Rrëfimi tronditës i një gruaje: M`i rrëmbyen fëmijët në Londër, të voglin e kisha në gji!

E përhumbur, me duar të mbledhura, e pushtuar nga një frikë e pashpjegueshme, Blerina S., të pret në hyrje të kafenesë. Është një grua e re, fine, por që nga larg i lexohet trishtimi. Pa u ulur ende mirë, ajo nis me vetëmallkimet. E di se askush nuk ia njeh dhimbjen, plagën e as mendimin. Por bindet se tashmë ka përballë dikë që di shumë nga historia e saj e pabesueshme.
Blerina s`di të rrëfejë, në asnjë lloj vete, por di të thotë: “Më kanë marrë fëmijët. Të voglin e kisha në gji, e i madhi afër dy vjeç! Ma saktë m`i kanë rrëmbyer. Ata, të Home Office në Londër! Më thanë se do i çonin tek im shoq, po unë si kam pa kurrë ma fizikisht. As sot se di se si janë apo ku janë. Më ka këput malli për ta. S`di se si ta shpjegoj bre, po s`mundem pa ta”! E përlotur, e lodhur, e pamundur, e braktisur dhe e fyer, Blerina nuk di ma asnjë shteg ku të kërkojë të drejtën e saj, ndërsa tregon se kalvari i vuajtjeve kishte nisur shumë herët. Ndoshta që kur kishte vendosur të bashkonte jetën me një djalë që martesa e tyre do të kthehej në një tmerr të vërtet për të. Ajo e ka të pamundur të rreshtojë detajet e historisë së saj, por tregon se sapo është kthyer nga Anglia ia ka besuar historinë e vet një gruaje që ka një qendër për gratë dhe se ajo kishte dërguar letra nëpër të gjitha instituciuonet por askush nuk i ka ktheyr përgjigje! Madje as britanikët që rrinë në Tiranë, se larg qoftë shqiptarët e ambasadës tonë në Londër. Jo vetëm ata, por kurrë ndonjëherë në këto 29 vite, ambasadat tona në asnjë vend të botës nuk iu kanë shërbyer shqiptarëve të pamundur. Historia e Blerina S., është e trishtë jo vetëm se iu kanë rrëmbyer fëmijët, që iu ka mohuar e drejta e mëmësisë, por edhe për faktin që këto e shumë më tepër i kanë ndodhur në një prej vendeve më të konsoliduara të botës për sa i përket funksionimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut! Ose të paktën kështu propagantohet!

Historia  

Blerina S., nga Kukësi është martuar me Naim M., po nga Kukësi. Martesa e tyre është bërë në vitin 2011 dhe një vit më vonë nisen drejt Anglisë. Naimi me pasaportë britanike ndërsa Blerina pa dokumente, por në Itali është pajisur me një kartë false italiane. Nga aty kanë mbërritur në Gjermani e më pas në Londër. Atje, sipas saj, është konstatuar se Naimi kishte edhe një grua tjetër, me shtetësi britanike dhe se me të kishte edhe një vajzë. Pasi kanë nisur të bashkëjetojnë Blerina me Naimin, pasi ata nuk kanë kryer celebrim, Naimi ka filluar të ushtrojë dhunë. Fëmija i parë, djalë, ka lindur në fundshtatorin e vitit 2013. Asnjëherë nuk është ndarë dhuna fizike dhe psikologjike mbi Blerinën, sipas saj, ndërsa në janarin e 2015-s, Blerina lind edhe djalin e dytë. Vetëm një javë pas lindjes, ai ushtron dhunë barbare mbi të dhe madje e kërcënon me thikë në fyt. Blerina e tmerruar merr djalin një javësh në dorë bashkë me djalin e madh e shkon në një stacion policor. Shkon të denoncojë dhunën e personit që ajo besonte se ishte burri i saj, por aty nis kalvari i gjatë, i çuditshëm dhe ndëshkues i saj.

