Revolucioni i robotëve / 200 mijë vende pune më pak në banka dhe në kompanitë e sigurimit

Robotët dhe kompjuterët kërcënojnë ekzistencën e 14% të pozicioneve aktuale të punës gjatë njëzet viteve të ardhshme, sipas një studimi të realizuar nga OECD (Organizata e Kooperimit dhe Zhvillimit Ekonomik). Bankat dhe kompanitë e sigurimeve janë ndër më të prekurat nga pushtimi i “ChatBots” ose dritaret me asistentë virtualë, shumë të përhapur kohët e fundit, që përdorin inteligjencën artificiale për t’u përgjigjur menjëherë kërkesave të klientëve në faqet e internetit dhe aplikacionet e ndryshme. Një sistem që ka ndryshuar mënyrën e komunikimit të markave në tërë botën.

Sipas një studimi prej 225 faqesh të sapo botuar nga Wells Fargo, robotët do të heqin 200,000 pozicione pune nga industria e kredisë amerikane gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Shkurtimet e stafit për të kaluar në automatizimin e tij, në realitet, janë shumë më tepër sepse përfshijnë të gjitha bankat në botë. Javën e kaluar, për shembull, shpërthyen grevat në bankat e Afrikës së jugut të Nedbank, Standard Bank , Capitec dhe Absa pas njoftimeve për mbylljen e qindra degëve dhe shkurtimeve intensive të stafit të tyre.

Një raport tjetër i McKinsey & Co., publikuar në maj vlerëson se stafi bankar që punon në zyrën e përparme, në sportele dhe në konsultim me klientët, do të ulet me të paktën një të tretën, në të ardhmen e afërt falë ardhjes së robotëve. Edhe tregtarët preken nga avancimi i fintech.

Të gjitha bankat e mëdha po vazhdojnë të investojnë në teknologji. Studimi i Wells Fargo vlerëson një ulje të të paktën 10% të posteve të përgjithshme të kredisë. Call center-at, back-office dhe nëpunësit e filialeve do ta ndiejnë më së shumti këtë proces shkurtimesh masiv. Punët në lidhje me marketingun dhe këshillimin do të kursehen të paktën për momentin, edhe pse përparimi i inteligjencës artificiale mund t’i rrezikojë edhe ata në një të ardhme jo shumë të largët.

Bankat amerikane shpenzojnë rreth 150 miliardë dollarë në vit për teknologji dhe inovacion. Më shumë se çdo sektor tjetër. Investimet, efikasitetet, përmirësimet e kohës dhe shërbimeve që përkthehen me fjalë të thjeshta; një reduktim i pashmangshëm i personelit real. «Industria bankare po rritet më ngadalë se në të kaluarën. Gjysma e kostove të bankave shkon tek kostot e punës dhe nuk ka shumë leva të tjera për t’u përdorur. Ata nuk kanë zgjidhje tjetër,” vëren Mayo, analist i Wells Fargo, duke iu referuar faktit që bankat nuk janë të gatshme të zvogëlojnë fuqinë e tyre të punës. Por do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme: shkurtimet do të kthejnë prapa trendin e krijimit të vazhdueshëm të vendeve të punës në industrinë bankare amerikane.

Të dhënat e punësimit për sektorin e kreditit të Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave (Fdic), agjencisë federale që garanton depozitat bankare dhe aftësinë paguese të bankave në rast falimentimi, tregojnë se numri i përgjithshëm i posteve në këtë sektor është kontraktuar vetëm 16 herë që nga 1935 dhe nuk ka pasur më shumë se 55,000 vende punë të humbura në vit, madje edhe gjatë krizave më të këqija financiare, si ajo e dot.com në 2000 dhe asaj të hipotekave nënprimë në 2007-2009. Sidoqoftë, nëse parashikimet e studimit të Wells Fargo vërtetohen për bankat amerikane, do të jetë një shok shumë më i fortë sesa një krizë financiare.

(Ilsole24ore – SCAN

SHKARKO APP