Rehabilitohet parku në Shkodër

Një projekt financuar nga qeveritë zvicerane dhe austriake rikualifikoi parkun “Vaso Kadija” në Shkodër duke e shndërruar në një nga qendrat kryesore shlodhëse në qytet. Punët u përuruan sot nga Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi dhe Ambasadori zviceran Adrian Maître. “Qytetet tona kanë nevojë më shumë se kurrë për hapësira shlodhëse, argëtuese dhe kulturore. Në shumë qendra urbane në Shqipëri qytetarët po rizbulojnë hapësirat e përbashkëta publike, dhe se si të krijojnë një ndjesi krenarie dhe përkatësie”, tha Ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maitre. “Një përfitim i shtuar nga ky bashkëpunim: bashkitë ushtrohen se si të identifikojnë nevojat komunitare, ku të kërkojnë për fonde, dhe si të zbatojnë projekte të përbashkëta. Kjo ndihmon bashkitë në forcimin e kapaciteteve për të thithur fonde të ardhshme – si ato që vijnë nga BE”, shtoi Ambasadori Maître.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi në fjalimin e saj theksoi se: “Si zonë e frekuentuar nga shumë studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, përmirësimi i lulishtes po ndikon në rritjen e numrit të frekuentuesve të saj studentë, të cilët do të mund të lexojnë apo kalojnë kohën e lirë në një hapësirë të rikualifikuar. Është kënaqesi të shohësh që grupet e synuara nga realizimi i projektit po e frekuentojnë këtë lulishte duke gjetur secili hapsirën e tij”.

Projekti për rikualifikimin u quajt “100 drita për të gjithë” dhe pati një buxhet prej 53,402 EUR. Ai mbulon një zonë të gjerë 4700 m2, përfshi hapësira të gjelbërta dhe zona rekreative të pajisura me stola, tavolina dhe elementë dekorativë. Hapësirat e reja përfshijnë zona të dizenjuara për t’u përdorur për artet vizuale – vizatim, grafikë, piktura dhe skulptura. Zona të tjera të dedikuara janë dizenjuar për lojra dhe si kënd për fëmijët, dhe hapësira për të moshuarit. Pritet një rritje e aktiviteteve artistike dhe sociale në dobi të komunitetit.

 

Një rimodelim i sistemit të ndriçimit u krye përmes instalimit të 100 dritave LED si dhe 19 shtyllave ndricuese LED, duke e bërë kështu parkun më tërheqës dhe më të sigurt për vizita në mbrëmje / gjatë natës.

Kjo ndërhyrje është një nga 16 projektet zhvillimore të zbatuara përmes skemës së granteve të financuar qeveritë e Zvicrës dhe të Austrisë – pjesë e Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri. Skema gjithashtu shërben për forcimin e kapaciteteve institucionale rajonale dhe vendore për menaxhimin e projekteve zhvillimore duke u përgatitur kështu për financime të ardhshme nga donatorët sidomos në kuadrin e projekteve të BE-së. Programi për Zhvillim Rajonal në Shqipëri është një përpjekje e përbashkët dhe në vazhdim për të mbështetur reformën e zhvillimit rajonal në vend. Programi synon të ulë pabarazitë në Shqipëri duke mbështetur zhvillimin e rajoneve të forta në mënyrë që ato të përparojnë dhe të sigurojnë kushte më të mira sociale dhe ekonomike për qytetarët

SHKARKO APP