“Ringjallja e Llazarit”, për dy vjet në UNESCO

UNESCO nderon Shqipërinë duke i dhënë mundësinë të ekspozojë një vepër për rreth 2 vite, në një ambient të veçantë të sajin, ku ndërthuret kultura dhe tradita e kombësive të ndryshme.

Bëhet fjalë për ikonën e shekullit XVIII, “Ringjallja e Llazarit”, e cila u vendos te “vendi i nderit”, një kënd i posaçëm për promovime të rëndësishme, i gjendur përballë zyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, znj. Audrey Azoulay ish-ministre e Kulturës e Francës. “Regjisori” i këtij operacioni delikat diplomatik dhe kulturor, që bëri të mundur ekspozimin e veprës “Ringjallja e Llazarit”, ishte ambasadori ynë në UNESCO, Ferit Hoxha. Hoxha tregoi ngjarjen e rrallë për “Panoramën”, fill pas ceremonisë, në të cilën nderuan me pjesëmarrjen e tyre Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, znj.Azoulay, dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Ikona “Ringjallja e Llazarit” fillimisht i qe dhuruar UNESCO-s nga qeveria jonë, por duke parë kundërshtitë e shumta të specialistëve të fushës, vendimi u shfuqizua një muaj më parë

Zoti ambasador, a mund të na thoni diçka më shumë lidhur me veprën e artit të ekspozuar së fundmi në UNESCO? Çfarë ka të veçantë kjo ngjarje?

Ceremonia e inaugurimit për ekspozimin e ikonës së shekullit XVIII, “Ringjallja e Llazarit”, e vëllezërve Zografi, në një nga ambientet ekskluzive në UNESCO, është një ngjarje e veçantë edhe për nga natyra historike. Është hera e parë që një vepër arti shqiptare do të ekspozohet për një periudhë dyvjeçare në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën. Është kurorëzimi i një pune disamujore, filluar gjatë vitit 2018, mes Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Kulturës si dhe Misionit tonë pranë UNESCO-s. Vendi i ekspozimit përbën po ashtu një aspekt të veçantë: Ikona shqiptare është ekspozuar në katin ekzekutiv ku gjenden zyrat e Drejtoreshës së Përgjithshme dhe funksionarëve të tjerë të lartë të organizatës. Kështu, çdo vizitor i huaj do të ketë mundësi t’i hedhë një vështrim kësaj vepre, së cilës i është ofruar një hapësirë e veçantë dhe e denjë ekspozimi. Unë jam shumë krenar që pas 60 vitesh anëtarësi në këtë organizatë, e cila ka një mandat të gjerë, por më së shumti njihet e identifikohet si shtëpia ndërkombëtare e kulturës, ne kemi të ekspozuar një margaritar të trashëgimisë sonë kulturore.

Pse pikërisht kjo vepër dhe jo një tjetër? 

Siç mund ta dini, në nëntor të vitit 2018, një ndër aktivitetet e organizuara me rastin e 60-vjetorit të anëtarësimit të vendit në UNESCO, ishte edhe një ekspozitë me 21 ikona të përzgjedhura, e cila qëndroi e hapur përgjatë një jave në këtë organizatë ndërkombëtare. Ekspozita, e kuruar mjeshtërisht, është një nga ngjarjet kulturore që kanë lënë gjurmë në UNESCO. Për fat të keq, për shkak të numrit të madh të aktiviteteve të kësaj natyre që organizohen pa pushim në UNESCO dhe praktikave që rëndom aplikohen aty, ekspozita nuk mund të qëndronte më shumë se një javë, çka është një kohë krejt e pamjaftueshme. Kësisoj, jo vetëm për të mbajtur gjallë frymën shumë pozitive të ekspozitës së ikonave të vitit 2018, por edhe për të injektuar pak më shumë Shqipëri në UNESCO, një prej tyre, e veçantë, e mirëmbajtur, përfaqësuese e denjë e ikonografisë sonë, por edhe historisë së pikturës në tërësi, u zgjodh të ekspozohet për një periudhë më të gjatë. Në një kuptim më anekdotik, edhe pse kjo nuk ka asnjë lidhje me përzgjedhjen, kam dëshirë të them se “Ringjallja e Llazarit” përkon fort mirë me frymën aktuale në organizatë, me një rizgjim të interesit të vendeve anëtare për UNESCO-n, me një dëshirë të ndarë për të forcuar edhe më tej punën e saj në të gjitha fushat e kompetencës: arsim, kulturë, shkencë dhe komunikim dhe me një rol më të dukshëm të organizatës në sistemin e OKB-së.

Meqenëse jemi në këtë pikë, a mund të na thoni sesi kontribuon dhe çfarë përfiton Shqipëria nga UNESCO?

