Rrjeti po çmendet nga pija kombucha, 5 përfitime të jashtëzakonshme për shëndetin
Nëse nuk ia keni idenë çfarë është kjo pije tejet popullore, kombucha është një lloj çaji i fermentuar dhe i ëmbëlsuar që nga shija i përngjason edhe uthullës, edhe shampanjës. Thuhet se ka përfitime të jashtëzakonshme shëndetësore.
Nga vjen kombucha?
Ky eliksir i shëndetshëm është goxha i lashtë. Besohet se vjen nga Kina, kur konsumohet prej 2000 vitesh. Dikur njihej si “Çaji i Përjetësisë”. Çaji i kombucha-s është konsumuar për shekuj me radhë në Europën Lindore, Rusi dhe Japoni. Emri, besohet se buron nga Japonia. Thuhet se një mjek trajtoi një perandor duke përdorur këtë varietet çaji dhe meqë emri i perandorit ishte Kombu, i shtuan ‘cha’ (që do të thotë çaj) dhe u formua kombucha. Në Shtetet e Bashkuara, kombucha gjendej vetëm në dyqane specifike ose bëhej në shtëpi nga njerëz të dhënë pas mirëqenies dhe mjekësisë popullore, ndërsa tani është aq i përhapur sa mund ta blesh kudo.
Nga çfarë përbëhet?
Shkurtimisht, kombucha përbëhet nga çaj, sheqer, baktere dhe tharm. Pasi këta përbërës fermentohen, bashkohen me ekstrakte bimore si xhenxhefili dhe janë gati për konsumim. Gjerësisht, kombucha është një eliksir i komplikuar që formohet nga çaji, sheqeri dhe një lloj tharmi specifik. Kultura ka marrë emrin SCOBY, që zbërthehet në “symbiotic culture of bacteria and yeasts” (kulturë simbiotike mes baktereve dhe tharmeve). Kjo kulturë ka teksturën e piteve dhe ngjyrë bezhë. Falë paraqitjes, kultura quhet shpesh kërpudhë, edhe pse shkencërisht nuk klasifikohet si një e tillë. Kultura që i ngjason kërpudhave vendoset në çaj të zi a jeshil të ëmbëlsuar dhe lihet aty nën kushte specifike. Kështu, fermentohet dhe bëhet një burim i pasur vitaminash, mineralesh, enzimash dhe probiotikësh.
Si funksionon?
Teksa kultura tret sheqerin në çaj prodhon acide organike si acid glukuronik, acid glukonik, acid laktik, acid acetik dhe acid malik. Normalisht, fermentimi i një pijeje me tharm do të prodhonte alkool, por në rastin e kombucha-s, alkooli shndërrohet në acide organike. Pas kësaj faze të procesit, lëngu përzihet me pije të tjera a ekstrakte bimore për t’i dhënë shije unike dhe për ta bërë më të pëlqyeshëm.
A të bën mirë?
Historikisht, është pranuar se kombucha ka përfitime të mëdha shëndetësore, edhe pse shkencërisht nuk është vërtetuar se konsumimi i kombucha-s të shëron a kuron. Sidoqoftë, përbërësit në brendi të kombucha-s dhe efektet e tyre janë vërtetuar shkencërisht shumë kohë më parë. Aq shumë njerëz besojnë në aftësitë e pijes sa e quajnë “burimi i rinisë.”
Përfitimet ushqyese të kombucha-s
Vitamina B1, B2, B3, B6, B9. B12, C. Minerale si zinku, bakri, hekuri, mangani, nikeliti dhe kobalti. Aminoacide dhe enzima si glukosamina. Antioksidantë si polifenole, D-sakarid acid-1 dhe 4-lakton. Probiotikë si gluconacetobakter, acetobakter dhe lactobacillus. Acide organike si acid glukonik, oxalik, acetic, glukuronik, usnik dhe laktik.
Pesë përfitime të rëndësishme shëndetësore
1. Përmirësim i tretjes
Procesi i fermentimit me koloni të gjalla bakteresh dhe tharm funksionon si probiotik dhe ndihmon në mirëmbajtjen e traktit tretës dhe trajton çrregullime të ndryshme abdominale si konstipacioni e diarreja.
2. Çtoksifikimi i trupit
Kombucha përmban acid glukuronik, çtoksifikues i fuqishëm, që lidhet me toksinat duke hyrë në mëlçi dhe i eleminon përmes veshkave. Kështu pakësohet barra e pankreasit dhe rritet mirëqenia e mëlçisë.
3. Mbajtja nën kontroll e niveleve të kolesterolit
Disa studime shkencore kanë vërtetuar se kombucha ka aftësi anti lipidemike, që pakësojnë përthithjen e kolesterolit LDL dhe triglicerideve dhe rrit nivelin e HDL në trup.
4. Nivelet e energjisë dhe gjendja mendore
Vitaminat e grupit B, veçanërisht B12-a, rrisin nivelet e energjisë dhe kontribuojnë në mirëqenien e përgjithshme mendore. Hekuri e ndihmon trupin të prodhojë më shumë qeliza të kuqe, që transportojnë oksigjenin dhe vlerat ushqyese nëpër trup.
5. Efektet kundër kancerit
Në 2014-n, Universiteti i Letonisë zbuloi se konsumimi i kobucha-s lufton infeksionet dhe sëmundjet sepse ”çtoksifikon, anti-oksidon, dhe energjizon imunitetin”. Studiuesit besojnë se DSL dhe vitamina C në kombucha mbrojnë trupin nga dëmtimi i qelizave, sëmundjet inflamatore, tumoret dhe përkeqësimi i sistemit imunitar. Një studim zbuloi se prania e acidit glukarik në kombucha pakëson rrezikun e kancerit.