Putin dhe rendi i ri botëror

Nga Marjana Doda

Historia përsëritet. Ajo çfarë po ndodh aktualisht me Rusinë, sidomos pas fitores së Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale më 18 Mars, bën të besosh jo vetëm në realitetin, por dhe në mistikën. Pas shembjes Perandorisë të Car Nikollës II- të në Tetor 1917, që shënon fundin e Romanovëve dhe fitoren e bolshevikëve me Vladimir Lenin në krye, me shembjen e Perandorisë Bolshevike më 1989, dhe më pas me ardhjen në pushtet të Vladimir Putin, duket sikur po ringrihet Rusia e dikurshme. Rusët e konsiderojnë dekadën e viteve ’90-të si periudhën më të keqe në historinë e tyre, ku megjithë politikën e Perestrojkës të Mikhail Gorbaçov, vendi u përfshi nga skamja dhe varfëria ekstreme, gjë e cila bëri që puçi i gushtit 1991 të sjellë në krye të Rusisë presidentin Boris Jelcin. Me marrëveshjen e Minskut më 8 dhjetor 1991, pasi humbi Evropën Qendrore, Rusia humbi dhe perandorinë e ndërtuar nga Carët. Për gati një dekadë të dekadencës nga inflacioni dhe korrupsioni, të lodhur nga Presidenti Jelcin, bëri që sipërmarrës e forca sigurie për të shpëtuar tatëpjetën e vendit të tyre në vitin 2000 të sjellin në fron Putinin, i cili në atë periudhë premtoi të hakmerrej ndaj korrupsionit e indipentizmit çeçen.

Me ardhjen e tij në pushtet me rritjen e çmimit të naftës e të treguesve ekonomikë, me marrjen e Krimesë dhe afirmimin e Rusisë si fuqi përcaktuese në çështje ndërkombëtare, Vladimir Putin rriti krenarinë kombëtare të popullit të tij. Dhe pse zgjedhjet u kontestuan nga Perëndimi për mungesë të lirisë dhe të konkurrencës ndershme, fitorja e tij në rreth 77% e votuesve e bëri kultin e tij gati të paalternueshëm. Fakti që votimi i rusëve jashtë Rusisë ishte në mbi 80% pro tij, duket sikur politikat e tij i shkojnë për shtat krenarisë së kombit të madh .

Shifrat ndër vite flasin se, nëse vitin 1991 rreth 80% e rusëve admironin Perëndimin, aktualisht kjo shifër është reduktuar në rreth 20% të tyre. Në një dokumentar ku flitet “Për 15 vjet me Rusinë e Putinit”, duke e radhitur atë ndër 5 fuqitë botërore, Putni thotë: “Ne të gjithë kemi patur iluzione se ideologjitë e mbajtën Bashkimin Sovjetik të ndarë nga Perëndimi dhe se bota e qytetëruar nuk e mirëpriti asnjëherë Rusinë, madje u përpoq edhe t’ia hiqte asaj shumë vende që i përkisnin”.

Po përse Rusia? Duke qenë një vend në krye të globit, me sipërfaqen më të madhe në botë prej 17 075 225  Km2 e shtrirë në tre kontinente dhe me një popullsi prej rreth 139 milionë banorë, me role të rëndësishme në të gjitha periudhat historike, djepi i kulturës dhe shkencës botërore, vendi i resurseve natyrore, me potencial ekonomik, ushtarak e bërthamor, APEC–ut, i Këshillit Sigurimit në OKB, etj. detyrimisht e bëjnë atë një faktor të rëndësishëm gjeopolitik, gjeoekonomik, gjeoushtarak.

Duke qenë flamur i doktrinës marksiste-leniniste për mëse 70 vjet, krijuan Bashkimin Sovjetik me 15 republika tjera socialiste e aleatë të shumtë. Edhe pas shpërbërjes me ndikim në vende e rajone të ndryshme, si në Kinë, Korenë e Veriut, Iran, Siri, Ballkan, etj, e bëjnë Rusinë që në rast tensioni e presioni të ndezë arteriet e saj kudo nëpër botë.  Sot, gjithçka me Rusinë dhe politikën ruse po lidhet me një emër, Vladimir Putin, i cili duke qenë një ish agjent i KGB-së bën që çdo politikë e tij të paragjykohet si konspirative.

Tashmë Vladimir Putin gjithmonë në rritje po akuzohet nga Perëndimi për krijim oligarkësh e ekspansione ushtarake e spiunazhi. Po a është vërtet Putini “ i tmerrshëm”?  Kjo më bën ta përkrahësoj me “Ivanin e Tmerrshëm” ( Ivani IV) në shek.XVI, i cili njihet si figurë interesante e Rusisë, që kishte hobi kuajt, porse ikja e tij më 1564 e zhyti Moskën në mjerim, ku dy herë populli dhe të dërguarit e kishës i kërkuan të kthehej. Ashtu si dikur “Ivani i Tmerrshëm”, Putini u thirr në skenë nga Jelcini, pse jo dhe nga populli, me hobi kuajt, notin, etj, dhe tashmë i akuzuar nga Perëndimi, pra duke u cilësuar si “Putini i Tmerrshëm”.

