Që kombi të mos “gërmadhohet”

Nga: Rahim Ombashi

(Një koment modest përkujtimores së Berishës për të ndjerin Kiço Blushi)

I nderuar Doktor Berisha.

Një fjalë e urtë frënge thotë se siç e fyen tjetrin ashtu je vetë, për analogji dhe e kundërta e saj. Nga të parët shtetarë të lartë ju shprehët ngushëllime të sinqerta për humbjen e Zotëri Kiço Blushit, shkrimtarit dhe shtetarit të të gjithëve, por kundërshtarit (asesi hasmit vetjak) në politikë. Korçarët, veçmas të gjithë ne që studiuam gjuhë-letërsi, krenoheshim me Selami Pulahën, Arsinoi Binon, Dritëro Agollin, Teodor Laçon, Dhori Qiriazin, Ruzhdi Pulahën, Nasi Lerën e ndonjë tjetër nga të spikaturit e letrave, që mundën ta përfaqësonin me dinjitet jashtëkohësinë shpirtërore të mishëruar si këshillë, duke ecur në gjurmët e luçidëve që u kishin çelur udhë, por ishin dënuar me heshtim vrastar: Mithat Frashëri (Emine Mirahori, e gjyshja,është korçare) Lasgush Poradeci, Hafiz Ali Korça, pjesërisht Noli, për mos hyrë më herët në histori. I patëm edhe modele, sepse kishim nevojë për t’iu kundërvënë parafabrikateve të albsocit, pa shpirt gjer në neveri. Atdheu igrishi në fillim të nëntëdhjetave dhe ata zunë vendet që u takonin. Me të djathtën Selamiu (vdekja tinzare e pengoi të dëshmohej, siç e kishte vendosur), Teodori, Dhori, Ruzhdiu, kurse te e majta, që filloi të moderohej pasi ndryshoi emrin, Dritëroi, Nasi, Kiçoja. Dinjiteti u kërkonte të mos shtireshin, paçka se asisoj mund t’u dilte më mirë hesapi. Dhe kishin aq shumë nevojë, vrima e vrima pa fund, por nuk u turpëruan, e kontrolluan vetveten që të josh instiktivisht dhe mbetën model, vetvete plot integritet.

Duket binomi Fe-Atdhe, i shfaqur në vitet tridhjetë, u kishte shërbyesi jatak për t’u rritur e maturuar si individualitete krijuese, prandaj e gjenin gjuhën sa herë duhej për interesin kombëtar, pa e përzier besimin ideologjik e politik, që i joshte pa pra, por që e ruanin veç për vete. Atdheu filloi të mbyllte plagë, bashkëqytetari i tyre ia nisi një jete të re, filloi të ndryshojë moti politik e bashkë me imazhin kombëtar, morali, etika, mendësia, mënyra e të jetuarit, prirjet, kriteret e vlerësimit, dëshirat e deri ëndrrat. Po të kishin vepruar ndryshe, atdheu, kombi do të‘gërmadhohej’më keq nga sa ishte katandisur. (Neologjizëm i Ali Korçës që e kam marrë nga botimi i dytë i veprës “Shtat ëndrrat e Shqipërisë”, ai i vitit 1944, i cili ka edhe plotësime: “…, e kuptova fort bukur se këta zotërinj për t’i plotësuar qëllimet e veta shtetin do ta shpien në greminët. Se si dihet shtetin, vetëm e vetëm, drejtësia e mban në këmbë. Diktatorizma, dhespotizma, padrejtësia e gërmadhojnë.”) Dhe këtë ata si brez nuk e lejuan.

Por jeta, kjo monedhë e mbushur me kohë, bën të vetën, harxhohet sa e si nuk e merr vesh. Nga gjithë ajo gjeneratë e fisshme intelektualësh krijues dhe shtetarësh dinjitarë, ka tepruar vetëm Nasi Lera, i urti vllah deri te përkorja me tepërmi (tamami ati), që jep siguri se nuk e shet shpirtin e paqmë. Kur e takoj së rralli, më nxjerr mallin e ikonave të qytetit tonë namusqar e plot sqimë fine. Duam s’duam të gjithë lëmë pas vetëm kujtimin, qëna grish t’i shërbejmë atdheut, se ndryshe ai (nuk më bën zemra të them: “gërmadhohet”).

*Autori është Dekan i Fakultetit te Shkencave Humane – Universiteti Bedër

SHKARKO APP