Rizgjimi i Skënderbeut në Boston

Nga Namik Selmani/Ka gjëra që profetizojnë vetveten. Ditë vizitash, ditë takimesh, ditë njohjesh, ditë ngjarjesh të mëdha, ditë kobi, ditë gëzimi… Ditë kujtese. Për disa ditë Bostoni ishte i mbuluar me shumë re, me shi me mjegulla, me tulatje pranvere. Edhe pse vaporët sërish ankoroheshin në bord, edhe pse aeroporti i zhurmshëm “Logan”  sërish niste e priste gati në çdo minutë njerëz nga e gjithë bota e mes tyre dhe bashkëkombësit e mi.

Ishte maj. 6 maj. Një maj me një diell që trëk ta bënte me sy. Si në një dashuri që nis e bukur dhe kështu ecën deri në fund. Mbase edhe për këtë na e bëri më të ngrohtë vizitën tek varri i poetit më të madh amerikan. Longfelloi na priste. I qetë, i heshtur, modest, në Mbretërinë e Kujtesës Amerikane. Nuk u lodhëm shumë në atë varrezë që kishte zënë fill që nga viti 1800 në të kishte njerëz që kishin lindur në vitin 1770 . Nga më madhështoret në Boston Në një qytet ku dhe parqet publikë i kalojnë kufijtë e 200 viteve. Në një park të bukur me pisha, me lule nga më të ndryshmet Lonfgelloi priste. Mbase ne ishim vizitorët e parë dhe të vetëm  të kësaj dite të shënuar për kombin tonë. Po, ishim shqiptarët e vetëm dhe pasardhësit e Skënderbeut që ai i ka kushtuar një poemë të tërë dhe që do ta përkthente i madhi Fan Noli.

Të gjithë punëtorët që punonin në këtë varrezë të jashtëzakonshme e dinin varrin e tij Më saktë monumentin e tij, jo dhe aq të madh, po që i ngjante një lloj sarkofagu modern. Nuk e lamë emrin në një regjistër vizitash apo atij që kishte ideuar këtë ansambël monumental . Rreth tij ishin disa pllakëza, ku kishte të tjerë të afërm të tij mes tyre dhe gruaja e tij. Aty nuk pamë vargje, po të gjithë e dinin se ai ishte poet. Dhe nuk dua që të vë një garë pa le që të jem gjykatësi i kësaj gare të bukur, paksa edhe emocionale se të gjithë garat e botës e kanë brenda tyre fitoren, emocionin. Cili komb mund të mburret më shumë në këtë ditë maji për të? Cili do ta falënderonte më shumë ai amerikan apo shqiptar? Atë ditë kishte ditëlindjen Skënderbeu ynë që do të lartësohej kaq shumë nga pena e këtij poeti të madh të shekullit XIX në Boston. M’u duk se bashkë me mikun tim Pando Lako një 80-vjeçar shumë vital, me këtë trashëgimtar të denjë të shqiptarizmit me një traditë dishnicare nga Korça prej babait dhe me atë vithkuqarë nga nëna, ishim bërë dhe përfaqësues të shqiptarëve për të falënderuar këtë poet. Ia pastruam ngadalë pllakën e varrit (zakon shqiptar dhe amerikan) ndërkohë që dhe dy lule të freskëta i vumë në mermerin e tij. Nuk donim të bënim pyetjen se ku dhe kur e kishte njohur Skënderbeun Longfelloi.

Nuk u çuditëm aspak se të gjithë punëtorët e thjeshtë , ata që korrnin barin dhe bënin punët e vogla në varreza e dinin saktësisht se ku ishte varri i tij na e treguan me fjalë, me gjeste, madje ishin gati dhe të na dërgonin atje.. Për të thënë të drejtën në atë masë sipërfaqeje prej 83 hektarësh vështirë se e gjeje kaq lehtë. Por ata e dinin dhe secilin që mund ta pyesje ia thonin. Nuk e dimë se sa lexonin ata që gjithë ditën bënin punë të rënda në atë varrezë-park, po ata ishin po kaq longfellianë sa dhe ne. Më shumë se ne përderisa bëheshin ciceronë për të gjithë botën kur donin që të gjenin varrin e poetit.

