Pse Basir Bushkashi nuk zbret në Tiranë?

Nga Agron Sejamini/Për herë të parë me Basir Bushkashin më ka “prezantuar” një poezi e tij, botuar në gazetën “Drita”, vite më parë. Më pëlqeu aq shumë sa abuzova edhe në faqosje… Ndryshe nga sa e kishin planifikuar, unë i dhashë edhe më shumë hapësirë duke e shoqëruar madje edhe me një ilustrim. Kaluan vitet dhe tashmë jam miqësuar me Basirin, po aq sa dhe me të tijën poezi.  Nuk ka mbetur puna t’i bëj unë lëvdatë vargut elegant të Bushkashit, sepse pas bukurisë së tij, ka kthyer kokën edhe Dritëro Agolli, por ndjehem borxhli ndaj emocioneve që kam përjetuar. Daljen nga shtypi të një vëllimi poetik të tij, e kam gëzuar si të ishte libri im i radhës. Më vjen mirë kur kujtoj se njërin prej tyre nga shtypshkronja e Landit, e kam marrë unë para Basirit…

Do të lumturoja nëse do më pyeste dikush që unë të përgjigjesha, se: Basir Bushkashi është mes më të mirëve poetë lirikë shqiptarë. Por, edhe po ta kundërshtonin këtë mendim, unë nuk do të reshtja së mbrojturi këtë gjykim. Për avokat do të kisha poezinë e tij…

Dy deshë, mes deleve, në lëndinë

U ndeshën keqas për dashurinë…

Qe ndeshje e egër

E përgjakur

Sa njëri brirët theu,

Pikëlluar një dele

I lëpiu plagët

Se atë pëlqeu…

E filluam me një fabul erotike, për ta përgatitur butas skenën ku poeti shpalos mjeshtërisht talentin dhe pasionin.  Gjahtar i detajit në çdo hap, i dalldisur pas të bukurës, qëllon apo jo, ndjesinë e çastit e ka të shterur në poezi. Hallall e pastë poeti guximin dhe teprinë. Në të kundërt nuk do e kishim as poezinë…

Kot mundohesh

T’i ikësh vetes,

Me seriozitetin tënd

Të shtirë…

Dashuria e vjetër

Si vera e vjetër

Ermon aq këndshëm

Sa s’ngopesh n’të pirë…

Mall për të shkuarën dhe zjarr sapo përballet me një vajzë të bukur…

Harrova këmbët

Ku i hidhja,

Krejt si i dehur

nëpër llucë,

Eh, ajo vajzë,

Si blerim prilli!

Shtegut të zemrës

Ç’më zuri ngushtë…

Disa faqe më tej, e shohim të çliruar nga ky ankth, ku si nëpër mjegull jep një puthje furtunë. Para se të rrëfehet  justifikohet me vargun e F.G. Lorkës, se: “Burimi i kristaltë kërkon buzë”. Sepse, kemi të bëjmë me më shumë se një puthje…

Kur ti përskuqur më the aq lehtë

“Ish puthja ime e parë”

U bëra unë fajkua me fletë,

U ndjeva djaloshar…

Pak kush nga ne ia ka parë hajrin poezisë së Serembes ashtu si Basiri. Jo më kot nderin ia shpërblen me nder dhe mirënjohje të sinqertë.

Diku mes fletëve ca vargje brilante,

Zgjodha unë thesareve të tua…

Do ti që vajzës i lojti mendja,

Dhe u dashurua…

Poet me sqimë dhe shumë elegant Basir Bushkashi.Edhe me cigaren që nuk e heq nga buzët ngre shteg e fal emocion. Më kot i qan hallin një çupëlinë pse pi aq shumë…

– Eh, cigaren,

Sa shumë e dua!

Se veç ajo

Digjet për mua.

Nuk lodhet Bushkashi për të kërkuar shansin e një vargu poetik. Detajin e frymëzimit e gjen edhe te indiferentizmi dhe ftohtësia e asaj femre gjatë një udhëtimi me tren. Është momenti që duhet të falënderojë erën që shkëputi atë xixë nga cigarja e vet, por përsëri ujin e çon në mullirin e vet…

Jo, s’e hodhi era,

Krahut tënd shkëndinë!

Por iku nga tymi,

Se ndjeu dashurinë…

Po aq mirë sa me cigaren, Basiri i ka marrëdhëniet edhe me rakinë. Arsyeja e tij vlen nga pak për të gjithë ne. Ndaj dhe mirëkuptohet kur shpjegohet, se:

E kthej ndonjë gotë,

Ja, si plot të tjerë…

Në botën zuzare

Me mjegull mbështjellë.

