Rrëfimi i gazetarit Rezar Xhaxhiu: Në ambasadën tonë në Rumani kishim “Dhomën e Zezë” të mbuluar me një beze të trashë, Securitatea rumune…
Publikohet historia e panjohur e protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, të cilat çuan në rrëzimin e udhëheqësit komunist, Nikolae Çaushesku, i cili e kishte qeverisur atë vend, që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit. Dëshmitë e rralla të gazetarit e moderatorit të njohur, Rezar Xhaxhiu, i cili nga viti 1987 e deri në marsin e 1991-it, shërbeu si atashe i Shtypit dhe Kulturës pranë asaj ambasade, që rrëfen eksluzivisht për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, se si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun, ku për disa ditë me rradhë, personeli i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine? Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë, kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea që ishin bashkuar me protestuesit, pas hapjes së lajmit se, diktatori rumun, Çaushesku, me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!
“Më kujtohet që të gjithë familjarët e personelit të ambasadës sonë, ishin mbledhur së bashku dhe rrinin nëpër bodrumet e asaj godine, nën një pasiguri dhe panik real, të asaj se çfarë mund të ndodhte në orët në vijim! Ndërkohë, që ajo pjesë e familjeve tona që ishin strehuar, jashte godinës së ambasadës, e përjetuan dyfish dhe më me frikë, betejen disa ditore në rrugët e Bukureshtit. Më kujtohet ime shoqe, të cilën e gjeja në çdo rast kur kthehesha nga ambasada, të tmerruar dhe të ngurtësuar nga paniku, frika, dhe pasiguria. Në atë kohë, ne kishim vajzën 6 muajshe, dhe shpesh i gjeja të dyja poshtë parvazit të dritares, për t’i shpëtuar plumbave që vinin ngado. Qëllohej nga çdo anë, dhe ata që ishin më të pabesë, ishin sajperat e USLA (Reparti Special Anti-Terror) i Securitates, që ishin vendosur në tarracat e pallateve, dhe godinave zyrtare. Por në shumë raste, nuk merrej vesh kush qëllonte?! Ishte e nesermja e Krishtlindjeve, pra 25 dhjetor i vitit 1989, kur mësuam për arrestimin e Çausheskut. Ai u ndalua së bashku me gruan e tij, Elenën, nga nje postobllok ushtrie në afërsi të Tirgovishtes. Gjatë këtij momenti, çifti presidencial Çaushesku, ishte drejtuar drejt një aeroporti, në tentativën për t’u arratisur nga Rumania, dhe për të kërkuar strehim politik në një vënd mik me Rumaninë”.
Kështu e kujton në mes të tjerash, gazetari dhe moderatori i njohur Rezar Xhaxhiu, ngjarjet e bujshme të ndodhura plot tre dekada më parë në Rumani, ku në fundin e dhjetorit të vitit 1989, për shkak të protestave masive të popullit rumun në kryeqytetin e vëndit, Bukuresht, udhëheqsi komunist, Nikolae Çaushesku, së bashkë me gruan e tij, Helena, në tentativë për t’u larguar nga vëndi, u ndaluan në një post-bllok në periferi të një qyteti të vogël në kufi me Hungarinë dhe më pas u ekzekutuan pas një gjyqi ‘blic’!
I ndodhur në rradhët e shërbimit diplomatik (si atashe i Shtypit dhe Kulturës), pranë ambasadës shqiptare në Bukuresht që nga fillimi i vitit 1987, si një dëshmitar okular, Xhaxhiu, pati rastin të ndiqte nga afër ato protesta të popullit rumun, që çuan në rrëzimin e diktatorit Nikolae Çaushesku, i cili kishte qeverisuar atë vënd të madh ballkanik që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit.
Po si u përzgjodh Rezar Xhahiu që të shërbente në rradhët e diplomacisë shqiptare, kush ishin kolegët e tjerë me të cilat ai punoi nga viti 1987 e deri në marsin e ’91-it që u kthye në atdhe, si funksiononte puna në atë seli diplomatike dhe si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, ku për disa ditë me rradhë, stafi i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine?
Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea, pas hapjes së lajmit se diktatori rumun, Çaushesku së bashku me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!
Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje të panjohura të ndodhura në ambasadën shqiptare të akredituar në Bukuresht në periudhën kohore, 1987-1991, na rrëfen për herë të parë Rezar Xhaxhiu, në këtë intervistë ekskluzive për Memorie.al, e cila do vijoj në disa numra radhazi.
Vijon nga numri kaluar
Zoti Xhaxhiu, cilat ishin tiparet dhe karakteristikat e shoqërisë rumune, që binin më shumë në sy, në periudhën e fundviteve 80-të kur ju shërbenit pranë ambasadës shqiptare në Bukuresht?
Ajo, ishte një shoqëri e hapur por e opresuar, rumunët, ishin një popull që kryenin lirshëm ritet fetare, por që u ndalohej të takoheshin me të huaj, qofshin këtë edhe turistë. Nje rumun i thjeshtë, kishte një makinë private, por që ishte i survejuar non-stop, dhe që nuk duhej të shprehte asnjë mendim të tijin, të lirë dhe të pavarur.
A diskutonit ju, me kolegët e ambasadës për gjëndjen e keqe që ishte atje?
Ne ishim diplomatë dhe nuk e vuanin skamjen e rumunit të thjeshtë, por kjo nuk do të na pengonte ta preknim atë nga afër. Fqinjët tanë ishin nga shtresa të ndryshme, mjekë, ushtarakë, arsimtarë, puntorë, etj. Ndaj dhe ne e dinim dhe e preknim nga afër, se si ishte jeta e tyre. Por vetëm kaq. Asnjë impakt tjetër i kësaj gjëndjeje të keqe ekonomike dhe sociale, nuk na ndikonte në punën tonë të përditshme, si dhe në kushtet e jetesës sonë atje.
Si ishte përditshmëria dhe rutina e punës për një diplomat si ju, në një nga vëndet kryesore komuniste të Ballkanit dhe Europës?
Një punë rutine tipike, zyrë. Si në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me të njëtat orare dhe padyshim e njëjta disiplinë. Kishim të bënim me hartime shkresash, notash verbale, përgjigje notash, me organizime aktivitetesh dhe festazh zyrtare. Gjithashtu, organizonim takime me kolegët diplomatë, zhvillonim bankete me kokteje e pritje të ndryshme. Kjo ishte dita tipike e nje diplomati, i cili në përfundim të saj, duhej që në një rast të bënte një raport për Tiranën, në lidhje me zhvillimet në vend, e në ndonjë një rast tjetër, të dërgonte një tjetër telegram, po në Ministrinë e Punëve të Jashtme për një takim, nje mesazh, apo një bisedë me interes që kishte bërë me një koleg perendimor, lindor, apo me dikë nga zyrtarët e Rumanisë. Dhe ky telegram përpilohej në ‘Dhomën e Zezë’.
Mund të na e shpjegoni, më konkretisht se çfarë ishte kjo Dhomë e Zezë?
Dhoma e Zezë, ishte një ambjent me përmasa, dy metra e gjerë dhe tre, e gjatë. Kjo dhomë, ishte tërësisht e veshur me copë beze të trashë, dhe të zezë. Kjo beze, shërbente për të shmangur përgjigmet e mundshme, dhe ‘çimkat’ (aparaturat përgjuese) që mendohej se i kishin instaluar Shërbimi Sekret rumun (Securitate), në muret e dhomës. Ajo dhomë, ishte si një birucë por pa dritare, diçka si një varr i zi.
Dhe si mund të punonit ju në një ambjent me kushte të tilla?
Sigurisht që në këto kushte, ishim të detyruar që të punonim. Telegramet dhe memot, shkruheshin mbi një tavolinë të rrethuar nga ajo mbulesë e zezë. Dhe këtë strehë që ndriçohej nga një prozhektor i vogël, e izolonte atë siperfaqe të mbuluar, edhe nga vete dhoma ku punonim…!