Prania dhe veprimi ynë në UNESCO– dhe thuajse në tërësinë e arkitekturës shumëpalëshe – ka njohur dy epoka: atë të paraviteve ’90, kur prania dhe veprimi ynë kanë qenë thuajse të padukshëm, anësorë, të tetanizuar nga ideologjia dhe zgjedhjet gjeopolitike të asaj kohe, si dhe periudha pas rënies së pjesës sonë të perdes së hekurt. Ajo që mund të përmendet për periudhën gjatë regjimit komunist, përpos kufizimeve drastike të imponuara nga diktatura, është se paranoja e izolimit ndërkombëtar, ndërveprimi me UNESCO-n, e ndihmoi shtetin shqiptar dhe shoqërinë e tij të sfilitur kryesisht në luftën kundër analfabetizmit apo me ndonjë bursë a specializim sporadik. Vetëm pas vitit ’90 do të manifestohet realisht interesi i vendit për t’u përshtatur në jetën dhe dinamikat e organizatës, si një zgjim pas një letargjie prej disa dekadash. Duke filluar nga viti 1990, ndërveprimi me UNESCO-n ka bërë që kjo organizatë të mbështesë në mënyrë aktive arsimin, formimin e qytetarisë, shprehjen dhe komunikimin e lirë, forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë, ndërtimin dhe funksionimin e shoqërisë civile, mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të njeriut si dhe në mënyrë të veçantë, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore. Më konkretisht, ne kemi arsye të jemi krenarë që gjatë tri dekadave të fundit kemi arritur të përfshijmë në regjistrat e ndryshëm të UNESCO-s një numër pasurish kulturore e natyrore, që përfaqësojnë dhe nxjerrin në pah vlerat universale të padiskutueshme e të vyera të trashëgimisë sonë. Kemi arritur kështu të garantojmë më mirë dhe në bashkëpunim ndërkombëtar ruajtjen, zhvillimin dhe dukshmërinë e tyre të mëtejshme, çka njëkohësisht përkthehet në përpjekje konkrete për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm në nivel lokal e kombëtar. Kështu, siç dihet, Butrinti, Gjirokastra, Berati, pjesa shqiptare e Ohrit, dy pyje të hershëm ahorë (në Rrajcë dhe në Bregun e Lumit) janë tashmë pjesë Listës së Trashëgimisë Botërore, e thënë ndryshe janë pasuri jo vetëm tonat, por i përkasin tashmë tërë njerëzimit. Përmes ndërveprimit me UNESCO-n dhe strukturat e saj, sekretariatin dhe organet e specializuara të këshillimit, ne bashkëpunojmë me synimin për të ruajtur, mbrojtur dhe bërë sa më të njohur këto pasuri, si dhe për të përfshire gjithnjë e më shumë pasuritë natyrore, në mbarë botën. Kjo është një përpjekje globale për të mbajtur sa më shumë pjesë të globit të pacenuara, të paprekura e të padëmtuara nga nguti për urbanizim të shfrenuar që vërehet anë e mbanë globit. Pasaporta “UNESCO” është një garanci shtesë përpos kujdesit e “rojtarëve” në vend, për t’i vënë fre subjektivizmit, ngutit për përfitime afatshkurtra në dëm të interesave afatgjata dhe vlerave të përhershme. Në kemi po aq arsye të jemi po aq krenarë që në listën e kryeveprave të kulturës jomateriale të botës, midis 43 shprehive më të spikatura kulturore të popujve të të gjitha kulturave në mbarë globin, është regjistruar edhe isopolifonia shqiptare. Po ashtu, “Kodikët e Purpurt të Beratit” përfaqësojnë denjësisht trashëgiminë tonë në regjistrin “Kujtesa e Botës” e ku duam të shtojmë sa më parë të jetë e mundur në të ardhmen edhe elementë të tjerë.

Si për shembull? 

