Sa më afër vaksinës, aq më shumë njerëz nuk duan ta bëjnë

Sa më shumë afrohet koha për prodhimin dhe hedhjen në treg të vaksinës anti Covid, aq më shumë shtohen ata që nuk i besojnë dhe nuk duan ta bëjnë. Arsyet janë nga më të ndryshmet që nga frika e efekteve anësore e deri tek koha e shkurtër e prodhimit të saj.

E gatshme ndoshta që nga muaji janar i vitit të ardhshëm në Bashkimin Europian, vaksina, sipas një sondazhi të fundit të kryer në 15 vende, ka ngjallur shumë skepticizëm. Nga 18 mijë europianë të intervistuar, të rritur të moshave nga 16 deri në 74 vjeç, Franca rezulton vendi më dyshues: rreth një francez në dy do të vaksinohej kundër koronavirus, në Itali janë pro 65 për qind e popullsisë, në Gjermani 69 për qind e popullsisë është gati të vaksinohet, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 79 për qind.

Skepticizmi për vaksinën është rritur në krahasim me dy muaj më parë; kjo dhe për shkak të frikës nga efektet anësore dhe eksperimentimin e kryer në kohë rekord: me teste klinike që shumë i gjykojnë të nxituara. Kjo, pavarësisht se procedura për miratimin e vaksinës para hedhjes në treg, është e qartë dhe iu besohet enteve publike të treta normalisht të pavarura.

Po cilët janë ata që kundërshtojnë vaksinat? Në Francë sipas një studimi të fondacionit Zhan Zhore, skeptikët ndaj vaksinave janë kryesisht gra dhe të rinj, votues të ekstremit të djathtë ose të së majtës radikale. Dhe në Itali me rritjen e moshës rritet dhe gatishmëria për t’u vaksinuar. Por gjithashtu sa më shumë kalon koha aq më shumë shtohen dyshimet. Të dhëna këto që dalin nga dy sondazhe të ndryshme të universitetit katolik të kryera në maj dhe në tetor. 40 % e të intervistuarve janë kundër ose të pavendosur për vaksinën kundër Covid -19, me një rritje prej 15% të atyre që janë kundër në grupmoshat nën 35 vjeç, në krahasim me të dhënat e muajit maj.

/abcnews.al

SHKARKO APP