Protesta tremb Vuçiç, presidenti serb ikën nga dera e pasme
Qindra protestues të opozitës serbe bllokuan hyrjen kryesore të godinës së televizionit shtetëror, duke detyruar presidentin serb të largohet nga një portë anësore. Aleksander Vuçiç mundi të evitojë protestuesit e zemëruar mbrëmjen e të martës, që i ishin përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar kundër kontrollit qeveritar mbi mediat në Serbi.
E gjithë kjo ndodhi ndërsa Vuçiç dha një intervistë të drejtpërdrejtë në RTS, televizionin shtetëror, që protestuesit e akuzojnë se lejon presidentin të inskenojë daljet e tij në media dhe eviton pyetjet e vështira. Vuçiç i refuzon këto akuza.
Një njësi speciale policie u angazhua për të ndaluar aktet e dhunës mes protestuesve të opozitës dhe rreth 100 mbështetës të Vuçiçit.
Ky i fundit postoi një foto në Instagram nga brenda studiove të RTS duke thënë se ishte larguar nga hyrja anësore.
“Do të doja të falenderoj të gjithë për mbështetjen”, shkruante ai.
Pjesa më e madhe e partive opozitare do të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm në mesin e akuzave se nuk ka kushte të barabarta për fushatën. Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE mes tyre dhe partisë progresive serbe të Vuçiçit, nuk kanë arritur ende një marrëveshje. Aleanca për Serbinë, një grup partish politike opozitare, kanë mbajtur protesta të përjavshme prej thuajse një viti, kundër sundimit të partisë progresive të Vuçiçit, që sipas tyre është autokrat, i korruptuar dhe shtyp lirinë e mediave dhe demokracinë. Serbia në fakt ka rënë me 14 vende në klasifikimin e Reporterë pa kufij për këtë vit, duke u renditur e 90 në mesin e 180 shteteve.