Sa familje kanë internet në shtëpi? Eurostat: 83% e familjeve shqiptare, më shumë se Franca dhe Greqia, aq sa Italia

Në kohë të tilla karantine dhe izolimi në shtëpi për një pjesë të madhe të popullatës, e sidomos për nxënës e studentë të cilët po i vijojnë aktivitetet e tyre didaktike në distancë, dhe për ata që po punojnë nga shtëpia, interneti është një prej shërbimeve më me vlerë që mund të kemi nëpër shtëpitë tona. Por sa shqiptarë kanë internet në shtëpitë e tyre, krahasuar edhe me vendet e tjera të Europës?

Përgjigjen na e jep Eurostat. Sipas agjencisë europiane të statistikave, 83% e familjeve shqiptare kanë një lidhje interneti me brez të gjerë në shtëpitë e tyre. Të dhënat janë mbledhur në formën e një ankete, dhe nuk janë konkrete, duke qenë se një pjesë e popullsisë gjendet edhe në zona rurale, të thella, me gjasa larg depërtimit të anketuesve. Gjithsesi, shifra mund të konsiderohet e përafërt dhe vlen si bazë krahasuese me vendet e tjera. Të dhënat për Shqipërinë I takojnë vitit 2018. Norma prej 83% e familjeve të cilat kanë internet fix në shtëpitë e tyre është shumë pranë mesatares europiane, që në 2018-ën, fiksohej në 86%.

Në vendin tonë norma e familjeve të cilat kanë internet fiks në shtëpi është më e larta në rajon, pas Kosovës, ku ngjitet në 93%. Për të 4-ta vendet e tjera të rajonit, norma zbret, deri në 69% në rastin e Malit të Zi. Kjo normë në vendin tonë është e njëjtë me Italinë, më e lartë se Franca, Greqia, Portugalia, Polonia, Rumania, Bullgaria, etj.

/ SCAN

SHKARKO APP