Pse e shohim ”Love Story” dhe ”Për’Puthen”, edhe kur s’na pëlqen?
Në internet, ka po aq faqe memesh me personazhet e “Për’Puthen” dhe “Love Story” po aq sa ka dhe faqe fansash. Këta njerëz kritikohen, por numërojnë qindra mijëra ndjekës. Takimet e tyre ironizohen, por videot në YouTube kanë miliona klikime. Pse e shihet “Për’Puthen” dhe “Love Story” edhe nga njerëzit që nuk i pëlqejnë?
Trill apo dashuri? E ç’rëndësi ka?
Amber L. Ferris, profesoreshë në Shkollën e Komunikimit në University of Akron, Ohio, thotë se “tema e romancës gjithmonë u intereson njerëzve”. Dr. Helen Fisher, studiuese në Institutin Kinsey dhe autore e “Anatomy of Love” thotë se “njerëzit janë të shtyrë të kuptojnë dhe dëgjojnë për dashurinë, madje e anashkalojnë artificialitetin”. Ajo përmend rastet e romaneve ose filmave: ngjarjet janë të trilluara, por njerëzit sërish përfshihen. Nuk ka rëndësi nëse është e vërtetë ose nëse e besojnë, në një mënyrë ose në një tjetër, njerëzit do të jenë sadopak kuriozë për marrëdhënien Tea-Andi, kë do zgjedhë Saimiri në “Love Story”, a do të refuzojë ndonjë vajzë trëndafilin e tij, po Atdheu kë pëlqen vërtet etj.
Janë pjesë e realitetit, për mirë ose për keq
Njerëzit nëpër programe të tilla nuk u morën nga hapësira dhe u vendosën qëllimisht në Tokë. Të gjithë kemi njohur tipa të ngjashëm me ta. Për mirë ose për keq, na sjellin më afër një realiteti të caktuar.
Ekzagjërohet. Edhe?
Shfaqje të tilla janë deri-diku versione të ekzagjëruara të marrëdhënieve reale. Djemtë dhurojnë trëndafila, po jo aq sa çunat e “Për’Puthen”; vajzat bëhen xheloze, por jo aq shpesh sa vajzat e “Për’Puthen”; takimet janë romantike, por jo aq të sheqerosura sa ato të Saimirit. Këto programe janë njësoj si çdo prodhim tjetër të cilat i shohim thjesht e vetëm për t’u argëtuar.
Dramë. Dramë. Dramë
Siç e thamë më sipër, ekzagjërimet prodhojnë drama dhe faktori “dramë” është i mjaftueshëm për ta bërë tërheqës një shfaqje. Trill ose jo, ne e shijojmë.
Një mundësi arratisjeje
Të gjitha këto dramat herë-herë të panevojshme, a nuk janë një mënyrë për t’u shkëputur për disa momente qetësuese? Në një vit pandemie, më shumë se kurrë njerëzit po kërkojnë të devijojnë nga përditshmëria e lodhshme dhe shohin programe të cilat i bëjnë të mos mendojnë gjatë. Në një situatë ndryshe, kujtdo do t’i bënin përshtypje takimet e para mes lavatriçeve, pajisjeve në palestër ose jacuzzi, por tani jo sepse njerëzit zgjedhin të mos e mendojnë gjatë. /Anabel.al/