Siç dihet, Rumania komuniste ka pasur një nga shërbimet sekrete më famëkeqe të Europës, të quajtur Securitate. Gjatë kohës që ju ishit atje, a ndjenit se ishit nën vëzhgim nga pjestarët e saj?
Nën vezhgim po, por jo në mënyrë të dukshme. Gjithçka bëhej në distancë, dhe nuk është se shikonim të na vihej pas ndonjë makinë, apo të ndiqeshim, nga persona të caktuar. Të paktën disa prej punonjësve të ambasadës, ishin pa rrezik, si puna ime apo e Marko Bellos. Pra, që vinim nga rradhët Ministrisë së Punëve të Jashtëme dhe jo nga sektori i Drejtorisë së Zbulimit Politik (që ishte një nga tre drejtoritë e Sigurimit të Shtetit).
A ekzistonin rregulla strikte protokollare, që ju si punonjës të ambasadës, duhet t’i ndiqnit me patjetër?
Ekzistonin, sa të duash rregulla të tilla. Ato ishin rregulla të mira, por nganjëherë mund të të dukeshin edhe absurditete pa fund!
A mund të përmëndni, disa nga këto rregulla?
P.sh., ne duhej që të njoftonim në ambasadë, për çdo lëvizje tonën në Bukuresht, apo dhe jashtë tij. Gjithashtu, duhej që të njoftonim dhe për çdo ftesë që na vinte nga kolegët tanë për bankete të ndryshme, dreka dhe darka. Qofshin ato të organizuara nëpër shtëpite e tyre, apo dhe në ambjentet pritëse të ambasadave respektive. Duhej me patjetër që bashkëshortet tona, të dilnin të shoqëruara nga koleget e tyre shqiptare, në të gjitha lëvizjet që bënin. Duhej që të kishe një veshje dinjitoze, edhe jashte orarit të punës. Kështu, p.sh., tek ne ishte e ndaluar që të mbaje pantallona xhins, se ato konsideroheshin si diçka e modës…! (qesh).
Gjatë kohës që shërbyet atje, a keni pasur takime me zyrtarë të lartë rumunë?
Sigurisht që po. Puna jonë, na e donte, që të gjithë ne, të kishim kontakte me funksionarë të lartë të qeverisë rumune. Ministra, ose zv/Ministra të ndryshëm, drejtorë drejtorish, etj., etj., që kishin lidhje me Shqipërine, ose me problemet e saj.
Ç’mendim kishin ata për Shqipërinë, dhe a e transmetonin ata tek ju, bisedat për klimën e tensionuar që po kalonte Rumania komuniste?
Zyrtarët dhe diplomatët e ndryshëm rumunë, por jo vetëm, e konceptonin Shqipërinë, si një vënd tejet iteresant, përsa i përket qëndrimeve të tij zyrare, jo vetëm ndaj Bashkimit Sovjetik, por edhe ndaj SHBA-së. Ata e admironin vëndin tonë, si një vënd që kishte një traditë të hershme miqësie me Rumanine falë dhe një kolonie shqiptarësh që jetonin dhe punonin prej shumë vitesh atje. Shqipëria, konsiderohej si një shtet me të cilin, ata ndanin qëndrime të përbashkëta, por edhe si një vënd që vazhdimisht ka prodhuar njerëz luftëtarë dhe të besës. Por për gjëndjen e keqe, që po kalonte vëndi i tyre, ata pothuajse nuk flisnin fare.
Konkretisht çfarë ju bënte më tepër përshtyje atyre nga vendi ynë?
Tek ta binte më shumë në sy fakti që ata e quanin Shqipërinë, si një vënd që prodhonte konjakun më të mirë në planet. Atë konjak “Skënderbeu” me të cilin, ti mund te zgjidhje të gjitha problemet e tua personale, por edhe të të hapeshin të gjitha dyert në çdo nivel të administratës rumune. Konjaku ishte mjeti me të cilin, ne çanim ‘bllokadën’ në Bukuresht…! (qesh).
A mund të tregoni disa episode pikante nga takimet që ju keni pasur me zyrtarët dhe diplomatët rumunë dhe të huaj?
