Ramush Haradinaj, komandanti që vijon “luftën”

Nga Lutfi Dervishi  –

Njeriu që do të intervistoj sot ka dhënë shumë për Kosovën: ai ka luftuar me armë në dorë,  është plagosur, anëtarë të familjes së tij kanë dhënë jetën në luftë për çlirimin e vendit,
Ai vetë ka provuar në duar prangat në disa shtete (në Ljubjanë, në Paris, në Hagë). 
Prej 18 muajsh ai është për herë të dytë kryeministër i shtetit më të ri në kontinent, shtetit të dytë shqiptar, që vetëm dy javë më parë festoi 11 vjetorin e pavarësisë.
Ai thotë se e do çdo shqiptar kudo që ndodhet dhe është i sinqertë kur thekson se kur vjen çështja tek afrimi i Shqipërisë me Kosovën më shumë se punë kemi fjalë.
Kur e pyesin njerëz që nuk e dinë ku bie Kosova, thotë se në Kosovë do të gjeni bujari dhe mikpritje sepse “bota (nënkupto këtu Perëndimin) është treguar shumë bujare me ne”.
Perëndimi, që zhvilloi për Kosovën luftën e parë dhe deri tani të vetme për të drejtat e njeriut dhe jo për territor apo influencë, sot duket i ndarë pikërisht për debatin e hapur për “kufijtë e Kosovës”.
Me stilin që duhet ta ketë trashëgim nga koha e luftës, kryeministri drejton qeverinë në një mënyrë që të kujton mobilizimin e trupave në betejë.
Si për ironi, betejat që zhvillon në paqe të kujtojnë thënien e Mit‘hat Frashërit: shqiptarët do të fitojnë çdo luftë me kusht që të mbyllin luftërat me njëri – tjetrin!
Kryeministri është njeri që bashkon (koalicioni që i dha drejtimin e qeverisë është dëshmi e forcës së tij imponuese dhe bashkuese), por edhe njeri që ndan me qëndrimet e tij të forta, më i diskutuari rasti i taksës.
Edhe kur bashkon, edhe kur ndan, ai është i vendosur dhe këmbëngulës. Por shpesh në politikë të kesh të drejtë është një gjë dhe të bindësh është një gjë tjetër. – Për qëndrimin për taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës i është mohuar së fundmi edhe marrja e vizës për të udhëtuar në SHBA.
Jeta e tij është dëshmi se është i gatshëm të mbaj kosto dhe kjo është një cilësi sublime: Pyetja është po kur kostot rrezikon t’i mbajë vendi?! #Përballëme Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj! Sonte, ora 21.00, në RTSH 1.

SHKARKO APP