Pse Merkel e dha personalisht lajmin për bllokimin e negociatave?

Nga Red Varaku –
Ajo që befasoi dje më shumë se sa dështimi për të shtatin vit rresht për hapjen e negociatave, nuk ishte vetëm fakti se kjo ishte një shpullë e qartë për qeverinë pa u mbledhur akoma samiti së paku nga dhjetë vende anëtare, por ishte fakti se kësaj rradhe njoftimin për këtë dështim të ri, e dha vetë njeriu më i rëndësishëm i BE, kancelarja gjermane Angela Merkel.
Edhe pse Gjermania ka Presidencën e BE, një njoftim kaq rutinë mund ta jepte kushdo, duke filluar nga Ministri i Jashtëm gjerman dhe duke përfunduar tek ndonjë përfaqësues i Bundestagut, që në fakt ka edhe tagrin të vendosë në lidhje me zgjerimin e BE.
Por, fakti që Kancelarja e shtetit me të fortë të Europës zgjodhi ta jepte personalisht këtë lajm, ka një domethënie dhe simbolikë shumë te madhe, jo vetëm për politikën, por kryesisht për vetë shqiptarët, aq më tepër që kemi hyrë në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Tre janë arsyet pse Angela Merkel e dha vetë personalisht këtë njoftim.
Së pari, për t’i rikujtuar z. Rama se Gjermania dhe personalisht vetë Merkel nuk mund ta harrojë kurrsesi përpjekjen e tij të dështuar për të destabilizuar rajonin, nëpërmjet projektit rus të ndarjes së territoreve dhe idesë së Jugosllavisë së re.
Së dyti, për t’i dëshmuar atij se Gjermania nuk e harron injorimin që ky i fundit i bëri Gjermanisë vjet në qershor, përmes refuzimit të ofertës se z. Wahdepul për të shmangur zgjedhjet pa opozitën dhe për të negociuar krizën që u shkaktua për shkak të përgjimeve.
Së treti, Merkel dëshironte që t’i jepte një mesazh të qartë jo vetëm politikës shqiptare, por vetë popullit shqiptar, se Gjermania nuk do të lejojë në asnjë rast hapjen e negociatave, sa kohë nuk do të plotësohen kushtet e vendosura prej Bundestagut .
Por, të gjithë e dimë se plotësimi i kushteve do të thotë rikthim i Shqipërisë në kornizat institucionale përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Pra, BE kërkon largim të këtij kryeministri përmes rrotacionit me zgjedhje të lira, sepse ky lloj presioni është presioni tipik që zakonisht vendet e BE ushtrojnë mbi qeveritë e korruptuara me qëllim largimin e tyre
Nuk besoj që ka ende njeri që nuk e ka kuptuar që BE me në krye Gjermaninë ,është e vendosur që të mos bëjë asnjë hap pas në lidhje me kushtet e vendosura prej tyre.
Dhe e thënë pikërisht në prag të zgjedhjeve nga vetë Kancelarja gjermane ,ky është një mesazh i qartë dhe i prerë që përgjegjësinë për zhbllokimin e negociatave tani e kalon të gjithën tek vendosmëria dhe vullneti i shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme.

SHKARKO APP