Rritet niveli i detit
Shkencëtarët besojnë se niveli i detit do të rritet më shumë nga sa është parashikuar për shkak të shpejtësisë me të cilën po shkrijnë akujt në Grenlandë dhe në Antarktidë.
Ishte parashikuar se detet e botës do të rriteshin maksimalisht 1 metër deri në vitin 2100.
Studimi i ri, i bazuar në mendimet e ekspertëve parashikon se niveli mund të rritet dyfishin e asaj që ishte parashikuar.
Kjo mund të çojë në zhvendosjen e qindra miliona njerëzve, thonë ekspertët.
Çështja e rritjes së nivelit të detit ishte një nga çështjet më të diskutueshme të ngritura nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), kur botoi raportin e pestë të vlerësimit në vitin 2013.
Ky panel tha se ngrohja e vazhdueshme e planetit, do të bënte që niveli i ujrave të rritej 52-98 cm deri në vitin 2100.
Shumë ekspertë mendojnë se ky është një vlerësim shumë konservator.