Rrjedhja e dokumentit sekret rumun, mediat italiane: Harta e re e Ballkanit që mund të ndezë tensione

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, shpërbërja e Bosnje-Hercegovinës e largimi i influencës turke nga Ballkani. Dokumenti slloven që po lëviz diplomacinë europiane e vetëm pak muaj para marrjes së Presidencës sllovene në Bashkimin Europian.

Vetëm pak orë pas vizitës zyrtare të Presidentit slloven Borut Pahor në Romë e takimit të tij me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve italiane, mediat e agjensitë vendase kanë publikuar informacionin e një dokumenti sekret që Kryeministri slloven i ka dorëzuar kreut të Këshillit të Europës  Charles Michel e që flet për rishikimin e kufijve gjeografik të vendeve të Ballkanit.

Media italiane e kanë komentuar si harta e re e Ballkanit që mund të ndezë tensione në këtë territor që po mundohet të gjejë me vështirësi paqe, ndërsa mediat sllovene e konsiderojnë si një dokument shumë të pritshëm në Ballkan.

Dokumenti në gjuhën angleze, i cili është publikuar nga mediat sllovene ka qëllimin gjeopolitk për të larguar influencën turke në Ballkanin Perëndimor e për të favorizuar zgjerimin e Bashkimit Europian me këto vende.

Sipas mediave sllovene ky dokument diplomatik e jo zyrtar, i është dorëzuar në muajin shkurt 2021 kreut të Këshillit të Europës, nga vetë kryeministri slloven Janez Jansa, e nuk dihet se kush është hartuesi i tij, me dyshimin se ndoshta mund të jetë punuar nga kancelaritë e disa vendeve, mes të cilave Hungaria e Orban.

“Askush nuk ka konfirmuar zyrtarisht se Presidenti i Këshillit të Europës ka marrë në dorëzim një dokument të tillë nga Sllovenia”, shkruajnë mediat sllovene, por ky dokument ekziston e është bërë publik.

Me titull “Ballkani Perëndimor- rruga që duhet ndjekur”, nënvizon qysh në hyrje se disa çështje kyçe që pas Traktatit të Dayton 1995, kanë mbetur të pazgjidhura me rrezikun e influencës turke në këtë territor në boshllëkun që ka krikuar mungesa e perspektivës europiane në këto vende.

“Shqipëri, Kroacia e Serbia kanë qeveri të qëndrueshme e politikanët e këtyre vendeve kanë aftësinë të marrin vendime strategjike”, thuhet në dokument.

Po çfarë sugjeron ky dokument?

Pika e parë e tij kërkon bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

“Në Kosovë 95% e popullsisë kërkon bashkimin me Shqipërinë, e kufiri mes dy vendeve praktikisht është i paekzistueshëm “.

Pjesa serbe e Kosovës do të merrte një status të veçantë si provincat autonome në Itali (Alto Adige).

Pika e dytë e këtij dokumenti sugjeron bashkimin e një pjese të Republikës së Bosnjës me Serbinë e në këtë rast Serbia do të pranonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Gjithashtu një sërë kantonesh kroate në Bosnje Hercegovinë të bëheshin provinca autonome siç është Alto Adige në Itali. Boshnjakët do të kishin një shtet të pavaruar e funksionues e me një referendum qytetarët do të vendosnin për aderimin ose jo në BE, siç ka bërë më parë dhe Turqia.

Sipas mediave italiane “ky dokument slloven do të eleminonte Bosnjën e do të rikrijonte kufijtë e Ballkanit në bazë etnike.”

Ministri i Jashtëm slloven Anze Logar ka konfirmuar mediatikisht se ekzistojnë dokumente të tjera diplomatike mbi Bosnjën Hercegovinën e një i tillë është hartuar dhe nga  Kroacia.

Dokumenti, e mbi të gjitha publikimi i tij, i cili duhet të ishte sekret, ka shkaktuar debate në kancelaritë europiane e ballkanike.

Në Slloveni, opozita e qëndrës së majtë ka akuzuar kryeministrin Jansa si të papërgjegjshëm “si ndezës i luftrave të reja në Ballkan” e kanë kërkuar një interpelancë në Komsionin e Jashtëm të Parlamentit slloven mbi atë ç’ka ka ndodhur.

Për opozitën politike në Slloveni marrja e presidencës europiane të Sllovenisë në muajin korrik duhet të ishte një vitrinë e mirë ndërkombëtare për vendin, e që nuk do nisë mirë për shkak të këtij dokumenti.

SHKARKO APP