Qarqet me numrin më të lartë të aborteve. Vlora, Berati dhe Tirana
Demografia e Shqipërisë ka hyrë në një cikël krize, prej emigracionit të lartë, rënies së numrit të lindjeve, rënies së martesave, rritjes së divorceve dhe aborteve të larta gjithashtu. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të raportuara nga INSTAT, qarqet e Vlorës, Beratit dhe Tiranës kishin numrin më të lartë të aborteve në raport me numrin e lindjeve të gjalla më 2017, pasi gati 25 % e shtatzënive janë ndërprerë.
Në Vlorë u shënuan 274 aborte për 1000 lindje të gjalla, ndërsa Berati u rendit i dyti në 12 qarqet e vendit për numrin e lartë të aborteve, pasi në vitin 2017 rezultuan 231 aborte për 1000 lindje të gjalla. Në Tiranë numri i aborteve gjithashtu ishte i lartë, pasi si rezultuar 231 ndërprerje shtatzënie për 1000 lindje të gjalla.
Në krahun tjetër n8umri më i ulët i aborteve ishte në qarkun e Kukësit ku rezultuan vetëm 54 aborte për 1000 lindje të gjalla, gjithashtu në Elbasan ishin vetëm 55 aborte për 1000 lindje.
Në qarqet e Korçës, Dibrës dhe Shkodrës numri i aborteve ishte më i ulët se mesatarja kombëtare.
Në vitin 2017 në shkallë kombëtare numri i aborteve ishte 171 për 1000 lindje. Në 5 vitet e fundit, vihet re një ulje e ndjeshme e lindjeve, shoqëruar dhe me ulje të numrit të aborteve gjithsej. Në vitin 2017, raporti i numrit të lindjeve me abortet është 1 abort në 5.8 lindje. Raporti i abortit është indikator që ka pësuar rënie me rreth 15 %, krahasuar me vitin 2013. Numri i aborteve jo domosdoshmërisht shkon paralel me numrin e lindjeve të gjalla. Ka qarqe si Gjirokastra dhe Vlora ku numri i tyre i lindjeve është relativisht i ulët, por raporti i abortit rezulton i lartë. E kundërta ndodh për qarqet e Tiranës dhe Elbasanit ku numri i lindjeve është i lartë, por kjo nuk reflektohet tek raporti i aborteve. /Monitor/