Një ide që më vjen menjëherë në mendje mund të jetë, për shembull, Arkivi i Fototekës Kombëtare “Marubi”, një shekull i historisë sonë, kulturës, shoqërisë dhe njerëzve është “ngurtësuar” e dokumentuar në një arkiv fantastik, ndër më të pasurit në Ballkan. Apo elementë të tjerë të pasurisë sonë kulturore shpirtërore (jomateriale), e cila është edhe më e rrezikuar të shumohet, madje edhe të zhduket në një përballje të pamundur me ritmet marramendëse të zhvillimit dhe rendjen kuturu drejt modernitetit. Sigurisht, në raste të tilla veprohet me plane pune të mirëkalendarizuara, pasi janë përpjekje që kërkojnë punë, specialistë, bashkëpunim ndërinstitucional, me komunitetet lokale gjithnjë në mirëkoordinim. Por, ndërsa përfshirja është krenari, vlerë dhe garanci, ajo shoqërohet edhe me detyrime, të cilat duhen zbatuar me përpikëri, në kohë dhe me përgjegjshmëri dhe për këtë ka një komunikim të pandërprerë, kontakte të vazhdueshme, misione, vëzhgim, raportime periodike, ndihmë e ekspertizë specifike, në mënyre që në një bashkëpërpjekje dhe bashkëpërgjegjësi të bëjmë të mundur ruajtjen e vlerës universale, për të cilat këto pasuri janë bërë pjesë e trashëgimisë njerëzore mbarëbotërore. Shqipëria është anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që prej 2014, me një mandat të dytë radhazi, çka e ka vendosur vendin tonë në zemër të vendimmarrjes së Organizatës në tërësinë e çështjeve në fushën e arsimit, shkencës, komunikimit, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, shpirtërore. Përmes Misionit tonë në UNESCO, vendi ynë zbaton një politikë aktive në mbështetje të interesave tona, të cilat janë në shkallë të gjerë të mishëruara në vizionin e iniciuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e tanishme, Audrey Azoulay, e që synon t’i rijapë Organizatës vendin, rolin dhe relevancën që meriton në një botë tërësisht të ndryshuar, gjë që kërkon ide, energji, vizion dhe projekte të reja. Po ashtu, është tashmë e vërtetuar, në Shqipëri dhe tjetërkund, se kultura dhe trashëgimia si bartës të vlerave, janë gjeneratorë zhvillimi, së pari për komunitetet lokale, por edhe për ekonominë ë tërësi. Kështu, rritja e konsiderueshme e numrit të vizitorëve/turistëve në Shqipëri në këto vitet e fundit, i dedikohet ndër të tjera edhe ekspozimit kulturor dhe është tashmë e provuar një lidhje e drejtpërdrejtë mes regjistrimit të pasurive kulturore në Listat e UNESCO-s nga njëra anë dhe imazhit të vendit e numrit të vizitorëve, pra, turizmit kulturor.

Zoti ambasador, Shqipëria është anëtare dhe përfiton, siç shpjeguat, në drejtime të ndryshme. Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet për shkak të kundërshtimit nga Serbia dhe vende të tjera që kundërshtojnë pavarësinë e saj. Kur do të anëtarësohet Kosova në UNESCO dhe çfarë po bën shteti shqiptar në këtë drejtim?

Historia është e njohur: Kosova aplikoi për anëtarësi në UNESCO në vitin 2015. Tri votat që munguan e bënë gjithë atë përpjekje të pasuksesshme në atë moment. Prej asaj kohe kanë ndodhur zhvillime të tjera. Kosova është forcuar më tej, ka konsoliduar shtetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar, është anëtarësuar në struktura të tjera dhe ndërkohë ka marrë kohën e nevojshme për të bërë analizat e duhura, pasi kundërshtimi agresiv i Serbisë dhe i një numri vendesh që nuk e kanë njohur, nuk është zbehur.

Anëtarësimi në UNESCO, si edhe në segmente të tjerë të sistemit të OKB-së, mbetet në agjendë pasi siç e theksoi ministri Cakaj para pak ditësh, gjatë ndërhyrjes së tij në sesionin e 40-të të Konferencës së Përgjithshme “Refuzimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është një gabim historik, dhe nga ana jonë, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të përmbushur këtë detyrë – jo vetëm sepse ne e njohim politikisht dhe mbështesim pa kushte Republikën e Kosovës, por sepse ne mbështesim arsimin dhe shkencën, kulturën dhe komunikimin, traditën dhe historinë, dhe të gjitha liritë në përgjithësi”. Ajo që duhet vënë në dukje është mjegullnaja e dualitetit vetëkundërshtues e politikës serbe ndaj Kosovës: nga njëra anë Serbia vazhdon formalisht ta ketë Kosovën në Kushtetutën e saj dhe në propagandën e saj e trajton, – sado e paqenë që është në realitet – si pjesë të territorit të saj, edhe pse prej thuajse dy dekadash, ajo nuk ka asnjë lloj roli, kontrolli apo fuqie politiko-juridike në Kosovë; nga ana tjetër, Serbia i paguan taksën doganore Kosovës, është e detyruar të respektojë kufijtë e saj ndërkombëtarë, ulet në të njëjtin nivel, në një karrige të ngjashme me Kosovën në organizata të tjera, edhe në FMN, edhe në Bankën Botërore, përfshirë në tërësinë e rrjetit të organizatave rajonale. Madje, sa për shembull, këtë vit Kosova ka kryesinë e organizatës kryesore të Europës Juglindore, SEECP. Pavarësia e Kosovës është debat i mbyllur. Njohja nga Serbia e realitetit është ende në diskutim. Arsyeja kryesore që avancon Serbia për të kundërshtuar praninë e Kosovës në UNESCO është rreziku që i kanoset, siç shprehen përfaqësuesit e trashëgimisë serbe në Kosovë.

