Rregulla më të rrepta për marrjen e nënshtetësisë zvicerane, ja çfarë ka vendosur një kanton
Edhe pse rregullat për marrjen e nënshtetësisë në Zvicër gjithmonë janë konsideruar të vështia, ato tashmë në një kanton zviceran që sapo është votuar janë bërë edhe më të rrepta.
Informacionet treguan se mbi 64 për qind e votuesve në Kantonin e Aargau të dielën miratuan masën e rekomanduar nga parlamenti i tyre kantonal për procedurat më të rrepta të natyralizimit. Në Zvicër, natyralizimet trajtohen nga autoritetet komunale dhe kantonale.
Sipas legjislacionit të ri, ish-përfituesit e ndihmës sociale duhet të presin dhjetë vjet pasi të marrin mbështetjen e tyre të fundit financiare nga shteti para se të aplikojnë për nënshtetësi. Përjashtime do të bëhen për raste të veçanta të vështirësive, të tilla si një sëmundje, paaftësi ose nevojë e vërtetë financiare.
“Është një parim i reciprocitetit: kur kemi marrë diçka nga shoqëria, duhet ta kthejmë atë”, tha Susanne Voser, një deputete që ishte forca shtytëse e propozimit, shkruan Thelocal.
Një periudhë dhjetëvjeçare për përfituesit e mirëqenies është gjithashtu në fuqi në Bernë. Në Bazel dhe Thurgau janë pesë vjet dhe në kantone të tjera, tre vjet.
Për të filluar procesin për të marrë nënshtetësi në Zvicër duhet të keni jetuar në vend për më shumë se dhjetë vjet dhe të keni të paktën një nivel B1 të gjuhës përkatëse zvicerane (folur) dhe A1 (me shkrim). Ju gjithashtu do të duhet të mos keni të dhëna kriminale dhe një mjet të ardhurash.
Ligji i ri gjithashtu kërkon që kandidatët për nënshtetësi zvicerane të bëjnë një provë me zgjedhje të shumëfishtë mbi njohuritë e tyre historike dhe gjeografike të vendit dhe formati i kësaj gjithashtu ndryshon nga kantoni në kanton. Vetëm ata që përgjigjen me saktësi në tri të katërtat e pyetjeve, mund të fillojnë procesin e natyralizimit.
Përveç njohjes së një prej gjuhëve kombëtare të vendit, kandidatët për natyralizim zviceran gjithashtu duhet të dëshmojnë se janë të integruar dhe të njohur me kulturën dhe zakonet e tyre lokale.
Po ashtu, kërkesat për këtë nuk merren lehtë – një rast i publikuar kohët e fundit përfshiu një italian në kantonin Schwyz, të cilit iu mohua shtetësia zvicerane sepse nuk e dinte që arinjtë dhe ujqit kishin një vend në kopshtin zoologjik lokal. Për fat të mirë për burrin, një gjykatë vendosi kundër vendimit dhe urdhëroi kantonin t’i jepte shtetësi.
Gjithashtu edhe për të lindurit në Zvicër nuk është e lehtë për të fituar nënshtetësi. Kohët e fundit u bënë tituj globalë, pasi për nënshtetësi një grua e re e lindur dhe rritur në Zvicër pati një intervistë me këshilltarët vendas, e cila përfshinte 70 pyetje ‘të çuditshme’ dhe të vështira për jetën e saj personale, të cilat po konsiderohen jo të pranueshme nga kërkuesit e nënshtetësisë. Duhet theksuar se ka pasur një numër rastesh të ngjashme ndër vite që kanë përfshirë rezultate ose pyetje të çuditshme.