Ra tërmet dhe pamë veç Ramën
Nga Agim Xhafka
Dje u mbush muaji nga dita e tërmetit dramatik të 26 nëntorit. 51 viktima, mijëra shtëpi të rrafshuara, qindra miliona euro dëme, ama mijëra orë xhirime me komediografin Rama.
Tani nga TV-ja ne e dimë deri sa qime ka fiks mjekra e tij, sa nga ato i ka të bardhe e sa gri, sa benevrekë e fustane vesh në një ditë. Veç ende s’ka një faturë të dëmeve.
Ka aq rritëm në prezantimin e Ramës sa po duket që ky muaj kaloi si muaj feste dhe jo si gjëmë kombëtare.
Këto ditë qeverisje përmblidhen në thelbin e këtyre episodeve..
1-Sa herë te Calja vinin kushërinj nga fshati,ky u bënte pyetjen e zakonshme:
-Doni një të drekë të mirë, mo?
-Po,-i thoshin ata të lodhur e të uritur.
-Epo shkoni te lokali i Lonit, andej nga stadiumi. Ai gatuan mirë dhe lirë.
Kaq ishte mikpritja e Cales. Më pas nuk i shihte e as i takonte kushërinjtë e vet.
2-Kemi plan solid për rindërtimin, po s’kemi lekë, thotë Rama.
Dhe vërtitet nëpër zonën e tërmetit si Naqja që rrinte orë e orë majë çatisë. Lëvizte papushim antenën paçka se në shtëpi nuk kishte fare televizor.
Të tilla ndodhi gjenden me shumicë në këtë Rampallën tonë. Provo të shkosh fshatrave e qytezave të dëmeve dhe do shohësh me dhimbje se shumica rrinë nëpër çadra ku e ftohta dhe shiu janë mysafirë të shpeshtë. Se mungojnë batanijet,ushqimi e sidomos organizimi.
Vërtiten të dëmtuarit për një copë letër ose një ekspertizë sa nga një zyrë te tjetra. U lexohet dhimbja në sy. Po kur i prek, i takon se nga mediat neveritëse dhe vegla të pushtetit nuk mëson gjë. Madje duket sikur tërmeti na e mori të keqen.
Aq indiferent është ky shtet sa dikush në Laç që kërkoi mbulesa se nata u ftoh e çadra s’e mbron, i erdhi përgjigja që si ata çunat e vegjël që morën bluzat e Ronaldos, ky i moshuar do kishte fatin të bënte karaoke me këngët e Adriano Celentanos.
Sot nis muaji i dytë i pastërmetit. Qysh në mëngjes Rama do na shfaqet me brekushe të reja, apo mbase me mjekër të rruar. Do qeshë e do thumbojë njerëzit hallexhinj e pastaj do hypë te Benzi i zi, do ia mbështjellë me 120 km/orë shoqëruar nga 20 fuoristrada a thua se po lëviz Trump, për në ndonjë hotel me ndriçim e ngrohje mbushur me punonjës administrate që do hiqen si të dëmtuar nga tërmeti.
Atje do ia nisë fjalimit drithëronjës me figura e me lajle lule. Po çadrat mbushur me njerëz nuk do e shikojnë dhe dëgjojnë. Se ata janë në luftë me urinë dhe me të ftohtin.
Ra një térmet dhe pamë veç Ramën.
Si aktor komik që tallet me hallexhinjtë. Si një i pashpirt që tërmetin e përdor makeap të qeverisjes së vrerosur.
Si një budalla që ia kemi dorëzuar fatet tona.
Ra ky tërmet e na mbiu në sy ky monstër…