Një nga rregullat më strikte që ne duhej të ndiqnim gjatë misionit tonë atje, ishte moskomunikimi dhe mosdhënia, madje as edhe e dorës, diplomatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik, dhe Izraelit. Gjatë pritjeve dhe koktejleve të ndryshme, që ishin të shumta në atë kohë, kjo na vinte neve si diplomatë, në situata tepër të vështira, madje shpesh edhe qesharake.
Jeni ndeshur ndonjëherë me këto situate të pakëndshme?
Patjetër, disa herë madje. Më kujtohet një herë gjatë një pritjeje, unë ndodhesha në mesin e një grupi diplomatësh nga vëndet lindore dhe perendimore, ku papritmas, me afrohet një koleg i ambasadës sovjektike. Ai, mbasi u jep dorën të gjithëve që ishin në atë rreth të ngushtë, ma drejton dorën edhe mua. Kjo gjë, më detyroi që të largohesha, gjasme me stil, por që la një shije të hidhur, dhe të çuditshme tek të pranishmit në atë rreth diplomatësh.
Në këto raste, çfarë ju thoshin diplomatët e tjerë, kur ju shihnin që bënit këtë veprim?
Në këtë grup, ishte edhe nje diplomat i ambasadës së Koresë së Veriut, i cili, pak më pas m’u drejtua mua, duke më kërkuar domethënien e këtij akti të çuditshëm, sipas tij. U mundova t’i shpjegoja rregullin e hekurt të qëndrës sonë, (Ministrisë së Jashtëme në Tiranë) karshi zyrtarëve të këtyre tre vëndeve. Ai, qeshi me atë buzëqeshjen tipike aziatike dhe me tha tekstualisht: “Kemi edhe ne një rregull të tillë ndaj kolegëve të Koresë së Jugut, por jemi pak më të moderuar nga ju, në sjelljet tona”. Unë, i çuditur, e pyeta për këte stil moderimi aziatik dhe ai, m’u përgjigj, duke thënë: “Po ja, kur jemi përballë tyre, ne nuk japim dorën, por të paktën themi disa fjalë të përgjithshme, që kanë lidhje me motin, kohën me shi, apo me ngricën, shtimin e harabelave në Bukuresht, etj., etj”. Qesha dhe unë me të madhe, duke i thënë që: ‘ky është stili tipik aziatik i diplomacisë suaj, që ndryshon kryekëput nga ai ballkanik’! E çfarë mund t’i thoja më shumë diplomatit koreano-verior, veçse duke ja kaluar si me shaka. Por pas vitit 1990, fatmirësisht, pata rastin që t’ua shpjegoja në një mënyrë, ose në një tjetër, diplomatëve të këtyre tre vëndeve, këtë rregull absurd të diplomacisë shqiptare.
Mund ta shpjegoni më konkretisht se çfarë ndodhi në këtë pritje, që patët ju me diplomatët e SHBA-së, Rusisë, dhe Izraelit?
Po, patjetër. Në mos gaboj, në muajt e parë të vitit 1991, kur regjimi komunist në Shqipëri, sapo kishte rënë, vëndi ynë kishte rivendosur marrdhëniet diplomatike me Ëashingtonin, Moskën, dhe Jeruzalemin, zyrtar. Në një pritje të zakonshem të organizuar nga ambasada jonë, me rastin e rivendosjes së këtyre marrdhënieve diplomatike, mua më vjen patritur, një nga diplomatët e ambasadës amerikane në Bukuresht, dhe më drejtohet në këtë mënyrë: “Hej Mrs. Xhaxhiu, miku im shqiptar, a mund të t’a shtrëngoj dorën fort, pasi midis dy vëndeve tona, u rivendosën marrdhëniet diplomatike, dhe ju shqiptarët, nuk do të na etiketoni më, neve amerikanëve, si “Xhandarët e imperializmit ndërkombëtar”?! Ne të dy qeshëm me të madhe, pasi unë u befasova nga ky togfjalësh i amerikanit, i cili, më ngjau me zhargonin e revistës “Hosteni”. Dhe u takuam përzemërsisht me të, për të diskutuar më pas për gjëra të ndryshme. Po kështu, fatmirësisht pata fatin që pas diplomatit amerikan, t’u kërkoja ndjesë për “rregullin e çmëndur” të mosdhënies së dorës, edhe diplomatëve rusë dhe izraelitë.
