“Pse ushtarët gëzojnë të drejtën për t’u kthyer në detyrë dhe policët jo”, ish-kryegjyqtari: Po sikur eprori të ketë lidhje me mafian

Nga Fuat Vjerdha

Pasi mora leje për këmbësorë nga e-Albania, dola nga shtëpia për të blerë ushqimet e nevojshme për familjen. Shkova në tregun e Zdrales dhe u ndesha me postbllokun e organizuar për kontrollimin e zbatimit të rregullave të karantinës.

Në postbllok ishin me shërbim ushtarë dhe police, që kryenin të njëjtin shërbim: kontrollonin  këmbësorët nëse ishin të pajisur me leje. Mua më takoj që kontrolli të kryhej nga një ushtar. Në këtë moment duke pare që kryenin të njëjtin shërbim si ushtari si polici mu kujtua një çështje që kam gjykuar në vitin 2002, për të cilën me insistimin tim, Gjykata e Lartë u shpreh me vendim unifikues.

Në atë kohë (në vitin 2002) punonjësit e policisë nuk bënin më pjesë në forcat e armatosura, pasi në Kushtetutën e miratuar në vitin 1998, në forcat e armatosura bënin pjesë forcat tokësore, forcat detare dhe forcat ajrore.. (Neni 168 1. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore.)

Para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, punonjësit e policisë bënin pjesë në Forcat e Armatosura. Shtetasi Paulin Çuni ishte  efektiv i Komisariatit te Policise Shkoder me detyre kujdestar ne Posten Kufitare te N/seksionit te Policise Kufitare Theth të ketij Komisariati.

Me propozimin nr.144, date 16.04.2002, te Komisariatit te Policise Shkoder dhe vendim te Keshillit Emerues te Policise se Qarkut Shkoder, Drejtori i Policise se Qarkut Shkoder e ka perjashtuar nga policia këtë shtetas, me urdherin nr.298, date 22.04.2002. Ne urdher thuhet: “N/oficer Paulin Kol Çuni, deri tani me detyre kujdestar-magazinier ne PPK Theth ne N/seksionin e Policise Kufitare ne Komisariatin e Policise Shkoder, te perjashtohet nga policia me motivacionin “Per mosparaqitje ne detyre mbi shtate dite. Marredheniet administrative financiare t’i nderpriten me daten 05.04.2002”.

Urdherin nr.298, date 22.04.2002 te Drejtorit te Policise se Qarkut Shkoder, ky shtetas e ka kundershtuar ne gjykate. Ne kerkese padine qe ka paraqitur ne Gjykaten e shkalles se pare Shkoder, paditesi ka pretendue:

– Urdheri nr.298, date 22.04.2002 i Drejtorit te Policise te Qarkut Shkoder nuk eshte i bazuar ne ligj e ne prova. – Nuk eshte e vertete qe te kem munguar ne detyre mbi shtate dite.

Gjate gjykimit, perveç pyetjes se deshmitareve,  kam administruar: propozimin nr.144, date 16.04.2002 te shefit te Komisariatit te Policise Shkoder, propozimin e dates 18.04.2002 te Keshillit Emerues te Qarkut te Policise, urdherin nr.298, date 22.04.2002 te Drejtorit te Policise te Qarkut Shkoder, liste prezencen e efektivit te PPK Theth per periudhen 01.04.2002 deri me 15.04.2002 dhe trembedhjete flete te shkeputura nga libri i sherbimit.

Rezultoi se ky shtetas ishte i dyshuar nga Komisariati i Policisë Shkodër  për vrasjen e një vajze në Theth. Më vonë u zbulue autori i vrasjes, një kushëri i viktimës. Në këto rrethana, largohet nga detyra ky punonjës policie, me argumentimin se kishte munguar më shumë se shtatë ditë në vendrojen ku kryente shërbimin.

Paditësi këmbëngulte se kishte kryer shërbimin e rojes në ato data, që në propozimin për largimin nga detyra të bërë nga eprorët e tij thuhej se kishte munguar në punë dhe kërkonte që të paraqitej si provë në gjykatë libri i shërbimit të vendrojes, duke theksuar se ishte bërë kontroll nga shefi i tij, me detyrë në Shkodër dhe se ai kishte vënë shënimin për qënien në vendin e shërbimit.