Strehimi dhe përzënja-sipas Blerinës

“Në fillim ata më ndihmuan! Më strehuan në një banesë së bashku me femijët dhe më thanë që do të dërgonim në një qytet tjetër, në Manchester, por nuk më çuan! Me datë 22 maj 2015, mi morën fëmijët policia së bashku me shërbimet sociale. Më thanë se nuk mund të paguajmë më për ty. Ik e regjistrohu në një Home Office pasi fëmijët nuk mund t`i lëmë në rrugë kurse ti je e rritur. Regjsitorhem me 26 maj dhe iu tregoj gjithçka dija në lidhje me historinë time dhe të dhunës që ushtronte im shoq mbi mua. Iu kërkova ndihmë. Kryqi i Kuq më gjeti strehim pas dy javësh në Londër, por sigurisht, për tu strehuar përkohësisht. Pas dy javësh, Home Office ku isha strehuar më gjen një shtëpi tjetër jashtë Londre po sërish pa fëmijët. Mendova se do punoj aty, do më ndihmojnë edhe njerëz të tjerë, aq sa të bëja ndonjë lekë, të mund të pajtoja një avokat të mirë që të më kthente fëmijët.  U vendosa nëËolverhampton dhe qëndrova aty për rreth një vit. Fëmijët nuk m`i lanë t`i takoja asnjëherë. Ata ma mohuan intervistën. Ata të zyrës. Madje sigurisht, unë e di, kanë shfrytëzuar edhe padijen time, pasi unë s`kisha dalë asnjëherë jashtë shtëpie, s`dija se si funksiononin ligjet e as asgjë pasi isha pa dokumente. Kështu, me 7 mars më sollën letrën që të lë banesën dhe të kthehem në Shqipëri. Më arrestuan sikur unë të isha një kriminele, sikur të isha marrë me ndonjë trafik droge apo grabitje në zonë. Më thanë se duhej të kthehesha në vendin tim se aty isha ilegalisht! Më çuan në një qendër emigrantësh. Avokati i qendrës, i cili erdhi e gjasme i pa dokumentet e mia më tha se e kishte të pamundur të bënte gjë. Që prej asaj kohe unë jam në Shqipëri. Jam me familjen time. Punoj në fabrikë, por skam fëmijët e mi. Jam shumë keq psikologjikisht, e di edhe vetë, veç lus Zotin të mos më shkatërrojë krejt!”

Heshtja e institucioneve

Blerina S., është drejtuar për te qendra “Në dobi të gruas shqiptare” që drejtohet nga Sevim Arbana. Ajo mësohet se hsitorinë e saj e ka bërë të njohur për të gjitha instancat që Arbana mendon se kanë të drejtë të reagojnë në lidhje me këtë rast të rëndë, ku një nëne i merret fëmija 3 muajsh e gjysmë nga gjiri dhe nuk e sheh më që prej asaj kohe e deri më sot. Sipas informacionit që vjen nga kjo qendër bëhet me dije se madje janë nisur letra të hapura që në 2017 tek Ambasada Britanike, Prokuroria e Përgjithshme, konkretisht për tek Arta Marku, te ish-ministri i jashtëm, Ditmir Bushati. I njëjti material është nisur edhe në drejtim të ambasadës tonë në Londër. Arbana tregon për “Diell-online” se nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndërkohë që sipas saj duhet të ngrihen institucionet për të bërë të mundur bashkimin e kësaj nëne të re me fëmijët e saj. Pak rëndësi ka se ku. Mirëpo, edhe pse nuk kanë reaguar prej më shumë se dy vitesh asnjë prej instancave që kanë për detyrë të ndërhyjnë, aktivistja Nertila Marku, ka çuar rastin e Blerinës sërish në Londër e konkretisht në organizatën më të madhe botërore që mbron të drejtat e Njeriut; Amnesty International!
Po shteti shqiptar a ka ndonjë mekanizëm që të njihet me këtë rast dhe ta mbrojë të drejtën e kësaj gruaje të jetë Nënë, meqë ka patur fatin të jetë? Si ka mundësi që asnjë isntitucion nuk kthen vëmendjen në këtë histori të frikshme abuzimi dhe mohimi të mëmësisë që vjen nga Londra? Po Arta Marku, pse hesht, bashkë me dy ambasadat? Në ditët në vijim, “Diell-online” do të kërkojë përgjigje te çdo institucion që është njohur me rastin e Blerina S., gruas 36 vjeçe, që iu kanë rrëmbyer fëmijët, njërin 1 vjeç e 5 muajsh, e tjetri pa i mbushur ende 4 muaj. A nuk majfton ky fakt tronditës që dikush të ndërhyjë për të zgjidhur këtë situatë absurde?!

Nga Nikoleta Kovaçi – diellonline

SHKARKO APP