Pseudointelektualët po zhysin shoqërinë shqiptare në krizë

Nga Sadedin Çeliku- Me fjalën intelektual është abuzuar aq shumë saqë deformimet nuk kanë të sosur. Dikush mendon se çdo njëri me arsim të lartë është intelektual, dikush tjetër që punon në institucion qëndror e quan veten po intelektual, një deputet që s’ja ka dëgjuar zërin askush në foltoren e parlamentit, apo diplomat që nuk ka prodhuar asgjë për të mirën e vendit sërish e quan veten intelektual, por ka dhe ca që posedojnë ndonjë gradë shkencore dhe e quan veten intelektual. Në kohën e sistemit që lamë pas nuk ishte e lehtë të merrje një gradë shkencore sepse ato shkallëzoheshin nga kandidat shkencash, docent, doktor shkencash e më pas profesor. Ai që merrte gradën profesor kish punuar gjithë jetën dhe i takonte ta merrte atë gradë përgjatë moshës së tretë. Sot ndodh që gradën e merr dhe 27 vjeç mjafton të kesh para.

Duke dashur ta përkthejë këtë fjalë, mendoj se intelektual është ai që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të caktuar të shkencës dhe teknikës, të kulturës, një formim të gjerë arsimor, njeri i punës dhe i pendës, ata që kryejnë vepra në dobi të publikut, vendit dhe kombit. Dikur kishte dhjetëra institute kërkimore shkencore, sot më duket se kanë mbetur nja dy, tre, që nuk prodhojnë asgjë dhe jo më shkencë. Gjithashtu akademia e shkencave nuk funksionon ose funksionon pa akademikë dhe kësisoj ju ka mbetur vetëm emri, dhe ata që e menaxhojnë merren me sallën ku marrin ndonjë lek nga ata që kanë ndonjë aktivitet, pra japin sallën me qira. Kjo është vlera që ajo ka sot.

Sot kemi mjaft pseudointelektual, me qindra doktorë shkencash, as. profesorë dhe profesorë që s’i kanë sjellë asnjë të mirë vendit dhe jo më kombit. Janë pikërisht këta që kanë mbushur vendin me diploma false, janë po këta që në mungesë të drejtësisë nuk dënohen për mitmarrje e më gjerë. Nëse ka vend fjala informalitet, nëse qeveria ka vullnet vertet ta luftojë informalitetin, jo vetëm tek bizneset e subjektet private por kudoqoftë, atë duhet ta fillojë nga universitetet jo publike që i bënë shqiptarët pa arsim të mesëm me diploma universitare dhe ata që si duhen as dreqit me grada shkencore. Pseudointelektualët të graduar me diploma e tituj shkencorë prodhojnë gjithnjë intelektualë të profilit ideologjik e partiak por jo të nivelit kombëtar. Pra nuk i shërbejnë shkencës dhe as kombit.

Sipas Bledar Priftit “ ne nuk kemi një klasë të mirëfilltë intelektualësh që janë bërë të tillë përmes punës shkencore, por ne kemi patur individë të cilët u graduan përmes lidhjeve me pushtetin dhe parasë”. Një filozof i madh ndër të tjera ka theksuar se “ armiku më i madh i diturisë nuk është padija, por iluzioni se je i ditur”.  Pra këta pseudointelektualë futën në qorrsokak një shoqëri të tërë pse jo gjithë shqiptarët. Në gjykimin tim reforma e drejtësisë po bëhet parciale sepse veting nuk kërkohet vetëm në sistemin e drejtësisë por duhet shkallëzuar edhe tek gjithë ata që kanë marrë grada shkencore nëpër kafene. Po bëhet reforma arsimore që nënkupton vlerësimin e aftësive e meritokracisë të mësueseve, po ata që na bëjnë karshillëk me gradat shkencore të marra me para pse nuk bëhet ? Kur do të vendoset drejtësi ? a mund të eci përpara demokracia dhe shoqëria shqiptare me këto qëndrime?

Në Gjermani dha dorëheqjen Presidenti i vendit vetëm pse kish bërë plagjiaturë të gradës shkencore dhe në Itali Presidenti nuk mandatoi kryeministrin sepse mendonte se kishte gënjyer në CV e tij. A mundet të ndodhin tek ne këto gjëra dhe kur vështirë se do të ndodhin ndonjëherë.

SHKARKO APP