Pse Isa Mustafa duhet të japë dorëheqjen
Nga MUSTAFA NANO
Në Prishtinë, pas zgjedhjeve të fundit, të cilat u fituan nga “Vetëvendosja” dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke parë që ato të dyja janë partitë që kanë vendosur të negociojnë, ka kohë që kanë filluar negociatat. Gjatë kohës që këto negociata janë zhvilluar, ne kemi pasur mundësi të shohim, përveç të tjerash, nëpër rrugët e Prishtinës zotin Isa Mustafa të ecë ngadalë, shumë ngadalë, gatigati të zvarrisë këmbët e veta për të shkuar diku apo për t’u larguar.
Ka pasur gjithmonë në dorën e djathtë një patericë, tek e cila është mbështetur dhe në krahun e majtë ka pasur një person që e mbajtur për krahu dhe e ka ndihmuar që të ecë. Ai është i sëmurë, këtë gjë e ka pranuar vetë publikisht, ka pothuajse 2 vjet që vuan nga një sindromë e rrallë, e cila quhet “Guillain Barre” dhe ka të bëjë me një dobësim muskulor që përparon me ritme të shpejta.
Pra, është një sëmundje problematike në rrethanat ku ndodhet Isa Mustafa. Ai ka mundur të frenojë përparimin e kësaj sëmundje në sajë të kurave dhe në sajë të kujdesit të mjekëve, për fat të mirë, mendjen e ka qiqër, sepse sëmundja nuk ka afektuar procesin e tij të të menduarit dhe kjo është ok, por fizikisht është i pamundur. Në vend të tij, unë do të jepja dorëheqjen dhe do të tërhiqesha nga politika dhe do të fokusohesha te shëndeti im personal. Është një gjë që do ta bëja dhe nuk do shihja asnjë arsye në botë pse të mos e bëja, sepse funksionet e Isa Mustafës në këtë rast dhe detyra që ai ka si kryetar i LDK-së, një nga më të rëndësishmet, kërkojnë energji fizike, që Isa Mustafa sot nuk i ka.
Unë mendoj se ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen sepse ai mund të zëvendësohet, të gjithë njerëzit në këtë botë janë të zëvendësueshëm. Vetëm profetët nuk janë të zëvendësueshëm, mirëpo, profetët kanë një mandat që ua jep tjetërkush. Edhe profet është ai tjetërkushi që unë ju përmenda, i cili mund t’ua heqë mandatin, të gjithë të tjerët janë të zëvendësueshëm dhe unë dua të them se Isa Mustafa nuk është profet, edhe ai vetë e di që nuk është profet. Isa Mustafa nuk është as Buda, nuk është as ndonjë perandor, ndonjë mbret, diktator, se edhe këta, për arsye të ndryshme, e kanë të vështirë të japin dorëheqjen. Ai nuk është as Papa i Romës, ndonëse edhe Papa, për arsye shëndetësore, ka ndodhur që ka dhënë dorëheqjen. Pra, Isa Mustafa mund të zëvendësohet, sipas meje ka gjithmonë kohë që ai të japë dorëheqjen dhe duhet ta bëjë këtë për të mirën e partisë së vet, familjes së vet dhe mbi të gjitha për të mirën e vet, që unë ia uroj nga thellësia e zemrës sime, shërim të shpejtë dhe të plotë. Mirëpo, deri atëherë do të ishte mirë që ai të jepte dorëheqjen sepse e gjitha kjo që po ndodh, përveç të tjerash, është pak groteske dhe qesharake. Është qesharake të shohësh një lider politik që vjen vërdallë, stërmundohet dhe torturohet, vjen vërdallë nëpër rrugë për të bërë disa negociata, që fare mirë mund t’i bënte dikush tjetër.
Përsëris edhe një herë, shërim të shpejtë dhe të plotë zotit Isa Mustafa!
*Monologu në “Provokacija”