Në atë vit të vështirë të 1873-shit kur në Shqipërinë tonë përgatitej një copëtim i madh ku e gjeti të dhënat për heroin tonë kombëtar Longfelloi? Ku? Tash populli amerikan që gëzonte ditët e lirisë dhe të mbarësisë i duhet që me veprën e tij të njihnin dhe heroin tone Se ai ishte strateg ashtu si ishin dhe të mençurit amerikanë që po krijonin një shtet të madh, të forte. Se Skënderbeu, ka shpalosur ide proeuropiane dhe botërore për kohën. Se ai kishte bërë luftërat të drejta. E vepra e tij ishte jehonë. Jo si ajo jehonë në një grykë mali apo honk ku ti kërkon qoftë dhe me një lloj kureshtje që të dëgjosh zërin tënd. Po një jehonë amerikane dhe botërore. Nga ato që ecin në shekuj. Jehonë për paqe, liri. Në këtë vazhdë ndjenjash poeti amerikan Henri Longfello është frymëzuar dhe më 1873 shkruan poemën “Skënderbeu”. Sigurisht, e bën këtë sepse është figurë me virtyte të larta që ka lënë gjurmë në historinë e kohës. Dhe poetët i kapin këto kulme historike. Në të është gjaku i shqiptarit. Idetë e shqiptarit janë të çmueshme për njerëzimin dhe, si të tilla, kultivimi i tyre është mbajtur gjallë brez pas brezi. Kjo do të thotë, se nga Shqipëria nuk i ka ardhur, nuk i vjen dhe nuk do t’i vijë asnjë e keqe fqinjëve, jo se jo, por edhe mbarë Botës. Kjo do të thotë se Shqipëria është për miqësi, vëllazërim dhe harmoni me këdo. Kjo do të thotë se Shqipëria çdo populli i dëshiron më të mirën arritje në fushën politike dhe ekonomike.

…Po linim një nga varrezat me të njohura të Bostonit. Me 83 hektarë tokë, me vepra arti nga më të bukurat që donin kohë që t’i studioje si një galeri luvriane në natyrë. Me mijëra drurë dekorative, me 93 000 të varrosur në vitin 2003 dhe që natyrisht është një numër më i madh në vitet e stome. Një varrezë ku janë më të pasurit e Bostonit më të diturit. Jo më kot atë e kanë quajtur edhe varrezat e intelektualëve që kanë studiuar në Harvad, Kembrixh, që është vetëm disa metra larg kësaj varreze. Një çift amerikan pas nesh bëri disa foto te varri i tij monument Nga arkivin e varrezave shënuam dhe dy emra të ndritur që më 1831 e vunë emrat e tyre në Librin e Nderit si arkitektët që e ideuan dhe e ndërtuan këtë varrezë Aleksandër Uaduarth dhe Jakob Bigell Në çdo ditë të vitit e donte një buqetë me lule nga shqiptarët Longfelloi amerikan . Po atë ditë kur Heroi i Kombit tonë kishte ditëlindjen e 611-të, ishte shumë e bukur domethënëse. Bostoni na priste me gjallërinë e tij të ditës, me qetësinë që të japin parqet, lumi Carls, ndërtesat universitetet. Mund të kishim me vete dhe një grusht dheu nga Lezha ku ishte varri i heroit. Nga Dibra. Mund të kishim marrë një gur nga kalaja e Petralbës në Mat. Mund të kishim në duar një bust të heroit të marrë dikur në Pazarin e Krujës. Mund të vinim dhe ca vargje kurorë për poetin e madh si një dhuratë që poeti ia jep poetit. Po Longfelloi i meritonte të gjitha, të gjitha, përderisa sa në këtë ditë të 6 majit na rizgjoi në Boston e në mbarë Amerikën, Skënderbeun tonë të madh.

Boston, maj 2016

SHKARKO APP