Rama si njeri i ditur, i kulturuar dhe si orator i madh

Nga Fitim Zekthi

Për vite me radhë, në Shqipëri ka pasur një përpjekje të gjerë për të shfaqur Edi Ramën si një njeri të kulturuar, artist i përkorë me shtrirje shumë më të gjerë sesa piktura, që shkruan dhe flet bukur, të ditur etj.. Kjo përpjekje e gjatë, gati 30-vjeçare, ka krijuar thuajse një mit mbi Edi Ramën si njeri i ditur. Shumica e arsyeve lidhen me pushtetin. Vetë Rama është përpjekur të shfaqet i tillë, i ndihmuar nga një grup njerëzish në media, por edhe në fusha të tjera, në mënyrë që ta përdorë këtë profil për të pasur sukses në politikë. Kjo është e njohur thuajse kudo.

Arsye të tjera kanë elemente psikologjike. Njerëz të ndryshëm, për shkak të inferioritetit, dashurisë, frustracioneve, fiksioneve etj., e kanë parë Ramën si një njeri me kulturë dhe dije të rrallë dhe për shkak të aksesit të tyre në shtyp apo në entitete të tjera ku “krijohet realitet”, kanë ndihmuar në krijimin e këtij miti.

Pak më ditë më parë, si askund në ndonjë vend tjetër, Kryeministri Rama tha se ai ishte një orator i rrallë, se “në këtë fushë nuk shoh asnjë konkurrent dhe nuk matem me asnjë nga këta që janë rreth e rrotull, por matem me ambicien time, që pas meje të lë një sërë fjalimesh që të hyjnë në librin e oratorisë shqiptare, që nga koha e oratorëve të mëdhenj e deri në këtë kohë…”

Vendi është në një krizë aq të rëndë dhe aq të gjithanshme, sa çdo diskutim për gjëra të tilla si oratoria e Kryeministrit apo talentet artistike të tij, do të ishte i gabuar. Çdo diskutim duhet të ketë në fokus vetëm përgjegjësinë e qeverisë dhe të Kryeministrit dhe llogaridhënien, të cilën ata u detyrohen njerëzve, por duke qenë se edhe ky mit i Kryeministrit si orator i rrallë apo njeri me kulturë të madhe është një nga truket gjigante për të mos lejuar zbulimin e së vërtetës, po përpiqemi të shohim nëse ky është një realitet apo një konstrukt.

Nuk ka ekzistuar kurrë në faqe të dheut ndonjë orator i madh apo i rrallë që të mos jetë njeri i ditur, që të mos përcjellë me gjuhën e tij dije të thellë, ide të mëdha, të vërteta të fuqishme. Nuk ka asnjë nevojë të përmendim se si tërë thelbi i oratorisë së Perikliut apo Linkolnit, Patrik Henryit apo Jefferson Douglas-it janë idetë e mëdha dhe dija e thellë, kultura e gjerë dhe forca shpirtërore.

Le të shohim pak mënyrën se si e përcjell kulturën Kryeministri Rama. Disa kohë më parë, për të disatën herë Kryeministri Edi Rama u shfaq duke sharë një qytetar në mënyrën më vulgare të mundshme. Ai i thotë atij: “Çfarë kam vjedhur unë, mor të q… robt…” Ai vazhdon më pas ta kërcënojë dhe shajë. Fillimisht, duhet thënë se kjo ngjarje do të shkaktonte tërmet nëse do t’i ndodhte Emanuel Macron-it, Angela Merkelit, Tereza May-it, Sebastian Kurtz-it apo Ciprasit, Erdoganit, Netanjahut etj. Lerë më të mendosh se në këtë mënyrë mund të fliste me qytetarët e tij Perikliu apo Linkolni.

Pak muaj më parë, Rama, në një konferencë për shtyp, shantazhoi gazetaren Ambrozia Meta, duke i thënë asaj se duhet të pyeste pronarët. Disa vite më parë, Rama i tha një gazetareje që të shkonte të punonte në semafor. Kur një avokat i dërgoi një mesazh natën vonë pak vite më parë, duke i thënë se “fama e Boletinit do të përfshinte Ramën”, ai (Rama) e shau me mesazhe dhe më pas urdhëroi Policinë ta arrestonin. A mund të jetë kulturë e thellë kjo gjë, a mund ta bënte në një konferencë shtypi këtë gjë Martin Luther King apo Franklin Delano Roosvelt (dy oratorë të mëdhenj), apo edhe Merkel e Macron, dy oratorë të zakonshëm!?