Mirëpo “e keqja” është se ndryshe nga të gjithë ne qëllon që atij shpesh herë i bëhet ujë… Për poetin diçka tjetër është edhe më e fortë se rakia…

Harrova një çast që ndodhesha me shokë

Doemos një çast harrove dhe ti…

S’më dehu shejtanka e futur në gotë

Po ti, shejtankë tërë hir e magji…

Edhe nëse Basir Bushkashi do shkruante vetëm për shejtankat, ai përsëri do ishte i dëshiruar për lexuesit. Sepse kjo ndjesi është domosdoshmëri dhe arsye, për ta pasur përditshmërinë tonë sa më të bukur, sa më të lumtur. Por, për fat këndvështrimi i tij poetik është i gjithanshëm. Syri i tij rrezaton çdo skutë, shpirti tij rënkon para çdo dhimbjeje, karakteri i tij i lindur nuk bën kompromis me padrejtësinë dhe ligësinë. Fatkeqësisht jetojmë në një kohë, kur shqiptarët vetëm nga pozicioni gjeografik besojnë se quhen europianë. Për gjithçka, jemi pas gjithë këtij komuniteti të përparuar, të zhvilluar, të kulturuar. Gjendja e vështirë ekonomike dhe ajo shpirtërore është produkt i papërgjegjshmërisë dhe babëzisë së klasës politike që drejton vendin prej një çerek shekulli. Fatlum ai shkrimtar, poet dhe gazetar që nuk është bërë palë me ata sahanlëpirës që i shërbejnë ligësisë, poshtërsisë. Natyrisht, që ka mbetur aleat me varfërinë, por ama nuk ka përdhosur dinjitetin dhe përbaltur fytyrën. Një penë e ngjyer në shpirtin e popullit të thjeshtë, garanton respekt, dashuri, krenari. Jeta është e shkurtër. Lum kush i shton nder dhe jetë emrit të tij.

Kam dëgjuar që Basir Bushkashi është ndëshkuar në kohën e monizmit sepse ka shprehur pakënaqësinë ndaj disa praktikave të atij sistemi. Madje, jo vetëm me gojë por edhe me shkrim. Përherë zëdhënës i njeriut të thjeshtë dhe i shumicës. Jo vetëm vëzhgues por edhe kritikues i padrejtësive dhe poshtërsive.

Xhepashpuar,

Shpresashuar.

Mbetëm

Si shumicë…

Eh!

Mbi zverkun tonë

Majmet një pakicë…

Edhe më i drejtpërdrejtë në një poezi tjetër:

Sa të shëndetshëm ministrat tanë!

Kuqaloshë,

Tul e dhjamë.

Gjithë këtë shëndet vallë nga e kanë?

Nga ne thatimët…

Fatmjeranë!

Një arsye më shumë për ta vlerësuar dhe respektuar këtë penë të artë matjane.

 Nëse thumbon dhe ironizon ata lart, po kaq i ndjeshëm dhe i papërmbajtshëm është ai, kur të shëmtuarën dhe të ligën e shikon poshtë…

E kanë rrahur djemtë

E kanë flakur jashtë

Djem apo kafshë?!

A s’vini dhe ju

T’ua vëmë prangat bashkë?

Nëse poetët do të humbnin shpresën dhe besimin vajmedet për të tjerët si do të ngrysej dita dhe do të pritej e nesërmja?! Ndaj, kur Basir Bushkashi i shkruan dashurisë do të thotë se jeta duhet dashuruar pasi është e bukur dhe ia vlen të jetohet. Simbolikën e suksesit dhe të dinjitetit ua jep të gatshme poeti.

Prashisin grurin fshatarët me shatë:

ata përulur, gruri kryelartë.

…Dallgëzon gruri mes zhegut në vapë:

ai kokulur, fshatarët kryelartë.

As vetë nuk kam parë një shkrim të tillë, ku më shumë se autori ka folur personazhi, por ja që më duhet t’i citoj edhe disa vargje…

Kaltërsitë e Matit

gurgullojnë në shpirt.

Dallgët marrin penën

tjerrin poezitë….

Janë vargje që i kthejnë përgjigje titullit të këtij shkrimi. Ku më shumë se kaltërsive dhe bukurive të Matit mund ta gjesh muzën e frymëzimit për poezinë? Askund! Ndaj dhe Basir Bushkashi nuk zbret në Tiranë edhe pse shanset dhe mundësitë i ka pasur që të zbriste ndër të parët matjanë në Kryeqytet viteve të demokracisë. Edhe vetë dëshiroja shumë ta kisha çdo ditë këtu Basir Bushkashin, por frigohem se do të humbnim atë që na prezantoi dhe afroi… Ndaj, më mirë kështu! Ai  në Burrel duke tjerrë poezinë, ndërsa ne lexuesit e tij ngado të shijojmë live, dashurinë për punën, virtytin, femrën dhe thjeshtësinë!

SHKARKO APP