Pas shumë kërkesash të mija, si gjyqtar i çështjes, u bë e mundur paraqitja e librit të shërbimit, ku figuronte shënimi i shefit  dhe pasi i pyet si dëshmitar edhe shefi, u provue se paditësi kishte qënë në krye të detyrës. Arrita në përfundimin se shkaku i largimit nga detyra të këtij polici nuk ishte i bazuar në ligj dhe vendosa:

“Anullimin teresisht te urdherit nr.298, date 22.04.2002 te Drejtorit te Policise se Qarkut Shkoder. Detyrimin e te paditurit, Drejtoria e Policise se Qarkut Shkoder te rimarre ne Polici ne rolin baze paditesin Paulin Çuni, duke i paguar atij pagen qe nga data 05.04.2002 deri ne daten e rikthimit ne pune”.

Kuptohet që për drejtuesit të Dejtorisë së Policisë Shkodër u bëra i pa dashur dhe e ankuan vendimin në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Me daten 25.11.2002, gjykata e apelit   ka vendosur ndryshimin e vendimit te gjykates se shkalles se pare dhe rrezimin e padise me arsyetimin:

– Ne vendimin nr.37, date 29.05.2002 te Kolegjeve te Bashkuara te Gjykates se Larte eshte mbajtur ky qendrim:

“Megjithate me anen e ankimit ne gjykate ushtaraku apo punonjesi i policise….nuk mund te realizoje rikthimin ne detyren qe ka pasur edhe kur eshte larguar prej saj per shkaqe te perligjura, por mund te realizoje te drejten per t’u kompensuar financiarisht per demet e shkaktuara nga nderprerja e kontrates se sherbimi t…. nepunesit publike te kesaj kategorie ne asnje rast nuk mund te mbrohen me padi per rikthimin ne detyren qe kishin”. Ne kete kuptim kthimi ne detyre si polic i paditesit nga gjykata eshte i gabuar.

– Paditesi ne ngritjen e padise nuk ka kerkuar demshperblimin per kohen e qendrimit pa pune, keshtu qe gjykata e apelit ne baze te nenit 6 te K.Pr.Civile nuk mund te shprehet per kete, megjithese largimin nga puna te paditesit Paulin Çuni, gjykata e ka quajtur te padrejte.

I bindur se vetëm rrëzimi i padisë nuk ishte me vend, pasi paditësi dhe avokati i tij bënë rekursin, i kërkova takim kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Thimio Kondi. Më caktoi orën dhe datën e takimit dhe bashkë me kryesekretarin e gjykatës së shkallës së parë Shkodër, që mbante dosjen e çështjes, shkova në zyrën e tij.

I shpjegova për sa kishte ndodhur dhe insistova që për mua ishte e papranueshme që të largohet nga detyra  një punonjës policie, pa kryer asnjë shkelje dhe të mos përfitojë nga gjykata kthimin në vendin e punës.

Mbaj mend se i bërë këtë pyetje: “Si mundet që nuk mund të kthehet në punë  një punonjës i ndershëm policie, që në një rast hipotetik largohet nga puna nga një epror që është pjesë e mafias? I kujtova se ushtarakët gëzonin të drejtën e kthimit në punë, kur  Gjykata e gjente të pambështetur në prova e ligj lirimin e tij nga detyra.

Nuk shihja dallim në mes të detyrës së ushtarakut dhe asaj të policit, sikurse nuk shoh as sot, përsa i përket rikthimit në detyrë në rastet kur provohet që largimi i tyre ka qënë i pambështetur në ligj.

Mu duk sikur e binda kryetarin e Gjykatës së Lartë, ngaqë vendosi t’a kalojë çështjen për gjykim në kolegje të bashkuara, pasi u konsultue me ndihmësat e tij, duke i bërë të ditur qëndrimin tim.

Për çudinë time, Kolegjet e Bashkuara nuk e pranuan qëndrimin tim dhe vendosën me shumicë votash(8 me 6) që :

E drejta e rikthimit ne pune nuk gezon mbrojtje gjyqesore, ndersa e drejta e demshperblimit eshte nje e drejte qe gezon mbrojtje. Pala qe demtohet nga nje pushim i pa drejte nga puna gezon te drejten e demshperblimit ne rruge gjyqesore.

Çështja në fjalë u kthye për rigjykim në Gjykatën e Apelit Shkodër, e cila në zbatim të detyrave të lëna nga Kolegjet e Bashkuara nuk e kthej në punë paditësin, por e detyroi Drejtorinë e Policisë Shkodër që t’i paguajë atij pagën e një viti.

