Raporti: Shqipëria bën hapa pas në 2019, përkeqësohen indikatorët ekonomikë!

Shqipëria renditet në pozicionin e 65-të në botë ndër 167 shtete të ndryshme në “Indeksin global të prosperitetit 2019”, i publikuar si çdo vit nga Instituti Legatum.

Renditja e këtij viti shënon përkeqësim mjaft të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, kur renditeshim të 64-tët në botë.

Dy vite më parë ndërkohë mbante pozicionin e 75-të. Ky indeks është ndër më prestigjiozët në kategorinë e atyre që masin zhvillimin dhe mirëqenien e një ekonomie dhe shoqërie të caktuar.

Në krahasim me rajonin, Shqipëria vijon të mbetet e parafundit, me Bosnje Hercegovinën në vend të fundit.

Në krahasim me kontinentin ndërkohë, është më mirë se Bjellorusia, Ukraina, Moldavia dhe Rusia apo Turqia.

Indeksi i përgjithshëm përpilohet mbi bazën e 3 shtyllave, secila prej të cilave me nga 4 nën-indikatorë, që vlerësohen si kyç për të matur nivelin e prosperitetit të një shoqërie, si: ambienti i biznesit, cilësia e ekonomisë, qeverisja, shëndeti, arsimi, niveli i zhvillimit të një shoqërie, etj.

Në atë të cilësisë ekonomike, vendi ynë renditet në vendin e 113-të në botë, duke u vendosur në pozita aspak të favorshme, dhe duke zbritur 4 pozicione në krahasim me vitin e kaluar.

Sa i përket ambientit të biznesit, Shqipëria renditet e 65-ta në botë, në rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.

Performanca më e keqe ndërkohë vjen në drejtim të kapitalit social, që na rendit të 120-tët në botë. Ky nën-indikator mat jo vetëm marrëdhëniet personale dhe shoqërore, por edhe normat shoqërore të një vendi si dhe pjesëmarrjen civile në mbarëvajtjen e vendit.

Vendi ynë klasifikohet ndër 10 vendet që ka bërë përmirësimin më të madh në 5 vitet e fundit. “Prosperiteti i Shqipërisë është përmirësuar gjatë 5 viteve të fundit, nxitur kryesisht nga hapja e ekonomisë.

Turizmi ka luajtur një rol kyç në rritjen ekonomike të vendit, me 1.5 miliardë dollarë në vit”-thuhet mes rreshtave të raportit.

Performanca më e mirë ndërkohë shënohet në drejtim të arsimit dhe sigurisë. Në nivel global, Danimarka është e para në renditje, ndërsa Sudani Jugor mban vendin e fundit.

/Scan

SHKARKO APP