Po nga kolegët tuaj të ambasadës, a ndjenit që mund të ishit i survejuar, në ndonjë moment?
Realisht, në të gjitha pritjet dhe koktejet, por edhe në aktivitete të ndryshme, duhej të bëje shumë kujdes se një sy të vëzhgonte, dhe në çdo moment, ishte i gatshem që të të raportonte çdo deviacion tëndin, ndaj këtyre rregullave absurd që ishin vënë në Tiranë. Ishte nje lojë e rrezikshme, sepse nuk e dije se nga do të vinte e papritura.
Keni pasur episode konkrete kur ju dhe familja juaj jeni ndjerë të rrezikuar në ndonjë çast, nga këto rregulla strikte?
Një nga idiotesitë të paktën, kështu e konceptoja une me vete në atë kohë, ishte edhe ndalimi rreptësisht i daljes vetëm të bashkëshorteve apo dhe familjarëve të diplomatëve. Ende sot nuk arrij të kuptoj arsyen e vërtetë të këtij absurditeti! E papritura e parë, më ndodhi pak pasi kisha mbërritur në Bukuresht. Ime shoqe në atë periudhë, ishte nje vajze e re diku tek mosha 19-20 vjeç, si dhe pak rebele nga natyra, çka do të thoshte, se nuk pajtohej kollaj me këto idiotësi, siç ajo i cilësonte. Dhe pak kohë pasi mbërritem në kryeqytetin rumun, ajo lëvizte e qete nëper bulevardet dhe magazinat e Bukureshtit. Kjo ndodhi disa muaj me rradhë, deri kur një ditë, u pikas rrugëve nga grate e ambasadës, të cilat po shkonin me makinë për të bërë blerje bashkarisht. Kaq mjaftoi, që një telegram, të nisej drejt Reiz Maliles, që në atë kohe ishte Ministër i Jashtëm. Në atë telegram, kërkohej marrja e masës ndaj diplomatit, gruaja e të cilit, kishte bërë herezinë e të dalurit vetëm nëpër rrugët e Bukureshtit.
Si u mbyll ai problem?!
Më vonë, mësova që im atë, e kishte mik në atë periudhë Reiz Malilen. Ai, kishte ndërhyrë, që kjo çështje të zgjidhej me një vërejtje, të “rinjve axhami”, çka duket se u pranua me njerzillëk, nga ana e ministrit Malile. Por kjo mase nuk është se e korrigjoi bashkëshorten time, e cila gjeti shtigje të reja drejt lirisë së saj, dhe të lëvizurit nëpër Bukuresht, (qesh).
Gjatë periudhës që keni punuar atje, a kishit kontakt me rumunët e thjeshtë. Dhe nëse po, çfarë bisedonit me ta në lidhje me gjëndjen e keqe që po kalonte Rumania?
Duke qënë se ne banonim në pallate dhe shkallë të përbashkëta me rumunët, kontaktet me ta, i kishim të shpeshta, por të kujdesshme. Kështu, ime shoqe, kishte një mikeshë të sajën në shkallën ngjtur, ku shkonte shpesh fshehurazi komshinjve të tjerë shqiptarë të ambasadës. Ajo me këtë rumune të mirë, u miqësua dhe mban ende marrëdhënie të herëpashershme.
Nga aq kontakte sa patët, si ishin rumunët e thjeshtë?
Rumunët e thjeshtë, ishin njerëz tepër të dashur, të vuajtur, por shumë dinjitozë dhe me shumë kulturë. Ata shpesh qaheshin, për kushtet e tyre, por me shume kujdes. Ata, ankoheshin shumë ndaj regjimit komunist, gjëndjes ekonomike, si dhe represionit të policë sekrete, ‘Securitat’-es. Por edhe këtë gjë, e bënin me një maturi dhe me një dinjitet, që ishte për t’ua patur zili.
/Memorie.al/