Zgjedhjet Presidenciale të 18-Marsit në Rusi u mbajtën në kohën kur marrëdhëniet e këtij vendi me Perëndimin janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Vladimir Putin, i cili ka drejtuar vendin si president apo kryeministër që në 1999-n, tashme do të drejtojë Rusinë për 6 vjet të tjera. Perëndimi nuk reagoi ndaj fitores së tij, përveçse Donald Trump, i cili më 20 Mars e telefonoi dhe uroi për fitoren. Para gazetarëve në takimin me princin saudit Mohamad Bon Salam Trump u shpreh për Putinin se: ” Ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët që të diskutojmë për armët. Mund të diskutojmë për garën e armatimeve që ka dalë jashtë kontrollit, si dhe çështjeve të rëndësishme si Ukraina, Siria, Koreja e Veriut” .

Por a po e sfidon Putini rendin botëror unipolar? Fitorja e Putinit për 6-vjet në krye të Kremlinit sikur e ka tronditur botën. Mediat ne Ballkan dhe me gjere nxituan te citojnë Profeten e famshme bullgare Baba Vanga, Ajo kishte thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe Rusia do të dominojnë të gjithë botën. “Në vitin 2018 dy ngjarje do të ndryshojnë botën” Lufta e Tretë Botërore ” dhe Ajo (Rusia) do të bëhet mjeshtër e botës. Vetëm një vend do të mbetet i paprekur- Lavdia e Vladimirit, lavdia e Rusisë”,- tha profetja e verbër.

Aktualisht bota duket sikur është në prag të Luftës së Trete Botërore. Përpjekja për të vrarë më 4 Mars 2018 me agjent nervor Novichok në Salisbury të Britanisë Madhe agjentin e dyfishtë Sergej Skripal dhe vajzën e tij Julia, thuajse e ndezi këtë luftë, pikërisht në prag të zgjedhjeve presidenciale në Rusi. Lidhur me këtë ngjarje Sekretari Jashtëm britanik Boris Xhonson më 16.03.2016 deklaroi se:”Ne nuk kemi asgjë kundër rusëve. Nuk do të ketë rusofobi si rezultat i asaj që ndodhi. Grindja jonë është me Kremlinin e Putinit dhe me vendimin e tij”.

Vetë Vladimir Putin nuk reagoi para zgjedhjeve për këtë akuzë të britanikëve, por ju bëri thirrje rusëve se: “Ne në Rusi e kemi vendosur gjithmonë fatin tonë, kemi bërë gjëra në mënyrë të ndërgjegjshme, duke kuptuar të vërtetën dhe drejtësinë. Dashuria jonë ndaj atdheut na ka udhëhequr. Kjo është në karakterin tonë kombëtar që është e ditur dhe në botë”. Ndërsa disa javë para zgjedhjeve në konferencë me mediat do theksonte:” Çdo sulm i mundshëm bërthamor ndaj një aleati të Moskës, do të konsiderohej si një sulm ndaj vetë Rusisë dhe do të marrë përgjigjen e menjëhershme”. Ndaj Rusisë u mbajt një qëndrim për dëbimin e diplomatëve rusë në shenjë solidariteti me Mbretërinë e Bashkuar për helmimin e agjentit Skripal,nga shumë vendeve të BE-së, po ashtu dhe Shqipëria. Por nuk ndalon këtu “përplasja” e Rusisë dhe Perëndimit. Tensionet mes tyre së fundmi janë shtuar pas sulmit të forcave qeveritare të Asad të dyshuar me arme kimike në Douma në Siri. Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të tyre kanë fajësuar forcat siriane për sulmin, ndërsa Siria dhe Rusia i kanë mohuar akuzat se sulmi me armë kimike është ndërmarrë nga ushtria e presidentit Bashar al-Asad.

Në mesazhin e plotë të Presidentit Trump në Twitter thuhet: Përgatitu Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe “inteligjente!” Ju nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret popullin e vet me gaz dhe kënaqet duke e bërë këtë!”Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha në përgjigje të komenteve të Presidentit Trump, se “raketat inteligjente duhet të drejtohen ndaj terroristëve, e jo ndaj qeverive të ligjshme”. Ndërkohe Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha të mërkurën se të gjitha palët e përfshira në Siri duhet të përmbahen nga veprimet që mund të destabilizojnë rajonin. Gjithsesi analistet paralajmërojnë se një reagim tepër i fuqishëm ndaj sulmit të fundit kimik rrezikon shkallëzimin e luftës civile në Siri dhe shtimin e tensioneve ushtarake midis fuqive të mëdha botërore.

Për Perëndimin Rusia vlerësohet dukshëm si armiku që nuk lejon promovimin e demokracisë, ndoshta kjo dhe për shkak të kulturave të ndryshme Lindje-Perëndim, por gjithsesi është i pashmangshëm të qenurit të saj faktor global. Bota po mban frymën, askush nuk do më luftë, ndaj liderët botërore duhet të ulen në bisedime në emër te paqes dhe jo të shkojnë drejt luftës në “emër të paqes”.

SHKARKO APP