Retrospektivë/ Si e impaktoi turizmin virusi SARS në 2003?

Ndërsa është ende herët për të parë impaktin total të coronavirus në sektorët e ndryshëm ekonomik, historia ofron disa të dhëna bazuar në situata të ngjashme me të cilat janë përballur shtetet më parë. Përhapja e sëmundjeve infektive është padyshim e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me udhëtimet. Turizmi sot është një biznes i madh global që përbën 10.4% të PBB-së dhe 10% të punësimit global. E në fakt, dukej sikur asgjë nuk do të ngadalësonte rritjen e turizmit nga viti në vit. Organizata Botërore e Turizmit dhe Kombeve të Bashkuara kishte parashikuar rritje të mëtejshme në të ardhurat që turizmi ndërkombëtar ofronte për vitin 2020, duke marrë në konsideratë fluturimet në të gjithë botën, e veçanërisht për 3 mujorin e parë të këtij viti. Kjo ama, ishte përpara se një virus i ri, COVID – 19, të godiste Kinën, e më pas më shumë se 20 vende të botës, e të numëronte miliona izolime. Kina ka qenë më e shpejtë për të ndërmarrë masa drastike, kjo pasi ata e kanë marrë mësimin e hidhur nga shpërthimi i SARS në 2003, i cli po ashtu e pati zanafillën në Kinë. Derimëtani, impakti në “fluturimet” drejt Kinës dhe nga Kina i coronavirus ka qenë shkatërrimtar. Linjat Ajrore kanë anuluar të gjitha fluturimet, ose në rastin më të mirë të mundshëm, kanë zvogëluar ndjeshëm numrin e tyre. Pjesa më e madhe e shteteve bllokuan të gjitha lëvizjet me Kinën, përfshirë edhe tragetet ndërkufitare dhe hekurudhat.

Cili ishte ndikimi që pati virusi SARS në 2003 në turizëm?

Së pari, duhet thënë se coronavirus ka tejkaluar edhe numrin e të infektuarve edhe numrin e viktimave. Në rang global, numërohen përafërsisht afro 222.000 të infektuar dhe afro 9.000 vdekje nga COVID – 19, ndërsa virusi SARS pati 8.096 raste të prekura prej të cilave 774 vdekje në 26 vende të botës. Ndërkohë, fatkeqësisht, COVID – 19 është një “kapitull i zi” i pambyllur ende, ndaj duhet thënë se parashikohet të tejkalojë edhe më virusin SARS.

Ndërkohë, SARS numëronte një rënie të të ardhurave në lëvizjet turistike ndërkombëtare me gati 9.4 milionë, e një humbje të të ardhurave 30-50 miliardë dollarë. Megjithatë, në 2002, përpara shpërthimit të SARS-it, pozicionimi i Kinës si një destinacion turistik në botë ishte relativisht i dobët, duke “mirëpritur” më pak se 38 milionë turistë, e duke “përcjellë” afro 17 milionë turistë kinezë në vende të tjera të botës.

Merrni në konsideratë se në 2019, është vlerësuar se Kina ka afro 142 milionë turistë të huaj (krahasuar me 38 milionë në 2002), ndërsa vetë kinezët bënë 134 milionë “fluturime” jashtë vendit, e 5.5 miliardë brenda Kinës. Kufizimet e rrepta të vendosura nga qeveria kineze për të shmangur të gjitha udhëtimet e panevojshme dhe të gjitha ato në provincën Hubei (me kryeqytet Ëuhan-in) ishin një indikator që tregonte se ndikimi ekonomik i COVD – 19 do të ndjehej në çdo cep të botës. E kështu ndodhi, pasi përgjigja e tregut ishte e shpejtë, me çmimet e aksioneve të linjave kryesore ajrore, linjat detare, apo kompanitë turistike, të cilat patën menjëherë rënie të ndjeshme.

Gloria Guevara, presidente dhe CEO e Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit (ËTTC) është shprehur se ndihet e frikësuar se përshkallëzimi i masave të marra, mund të ketë një ndikim të dëmshëm dhe të qëndrueshëm në ekonomi. Ajo ka ndarë shqetësime serioze se mbyllja e aeroporteve, anulimet e fluturimeve dhe kufijtë e mbyllur, shpesh kanë një ndikim më të madh ekonomik, sesa vetë shpërthimi i virusit.

Për shembull, nës marrin rastin e Kanadasë, ajo  pati 251 raste të infektuara me virusin SARS dhe 43 vdekje, e megjithatë kjo i kushtoi ekonomisë kanadeze rreth 5.25 miliardë dollarë dhe 28.000 vende pune. Asokohe, Kanadaja kishte më pak se 100.000 vizitorë kinez në vit, të cilët ranë me 25% për shkak të virusit SARS. Sot, Kina është vendi i dytë me më shumë fluturime në Kanada, ku përllogariten rreth 800.000 hyrje nga Kina në Kanada, e me një kosto 2.800 dollarë për udhëtim.

Në varësi të kohëzgjatjes së COVID – 19, të kufizimeve dhe paralajmërive, humbjet mund të dyfishohen lehtësisht nga ato të vitit 2003. “Dhimbja” do të ndjehet në çdo industri, pasi zinxhiri i furnizimit të turizmit përfshin githçka, nga bujqësia dhe blegtoria, e deri te bankat dhe sigurimet. Goditja kryesore do të jetë në industrinë kryesore, atë të akomodimit, ushqimit dhe pijeve, rekreacionit dhe argëtimit, transportit dhe shërbimeve të tjera me të cilat udhëtimet shoqërohen.

Burimi: World Economic Forum

/ SCAN

SHKARKO APP