Jeta politike e Ramës është e mbushur me sjellje të tilla. Ajo nis me ulërimat në sheshin “Skënderbej” në vitin 2000: “ooooo doktoooooor…” dhe vazhdon deri te sharja “… të q… robt”. E gjithë kjo mënyrë të komunikuari me sharje dhe tallje ecën paralelisht me mënyrën se si Kryeministri Rama dëshmon edhe dijet dhe kulturën e tij.

Le të shohim një aspekt tjetër. Ditën që u zhvillua protesta e parë “Hap kutitë ose largohu”, në vjeshtë të vitit 2009, kryetari i opozitës në atë kohë, Edi Rama, e mbylli fjalimin duke thënë: “Një qeveri mund të mashtrojë një pjesë të popullit për të gjithë kohën, të gjithë popullin për një pjesë të kohës, por kurrë të gjithë popullin për të gjithë kohën”. Rama nuk tha se ku e kishte marrë këtë fjali. Ajo është një fjali monumentale e Presidentit Abraham Lincoln në debatin me Jeffeferson Douglas në Illinios, në vitin 1858. Pra, Rama u hoq sikur ishte ai autori i asaj fjalie. Këtu nuk kemi ç’themi asgjë për kulturën e Ramës apo dijet e tij.

Ish-zëvendëspresidenti, Joe Biden, doli nga gara për President në vitin 1988 sepse përdori një metaforë të kryetarit të Partisë Laburiste, Mc Kinnock, dhe nuk e citoi. Sigurisht, Rama as ia ka idenë e debateve të Lincoln me Douglas dhe as ia ka idenë se ç’ka thënë Lincoln. Atij i ka pëlqyer citati dhe e ka përdorur si të tijin për t’u dukur i ditur.

Në vitin 2013, në shtator, Kryeministri Rama mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës. Ai tha atje se “mes Kosovës dhe Shqipërisë do të kishte një kufi të padukshëm, si ai për të cilin flet Lisa Hopkins”. Rama tregoi që nuk ia ka idenë fare se çfarë është Lisa Hopkins, çfarë është kufiri i saj i padukshëm. Lisa Hopkins është një studiuese e letërsisë dhe veçanërisht e Shekspirit. Ajo nuk ka folur kurrë për kufij mes vendesh apo shtetesh. Ajo thotë se në veprën e Shekspirit ka shumë liqene, zana, kodra me bar dhe pyje për shkak të folkut kelt. Ajo thotë se aty nuk kuptohet kufiri mes zanave, mes liqenit, qiellit, pyllit, kafshëve të ujit dhe të tokës etj. Dhe Rama e merr këtë, nuk dihet nga e ka gjetur, i duket e bukur dhe e përdor për të treguar se si do ta bëjë ai kufirin me Kosovën (hajde oratori hajde, hajde kulturë dhe dije hajde).

Kur u miratua buxheti i vitit 2014 në Parlament, Kryeministri Rama, i cili po mbronte paketën fiskale, ku futej taksa progresive, citoi Ludvig Von Misses. Rama duket që nuk ia ka idenë se Von Misses është filozofi dhe ekonomisti, që ka themeluar shkollën e mendimit të taksave të ulëta, të kundërshtimit të ashpër të taksës progresive dhe të një roli shumë të vogël të shtetit në ekonomi. Pra, ai citoi një ekonomist që është kundër asaj që ai po bënte, si argument pro asaj që ai po bënte.