Kjo mbështetet në dëmtimin e monumenteve të trashëgimisë serbe gjatë ngjarjeve të marsit 2004, 15 vjet më parë. Ka qenë një ngjarje e hidhur, shfrim spontan i pakontrolluar e që nuk duhej të kishte ndodhur. Qeveria e Kosovës ka shpenzuar miliona euro për riparimin e monumenteve të dëmtuar, në bashkëpunim me Kishën Ortodokse atje.

Monumentet kulturore e shpirtërore, cilado qofshin, nuk duhet të paguajnë çmimin e zemërimit ndaj padrejtësive, sado legjitime e të justifikuara mund të jenë. Mbrojtja dhe respekti ndaj kulturës është detyrë individuale e kolektive. Por, si thuajse çdo gjë në diskursin serb për Kosovën që është e mangët ose qëllimshëm e pasaktë, askund nuk përmendet dëmtimi, shkatërrimi dhe grabitja e pasurisë kulturore kosovare ndër vite e veçanërisht gjatë luftës në vitet 1998-1999. Manastiret serbe në Kosovë, pjesë e pamohueshme e trashëgimisë shpirtërore e komunitetit serb në Kosovë e që sot ruhen si askund tjetër, nuk janë aspak e kurrsesi më të rëndësishëm apo më me vlera sesa 225 xhamitë që u dëmtuan, vandalizuan apo shkatërruan tërësisht nga agresioni ushtarak milosheviçian serb në Kosovë apo, për të përmendur vetëm një, se Kisha e Shën Antonit që u dëmtua rëndë nga forcat ushtarake serbe. Apo ato rreth 500 kulla tradicionale guri apo dëmtime të tjera në qendrat e mirëmbajtura urbane disashekullore në disa qytete të Kosovës, çka rezultoi në humbje të ndjeshme të arkitekturës tradicionale. Apo, më tej, mbi 65 biblioteka publike, rreth një e treta e tërë bibliotekave në Kosovë, të cilat u shkatërruan plotësisht dhe si rrjedhojë thuajse një milion botime të ndryshme, përfshirë libra të rrallë, dorëshkrime e koleksione të tjera të rëndësishme të letërsisë e kulturës u shkrumbuan, u shkatërruan apo humbën.

Janë fakte dhe jo retorike dhe këto e zbehim dhe e bëjnë edhe më të ekzagjeruar çdo pretendim serb. Por edhe përtej kësaj situate, edhe në argumentet e saj, Serbia është përsëri në një paradoks. Nëse vërtet ajo është e interesuar për të ruajtur e mbrojtur trashëgiminë serbe në Kosovë, mënyra më e mirë është anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, çka do ta vinte Kosovën si çdo vend tjetër anëtar përpara detyrimit për të përmbushur përgjegjësitë, për raportime periodike, inspektime të herëpashershme. Në rast mangësish, Kosova do të vihej para përgjegjësisë, tashmë nga një instancë ndërkombëtare, e cila vepron sipas rregullave dhe procedurave të bashkëpranuara, të njohura, të verifikuara dhe si të tilla të pakontestueshme. Ky do të ishte kontributi më i mirë, më i drejtpërdrejtë për tërësinë e pasurisë kulturore e trashëgimisë në Kosovë. Megjithatë, dhe po citoj përsëri ministrin Cakaj në fjalën në UNESCO, se herët a vonë, “UNESCO do të ketë një qasje gjithëpërfshirëse dhe do të mbështesë rrugën e anëtarësimit të Kosovës në familjen tonë të përbashkët, një realitet që thjesht mund të vonohet, por jo të shmanget”.

Anëtarësimi në UNESCO nuk është thjesht një medalje në këndin e “anëtarësimeve ndërkombëtare”. Është një nevojë reale e jetike për ta përfshirë shoqërinë kosovare, shqiptarë, serbë si dhe pjesëtarë të pakicave të tjera, në diskutimet globale për arsim cilësor për të gjithë, në diskutime dhe vendime për të ruajtur e zhvilluar liritë themelore, lirinë e shprehjes e komunikimit, në rrjedhat e zhvillimit të qëndrueshëm, në përfshirjen e të rinjve me sytë nga e ardhmja, në axhendën e re të zhvillimit global që po zbatohet nga bashkësia ndërkombëtare. Ky do të ishte kontribut i njëmendtë për fqinjësi të mirë, për marrëdhënie në paqe dhe të ardhme të përbashkët.

SHKARKO APP