Në vijim, asnjë punonjës policie, i larguar padrejtësisht nga detyra, përfshirë edhe drejtues të saj nuk u kthyen në detyrë nga gjykatat, megjithëse i fitonin gjyqet. Numri i policëve të larguar nga puna që nga viti 2003 është i konsiderueshëm dhe largimet masive kanë ndodhur me rotacionet e pushteteve.

Nëse  kryetari i Gjykatës së Lartë do të ishte bashkuar me pakicën, nuk do të kishim largime të shumta nga detyra të punonjësve të policisë dhe shpenzime prej qindra miliona lekësh për dëmshpërblimin e tyre nga taksapaguesit shqiptarë.

Megjithëatë, kjo i përket historisë, por unë insistoj se ma mirë vonë se kurrë, pra ky është qëllimi i këtij shkrimi, që t’i baj thirrje ligjvënësve të ndryshojnë  në ligjin nr.108/2014  Për Policinë e Shtetit, nenin  95, pika 6, ku thuhet: Shkeljet e disiplinës

  1. Shkelje disiplinore është çdo veprim ose mosveprim i punonjësit të policisë, që bie në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Policisë.
  2. Shkeljet disiplinore kategorizohen në shkelje disiplinore të lehta dhe shkelje disiplinore të rënda.
  3. Punonjësi i policisë, ndaj të cilit merret masë për shkelje të lehtë disiplinore, ka të drejtë të ankohet tek eprori i punonjësit që i ka dhënë masën, brenda 5 ditëve nga çasti i marrjes dijeni me shkrim për dhënien e masës disiplinore.
  4. Punonjësi i policisë, ndaj të cilit merret masë për shkelje të rëndë disiplinore, ka të drejtë të ankohet në komisionin e apelimit, brenda 10 ditëve nga çasti i marrjes dijeni me shkrim për dhënien e masës disiplinore.
  5. Gjatë procesit të ankimit, punonjësit të policisë duhet t’i garantohet e drejta për t’u informuar, dëgjuar dhe mbrojtur në përputhje me parimet e Kodit të Procedurave Administrative.
  6. Punonjësi i policisë ka të drejtë të ankimojë vendimin e dhënë, sipas pikave 3, 4 dhe 5, të këtij neni, në gjykatën administrative të shkallës së parë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Përveç se në argumentet e mësipërme, qëndrimin tim e mbështes edhe në faktin se në ligjin Nr. 59/2014, në nenin 30, pika 4 “PËR KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”(shfuqizon ligjin nr.9171, date 22.01.2004) thuhet

Neni 30/ Ankimi për procedurën e daljes në rezervë/lirim

  1. Për mosmarrëveshjet që lindin për nxjerrjen në rezervë/lirim nga shërbimi ushtarak në Forcat e Armatosura, ushtarakut, përveç atij me gradë madhore, i lind e drejta të ankohet te Ministri i Mbrojtjes brenda 30 ditëve nga data e njoftimit për nxjerrjen në rezervë/lirim.
  2. Ministri i Mbrojtjes, brenda 30 ditëve, shqyrton dhe vendos për ankesën.
  3. Kur mosmarrëveshja nuk zgjidhet ose organi kompetent nuk e ka shqyrtuar kërkesën në afatin e caktuar në pikën 2, të këtij neni, ushtarakut i lind e drejta të ankohet në gjykatën administrative brenda 30 ditëve.
  4. Kur akti i shfuqizuar nga gjykata ka të bëjë me nxjerrjen në rezervë ose në lirim të ushtarakut, ai rikthehet në detyrën e mëparshme ose në një detyrë tjetër të të njëjtit nivel me atë të mëparshmen.

Sikurse shihet më lart, aktet për lirimet nga detyra të ushtarakëve dhe policëve shqyrtohen nga gjykatat administrative, të cilat kanë kompetence të kthejnë në punë ushtarakët, ndërsa për policët kanë kompetence të japin dëmshpërblime në vlerë leku, por jo kthim në punë të tyre.

Duke pare gjatë karantinës ushtarin dhe policin duke kryer të njëjtin shërbim, nuk arrij të kuptoj pse ka ndryshime në të drejtat e tyre. Aq më tepër kur punonjësit e policisë gjatë kësaj karantine po sakrifikojnë pothuajse baraz me mjekët dhe personelin shëndetsor, e ndjeva për detyrë t’i ndaj me ju, të dashur miq të facebook-ut, eksperiencën dhe mendimet e mija për këtë çështje, si një formë mirënjohje për punën e tyre para, gjatë dhe pas karantinës. Kushdo mund t’a përdorin këtë shkrim pa pasur frikë se shkel të drejtat e autorit.

/ Fax News

SHKARKO APP