Në një emision, tek Ilva Tare disa vite më parë, Edi Rama tha: “Kanti thotë një gjë shumë të bukur: kur e akuzon tjetrin për diçka pa fakte, në fakt e akuzon për atë që ti vetë do bëje në vendin e tij”. Rama tregoi se as ia ka idenë fare se ç’ka thënë Kanti, se cila është filozofia e tij etj. Rama thjesht e përmendi për të treguar se ai e njeh filozofinë. Kanti është një nga filozofët më të thellë të historisë së mendimit, i njohur për kontribut të rrallë në trajtimin e koncepteve abstrakte, me një gjuhë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Por, për të kuptuar sa qesharake është ajo që tha Rama, po themi që Kanti shprehej se “në një kuptim, nuk ka fakte në natyrë ose më mirë ka një pafundësi faktesh potenciale në natyrë, nga të cilat gjykimi zgjedh disa, të cilat bëhen vërtet fakte nga vetë akti i përzgjedhjes”. Kanti u përpoq të pajtojë racionalizmin me empirizmin dhe këtë e bëri duke zhvendosur fokusin nga objekti njohës te subjekti njohës dhe kështu që nuk mund të thoshte kurrë atë fjali qesharake që tha Rama. Rama thjesht e sajoi për t’u dukur i ditur. Edhe studentët e vitit të parë e dinë që Kanti nuk e thotë atë gjë.

Dija dhe kultura e Ramës duket e formuar gjerësisht nga filmat dhe sidomos nga ata të Kinostudios. Ai citon shpesh filma, fjali apo detaje nga ata. Ai i tha një herë gazetarit Babaramo se në filmin …. “ku luan Sean Connery, ai i thotë filanit kështu…”. Në një rast tjetër, Rama debatoi me një gazetar në një emision në TVSH për emrin e vërtetë të një aktori dhe për çfarë ai thoshte për filmin; një herë tjetër Rama i tha një gazetari tjetër në një intervistë se natën vonë shihte filma dhe ata e bënin të kuptonte më mirë botën. Në të vërtetë, filmat ose disa prej tyre janë të bukur dhe i japin njeriut kënaqësi, por ata nuk të bëjnë njeri me kulturë apo të ditur. Nga ata nuk mësohet as historia, as ekonomia, as politika, as filozofia, as sociologjia, as Von Misses, as Kanti, as Lincolni, as Hopkins etj.

Po të vëresh retorikën e Ramës, ajo është e mbushur me batuta nga filmat e socrealizmit të Kinostudios. Ai nëpërmjet këtyre batutave njeh edhe historinë e Shqipërisë. Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga librat, nuk e njeh nga punimet e profesor Ferit Dukës, prof. Nevila Nikës, prof. Dritan Egros, prof. Muharrem Dezhgiut, prof. Kasem Biçokut, prof. Afrim Karagjozit etj. Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga punimet e Marin Sirdanit, Branko Merxhanit, Tajar Zavalanit, Vangjel Koçës etj.

Ai ka raste kur iu drejtohet deputetëve në Kuvend duke iu kujtuar detaje nga filmat e komunizmit, si p.sh. “ballistët që hanë pula, ose çingijet që prishin koncertin etj”. Në shumë raste, ai përmend personazhe nga ata filma si Bamkë Qylollari, Plaku Mere etj. Dikur ai i tha Fatos Nanos: “Je bërë si Robert Çamkakizi”. Një herë përmend batuta të një personazhi të quajtur Pjetër Mustakuqi etj. Pra, tërë dija dhe kultura e Ramës rrotullohet te filmat e komunizmit dhe te batutat e tyre. Me anë të këtyre batutave, të cilat ai i di thuajse të gjitha përmendësh, ndërton narrativë apo sulmon kundërshtarët.

Rama është një njeri i sipërfaqshëm, që ia ka dalë të shfaqet si ditur dhe i kulturuar në një mjedis të sunduar nga frustracione dhe mungesa e moralit të atyre që kontrollojnë mediat dhe jetën publike. Një njeri me kulturë të tillë, me dije të tilla, nuk mund të jetë kurrë një orator. Megjithatë, ai ka dështuar rëndë si Kryeministër për shkak se nuk është orator. Ai ka dështuar rëndë edhe për shkak të nevojës së thellë që ka për të qenë “i dituri”, “oratori, “lideri i madh në gjithçka”, “ai që nuk është si të tjerët”, “ai që i dominon dhe i sundon të gjithë”.

SHKARKO APP