Rrëfimi i zjarrfikësit italian: Ajo që pashë më shokoi

Pjesëtarët e ekipeve italiane të emergjencës që ndihmuan në operacionet e kërkim-shpëtimit në Shqipëri janë rikthyer tashmë në vendin e tyre. Për mediat italiane ata rrëfejnë se ky ishte një prej operacioneve më të vështira ku kanë marrë pjesë dhe ku shiheshin si heronj.

“Na u desh të bëheshim njësh me rrënojat. Pata kontakt direkt me një person, një grua që ndër të tjera kishte pranë fëmijën e saj fatkeqësisht të vdekur. Kujtoj shikimin e saj. Kur e përshëndeta kishte shikimin e një personi që…. (preket) nënkuptonte se ndoshta isha shpresa e saj e fundit”,– thotë një zjarrfikës.

“Interesant është fakti se kur mbyllëm operacionet e emergjencës u përqafuam sikur të kishim qenë miq e vëllezër gjithë jetën”,– tregon një tjetër. Për repartin e Leçes, ndërhyrja në Shqipëri ishte e para jashtë vendit.

“Bëmë një gjë që s’kishte ndodhur ndonjëherë në trupën kombëtare. Dërguam 200 njësi italiane dhe ngritëm një bazë brenda 24 orëve në një tokë të huaj me gjithë problematikat që një situatë e tillë mund të përmbajë”,– rrëfeu një tjetër zjarrfikës. Angazhimi i italianëve në Shqipëri zgjati 6 ditë. /Tvklan/

SHKARKO APP