Protesta dhe “Kalimi i Rubikonit” opozitar!

Nga Alfred Peza -Ajo e kësaj të mërkure, ishte e 8-ta në serialin e protestave opozitare përballë Parlamentit, qëshkurse PD, LSI dhe aleatët e tyre vendosën që ti digjnin të gjitha mandatet e deputetëve, për të dalë jashtë sistemit ligjvënës të vendit. Ajo që mund të ishte protesta që do ia bënte “tetë me dy” qeverisë, u pa dhe u pranua nga të gjithë, se ishta këtë radhë, më e dobëta prej fillimit të tyre.

Le të veçojmë tre prej indikatorëve kryesorë që e dëshmojnë këtë:

Së pari, ana numerike. Pjesëmarrja këtë radhë ishte më e ulëta, që nga protesta e parë e 16 shkurtit, kur edhe startoi ky aksion opozitar. As përdorimi i administratës së bashkive ku qeverisin përfaqësuesit e opozitës dhe as marja përsipër e saj nga ana e forumeve rinore të partive, nuk e shpëtoi dot atë nga dështimi.

Së dyti, ana organizative. Gjithkush mundi të dallonte me sy të lirë nga çfarëdolloj ekrani, kaosin total në të cilën u përfshi aksioni politik i kësaj dite. Aty u pa qartë një protestë pa lidership, pa organizim, pa kokë e pa bisht, pa skenar, pa qëllim, pa formë e pa përmbajte. Një shfaqje që e bëri aksionin kombëtar të opozitës, që të dukej shumë lokal, i improvizuar dhe shumë larg qëllimit madhor të artikuluar, në fillimet e shpalljes së saj të ububujshme.

Së treti, kohëzgjata. Kjo protestë, ishte padyshim më e shkurtra, më e pafuqishmja dhe simboli i një “revolucioni” që filloi të “hante bijtë e tij”. Sepse këtë radhë, vendin e përplasjeve me policinë e zunë rrahjet me njëri- tjetrin, hatërmbetjet e lidershipit, gara e protagonizmit për protagonizëm e drejtuesve të deklaruar të protestës, etj.

As mungesa fizike e Lulzim Bashës dhe as ajo e Sali Berishës në këtë protestë, as “aisbergu” që duket se po ndan çdo ditë e më shumë PD nga LSI, as mëria nga mënjanimi i liderëve të partive të vogla opozitare nga “underground”-i i lëvizjeve të fundit të kreut të opozitës, nuk mund të justifikojnë shfytyrimin katastrofik të aksionit më ekstrem opozitar, të 30 viteve të fundit në Shqipëri. Shenjë e sigurtë, se opozita e ka pranuar tashmë, se ka dështuar në përpjekjet për ta detyruar mazhorancën parlamentare, qeverinë dhe kryeministrin, të pranojnë kushtet e saj.

Duke e kuptuar se është e pamundur që ta rrëzojnë mazhorancën nëpërmjet “frymës qytetare” dhe “revolucionit popullor”; që ta detyrojnë Kryeministrin Edi Rama të largohet për ti lënë vendin një qeverie tranzitore që do ta çonte vendin në zgjedhjet e parakohëshme, liderët e opozitës kanë ndryshuar totalisht qasje.

Atë që nuk e arritën dot brenda Shqipërisë, po kërkojnë që ta realizojnë jashtë saj. Atë që nuk arritën ta realizojnë dot nëpër sheshe, po mundohen që ta realizojnë prapa dyerve të mbyllura. Atë që nuk e arritën dot me protesta, po mundohen që ta realizojnë me negociata. Atë që nuk e arritën dot me dhunë, po mundohen që ta realizojnë me diplomaci. Atë që nuk e arritën dot brenda institucioneve shqiptare, po mundohen që ta arrijnë në ato ndërkombëtare. Atë që nuk e arritën dot nëpërmjet qytetarëve shqiptarë, po mundohen që ta realizojnë nëpërmjet përfaqësuesve të popujve të tjerë.

Eshtë kjo edhe arësyeja se përse Lulzim Basha po udhëton kaq shpesh këto kohë drejt Berlinit, ku duket sikur po qëndron më shumë se në Tiranë. Se përse Sali Berisha nuk doli fare në sheshin e protestës. Se përse Monika Kryemadhi udhëtoi sëfundi drejt Italisë. Dhe përse Ilir Meta, e ka zëvendësuar “qetësinë dhe dashurinë” me shpërthimet e pakontrolluara, e më pas me heshtjen dhe diskrecionin total.

Opozita shqiptare e ka kuptuar më në fund se ajo që u nis prej saj si një lojë e bllofit të madh të radhës, ishte në të vërtetë, “Kalimi i Rubikonit” të sistemit të rregullave të lojës në demokracitë funksionale. Kjo idiomë që nënkupton kalimin e një pike pa kthim, e ka marë emrin nga një rrëke uji që rrjedh nga Italia verilindore drejt Adriatikut, e cila shënonte kufirin e lashtë ndërmjet Italisë dhe Galisë Cisalpine. Ashtu si Lulzim Basha e Sali Berisha, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta që e hodhën opozitën tonë jashtë Parlamentit, në vitin 49 para e.r. Jul Cezari i hodhi trupat e veta jashtë Rubikonit, duke hyrë në luftë kundër Senatit dhe Pompeit.

Fundi i historisë së lashtë dihet tashmë, sepse një pjesë e saj është zhvilluar jo vetëm nëpër Europë, por edhe mbi truallin shqiptar. Ndërsa historia jonë e re, pas kapërcimit të “Rubikonit” shqiptar nga opozita, sapo ka hyrë tashmë në një fazë tjetër. E sigurtë është se kthim prapa nuk do të ketë. E ardhmja politike e opozitës, do të ketë as më pak e as më shumë, por veç fatin e protestës së saj të radhës! E ashtu siç citohet të ketë thënë Çezari atë kohë “alea iacta est”, “zaret janë hedhur” pas të mërkurës, edhe për të ardhmen politike të opozitës sonë!

Alpenews.al

SHKARKO APP