtuar.

Kostot e punës për njësi u rritën me 2.7% vitin e kaluar, që është norma më e madhe që prej vitit 2009.  Banka e Anglisë ka paralajmëruar se kjo do të rrisë inflacionin, ndërkohë që pasiguritë nga Brexit po pengojnë rritjen e normave të interesit.

Britania lë pas vetëm Italinë në grupin e 7 ekonomive më të mëdha në produktivitet.  Punëtorit britanik i duhen 5 ditë pune për të prodhuar atë që një francez e bën për më pak se 4.

Një shpjegim për këtë dobësim është se pasiguria nga Brexit po nxit kompanitë që të punësojnë më shumë staf në vend që të investojnë në pajisje kapitale,  pasi vendimet mbi punësimin janë më të lehta për t’u kthyer mbrapsht, në rast se ka një shkëputje të ashpër nga Bashkimi Europian.

SHKARKO APP