Pse shqiptarët duhet të vendosin bindshëm për orientimin e tyre perëndimor në 25 prill?

Nga Red Varaku –

Kryeministri shqiptar po tenton ta fusë Shqipërinë në hartën e shteteve si Serbia , Mali i Zi apo Maqedonia, të cilat janë të ndara në orientimin pro dhe kundër Perëndimit, duke luajtur kështu një kartë antiperëndimore, në rastin konkret si mënyrë për të negociuar të ardhmen e tij ngjashëm me Gruevskin.

Me këtë qëndrim Edi Rama po hyn në histori si dështimi më i madh i një investimi arrogant perëndimor, tek një individ me të cilin ata u bënë palë duke i ‘dhuruar’ gjithçka, përfshi pushtetin deri edhe ‘pronësi’ mbi sistemin gjygjësor nëpërmjet reformës në drejtësi.

Si pasojë, pushteti autokrat i tij ka shkaktuar mjaft plagë për këtë popull, por plaga më e madhe është përpjekja për të shkatërruar orientimin e tij drejt perëndimit , kur dihet që të dy shtetet shqiptare Shqipëria dhe Kosova janë shtete të lindura dhe mbrojtura nga Perëndimi, qysh ditën e pare të lindjes së tyre.

E vërteta është që ky është një qëndrim i gabuar, i cili do t’i prodhojë kosto të mëdha në zgjedhjet e ardhshme, sepse dihet që 97% e shqiptarëve janë properëndimorë, por ky qëndrim ka rëndësi sepse është një sinjal që paralajmëron një zhvillim tejet të rrezikshëm në Partinë Socialiste Shqiptare, i cili ka nevojë të izolohet dhe më pas shërohet.

Shërimi lidhet thellësisht vetëm me reformimin e Partisë Socialiste , e cila është kthyer sërish në origjinë, pra në një parti antiperëndimore, që po prodhon vetëm regres për Shqipërinë.

Situatën e zgjidh një PS e re, një lidership i ri, i cili të mos ketë frikë nga elektorati i vet, që ti thotë se Shqipëria duhet t’i përkasë Perëndimit, si e vetmja mundësi që populli shqiptar të prosperojë dhe shqiptarët të mund të jenë të lirë.

Dhe që kjo të ndodhë duhet një ndryshim i madh. Duhet që qytetarët të ndërgjegjësohen që 25 prilli nuk është më një betejë partiake dhe se ata duhet të votojnë jo vetëm për ta ndëshkuar PS, por dhe për ta izoluar pasardhësen e Partisë Komuniste Shqiptare.

Ndaj, zgjedhjet e 25 prillit janë të një rëndësie jetike për vendin . Ato nuk janë kurrsesi zgjedhje normale ku shqiptarët thjesht do të zgjedhin thjesht partinë që ata duan t’i qeverisë.

Qytetarët kësaj here duhet të ndëshkojnë ish-partinë komuniste të themeluar nga armiqtë tanë historikë dhe të vendosin bindshëm për orientimin perëndimor të Shqipërisë, në mënyrë që askush tjetër të mos guxojë të luajë më me këtë kartë antishqiptare.

SHKARKO APP